Emocione dhe një interpretim virtuoz solli në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit violinisti Tedi Papavrami.

Artisti shqiptar me famë botërore u rikthye në vendlindje me koncertin premierë “24 kapriçiot nga Niçolò Paganini.

“24 Kapriciot” për violinë solo përbëjnë një nga gurët themelorë të repertorit violinistik botëror, të kompozuara nga Paganini midis viteve 1802 dhe 1817. Kjo vepër monumentale përfaqëson kulmin e virtuozitetit romantik, duke sjellë teknika novatore si ricochet, pizzicato me dorën e majtë, oktavat dhe decimat, në një sfidë të jashtëzakonshme për çdo violinist.

Me një interpretim brilant dhe një ndjeshmëri të rrallë artistike, Tedi Papavrami u ngjit në skenë mbrëmjen e djeshme ndërsa do të vijë edhe sonte në orën 20:00 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit .