Pas tensioneve në protestën e sotme para Kuvendit, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare ministrit të Brendshëm, Besford Lamallari, dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke kërkuar shpjegime për mënyrën se si u menaxhua protesta.

Blushi kërkon të dijë kush dha urdhrin për përdorimin e forcës dhe të gazit lotsjellës ndaj protestuesve, mbi çfarë vlerësimi u mor ky vendim dhe nëse janë respektuar procedurat ligjore.

"Nga sa është bërë publike deri në këtë moment, krijohet bindja se forca policore nuk është përdorur si mjeti i fundit, por si instrument represioni ndaj qytetarëve, në kundërshtim me parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit që kufizojnë ushtrimin e forcës nga organet ligjzbatuese në një shtet demokratik" thotë Blushi në shkresën e siguruar nga Report TV

Në kërkesën e tij, ai kërkon informacion edhe për planin operacional të policisë, numrin e efektivëve të angazhuar, sa qytetarë janë shoqëruar, ndaluar apo arrestuar, si edhe bilancin zyrtar të të lënduarve mes protestuesve dhe punonjësve të policisë.

"Ngjarjet e sotme nuk mund të relativizohen dhe as të mbulohen me heshtje institucionale. Përdorimi i forcës nga Policia e Shtetit ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën kushtetuese të protestës kërkon transparencë të plotë, përgjegjësi individuale dhe institucionale, si dhe një hetim të menjëhershëm e të paanshëm mbi çdo akt të mundshëm të tejkalimit të kompetencave apo përdorimit arbitrar të forcës" thuhet në shkresën e PL-së

Kreu i grupit parlamentar të PL-së kërkon gjithashtu të bëhet publik se çfarë agjentësh kimikë janë përdorur gjatë ndërhyrjes, në çfarë sasie, kush e autorizoi përdorimin e tyre dhe nëse protestuesit janë paralajmëruar përpara se të hidhej gazi.

6 punonjës policie dhe 11 protestues përfunduan në spital pas përplasjeve para Kuvendit ndërsa 23 prej tyre u shoqëruan nga policia