Sot temperaturat shkojnë deri në -10 gradë, i gjithë vendi në mot ekstrem! Ministria e Mbrojtjes: Rruga e Arbrit, e kalueshme me zinxhir! Ja zonat problematike

Vendi është 'pushtuar' nga një valë ekstreme e të ftohtit që pritet të na shoqërojë edhe për gjatë ditëve në vijim. Sipas MeteoAlb, ditën e sotme do të mbeten prezente vranësirat e dendura në zonat jugor-Juglindore dhe verilindore duke gjeneruar reshje dëbore. Vetëm orët e vona të pasdites do të sjellin përmirësim të kushteve atmosferike dhe intervale me kthjellime në vend, por ngricat dhe temperaturat e ulëta do vijojnë të jenë problematike.

Temperaturat minimale pritet të shkojnë deri -10 gradë, ndërsa ato maksimale nuk do t'i kalojnë 9 gradë. Veç temperaturave shumë të ulëta, pritet të fryjë edhe erë deri me shpejtësi 60 km/h nga drejtimi verior-verilindor.

Teksa i bën thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes pasi temperaturat do të ulen edhe më tej, Ministria e Mbrojtjes informon se është e bllokuar për shkak të dëborës rruga Peshkopi-Lurë. Ndërkohë lëvizet me zinxhirë në Rrugën e Arbrit dhe në aksin Lurë-Rrëshen dhe Xibër-Klos.

Ndërkohë, në një reagim për situatën, Kryeministri Edi Rama thotë se po punohet me të gjitha kapacitetet për pastrimin e rrugëve nga dëbora e ngrica.

"Mirmëngjes dhe me punën që vijon papushim me të gjitha kapacitetet për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës në zonat e mbuluara me dëborë, ju uroj një fundjavë të qetë", shkruan Rama.

Ditën e djeshme, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku paralajmëroi qytetarët që të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin turizmin dimëror në 5 ditët e ardhshme. Po ashtu ajo i kërkoi qytetarëve që të përdornin me kujdes energjinë elektrike, pasi prej temperaturave të ulëta është rritur kërkesa për konsum.

Ndërkohë meteorologët kanë paralajmëruar se dita e martë e javës që vjen do të jetë dita më e ftohtë, ku temperaturat pritet të shkojnë deri në -17 gradë në zonat e thella.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:32
Temperatura të ulëta, nisin reshjet e para të dëborës në Fier dhe Vlorë, 'zbardhet' Llogaraja

Kanë nisur reshjet e para të dëborës edhe në qytetin e Fierit dhe Vlorës. Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga moti i ftohtë, ndërsa edhe këto dy qytete duket se do të zbardhet në orët në vijim. Report Tv sjell edhe pamjet e para nga rrugët e qyteteve. 'Petkun e bardhë', ndonëse shumë pak e ka veshur edhe Llogaraja. 

Ora 15:18
Temperaturat e ulëta, UKT njoftim të rëndësishëm për qytetarët: Kujdes tubacionet, merrni masa për të mbrojtur matësin e ujit

Si pasojë e temperaturave të ulta në ditët në vijim, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, apelon të gjithë qytetarët e kryeqytetit për marrjen e disa masave parandaluese për mbrojtjen e sistemit të brendshëm të rrjetit ujësjellës, përfshirë edhe matësat e ujit, në mënyrë mos dëmtimin e tyre si pasojë e kushteve atmosferike.

“Lutemi të tregoni kujdes për tubacionet / instalimet brenda pronës tuaj, përfshirë këtu edhe ujëmatësit. Rikujtojmë të gjithë qytetarët se janë ata përgjegjës për mbrojtjen e tubave të ujit dhe të ujëmatësve (të brendshëm ose të jashtëm, në afërsi të banimit), nga ajri i ftohtë.

Sygjerojmë që në katet përdhese, ku tubacionet e furnizimit me ujë, janë më shumë të ekspozuara me ambientin jashtë dhe mundësitë e rrjedhjes janë potenciale, ju lutemi të merrni masa duke i mbuluar apo izoluar për të arritur një mbrojtje optimale.

Për çdo problematikë lutemi të sinjalizoni në numrin tonë të gjelbër 08004488, gjithashtu edhe në Pikat UKT më të afërta në zonën tuaj të banimit. Inxhinierët tanë dhe specialistët e terrenit janë në gatishmëri të plotë në shërbimin tuaj! Së bashku kalojmë çdo vështirësi!”-shprehet UKT.

Ora 14:27
Dëbora 'vesh' me të bardha Fushë-Bulqizën (Pamje me dron)

 

Dëbora ka shtruar 'petkun' e saj të bardhë në Fushë-Bulqizë, duke ofruar një panoramë mahnitëse. Pamjet e kapura me dron tregojnë shtëpitë, pemët e majat e maleve, e gjithçka të mbuluar nga dëbora.

Ora 12:20
Situata me motin e keq, apeli i drejtorit të Policisë Rrugore, Altin Qato për drejtuesit e mjeteve: Kini kujdes, përdorni zinxhirë e goma dimërore! Mos lëvizni natën

Rruga e Arbrit, e cila dje u raportua si e bllokuar,  është e hapur. Dhe jo vetëm Rruga e Arbrit por të gjitha akset rrugore në vend. Këtë deklaratë bëri drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato, përmes një komunikimi me mediat.

Ai apeloi për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të jenë të kujdesshëm në rrugë, duke përdorur zinxhirët apo gomat e dimrit. Ai tha gjithashtu se shoferët duhet të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme natën.

"Duhet të jemi shumë bashkëpunues, mes institucioneve por edhe me qytetarët. Të eliminojmë ngjarjet rrugore sidomos ato që rrezikojnë jetën.  Të gjitha akset në vend janë të kalueshme. Ka disa akse me vështirësi, sidomos ato malore", tha Qato.

Ora 12:09
VIDEO/ Temperatura ekstrem të ulëta, rruga e Qafshtamës mbuluar nga akulli dhe shenjat e makinave që kanë rrëshqitur! Bashkia e Krujës s'merr masa për hedhjen e kripës

Rënia e ndjeshme e temperaturave në të gjithë vendit ka bërë që të krijohen ngrica në rrugë, dukë vështirësuar lëvizjen e mjeteve, ndërsa në aksin Krujë-Qafshtamë, qarkullimi duket i pamundur.

Sikurse mund të shihet edhe nga pamjet, e gjithë rruga është e mbuluar nga akulli, teksa duken qartë edhe shenjat e gomave që kanë lënë automjetet që kanë rrëshqitur, në përpjekje për të ecur mbi këtë rrugë.

Pavarësisht se autoritetet në vend, prej ditësh kanë paralajmëruar për temperatura shumë të ulëta, Bashkia e Krujës nuk ka marrë masa për hedhjen e kripës, duke rrezikuar qytetarët që kanë lëvizur në këtë rrugë.

Prej ditës së djeshme, temperaturat në vend janë ulur ndjeshëm, situatë që do të na shoqërojë edhe përgjatë ditëve në vijim. Sipas meteorologëve, më problematike do të jenë dita e hënë dhe e marta, ku temperaturat pritet të shkojnë deri në -17 gradë.

 

Ora 11:56
Temperatura ekstreme, kreu i Emergjencave Civile: Të gjitha akset të kalueshme! Më problematike situata në Korçë, Dibër dhe Shkodër, qytetarët të kenë kujdes

 

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, në një lidhje për Report Tv, bëri me dije se pavarësisht temperaturave shumë të ulëta, nuk ka problematika me qarkullimin në akset rrugore. Ai bëri me dije se rrugët janë të gjitha të hapura dhe se situata është nën kontroll. Një paralajmërim Çako e pat për qytetarët në Korçë, Dibër e Lezhë, ku tha se do të jenë zonat ku do të ketë më shumë reshje dëbore, duke i kërkuar atyre të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjen natën.

"Të gjitha akset janë të kalueshme, Emergjencat Civile janë në krye të detyrës. Nuk kemi problematika as me furnizimin me energji elektrike. Për shkak të temperaturave të ulëta, do të ketë prani të ngricave në rrugë ndaj qytetarët duhet ët bëjnë kujdes gjatë lëvizjes për të shmangur aksidentet. Shoferët duhet të pajisen me zinxhirë në zonat rurale ku ka prezencë akulli apo dëbore. Janë marrë masat për të ndërhyrë në rast se do të ketë zona që mund të izolohen. Jemi në kontakt me shtabet në prefektura dhe bashki për t'i ardhur në ndihmë qytetarëve për çdo nevojë që do të kenë. Nuk besoj të kemi problematika, pavarësisht kushteve të vështira të motit. Zonat veriore dhe ato verilindore, qarku Dibër, Korçë, Kukës dhe mbi-Shkodra janë të ekspozuara nga prezenca e shtuar e ngricave dhe dëborës dhe këshillojmë qytetarët që të kufizojnë lëvizjen. Lëvizja gjatë natës do të jetë shumë e vështirësuar dhe është mirë të eliminohen", tha ai.

Ora 10:50
Reshje dëbore dhe acar, Ministria e Mbrojtjes: Në rrugën e Arbrit qarkullohet me zinxhirë, i bllokuar aksi Peshkopi-Lurë! Pa drita për disa orë disa zona në Dibër dhe Librazhd

Ministria e Mbrojtjes ka informuar mbi situatën e akseve rrugore në vend, ku bën me dije se e bllokuar është rruga Peshkopi-Lurë. Ndërkohë lëvizet me zinxhirë në rrugën e Arbrit dhe në aksin Lurë-Rrëshen dhe Xibër-Klos. Ndërkohë ka munguar për disa orë energjia elektrike në njësitë Kala e Dodës, Reç, Lurë, Selishtë të bashkisë Dibër si dhe në fidrin 6, njësia administrative Lunik, bashkia Librazhd, por është rikthyer më pas. 

"I gjithë territori i vendit u përfshi nga një ulje e ndjeshme e temperaturave, shoqëruar edhe me reshje bore e shiu. Bazuar edhe në parashikimet e Shërbimit Meteorologjik, të gjitha strukturat e emergjencave civile në të gjitha qarqet e vendit, koordinuar nga Agjencia e Mbrojtjes Civile kanë qenë të angazhuara prej momentit të parë. Sipas informacioneve të marra nga prefekturat, bashkitë dhe ARRSH reshjet kanë pushuar dhe situata sot është nën kontroll. Aktualisht qarkullohet me zinxhirë në rrugën e Arbrit, Qarku Dibër. Është e bllokuar rruga Peshkopi-Lurë, por lëvizet në aksin Lurë-Rrëshen dhe Xibër-Klos me zinxhirë. Punonjësit e ARRSH ndodhen në terren që prej ditës së djeshme edhe në akse të tjera të vendit, ku në disa zona vijon normalisht qarkullimi, por me zinxhirë. Po ashtu ka munguar energjia elektrike për disa orë ë në njësitë Kala e Dodës, Reç, Lurë, Selishtë të bashkisë Dibër si dhe në fidrin 6, njësia administrative Lunik, bashkia Librazhd. Meteorologët parashikojnë rënie të mëtejshme të temperaturave nën zero, ndaj Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht atyre në zonat e thella malore të bëjnë kujdes, të ndjekin këshillat e bëra publike nga Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe të njoftojnë autoritetet vendore në rast nevoje. Të gjitha strukturat e saj janë të angazhuara në çdo moment për të qenë pranë qytetarëve në këto ditë me temperatura ekstreme", thuhet në njoftim.

Ora 09:29
Temperatura shumë të ulëta, Elbasani nën 'pushtetin' e ngricave! S'ka probleme në akset rrugore

I gjithë qarku i Elbasanit është 'pushtuar' nga ngricat ditën e sotme, ndërsa ka patur reshje dëbore në lartësi. Nuk ka probleme në rrugët nacionale, ndërsa në segmentin Lunik-Klenjë të aksit rrugor Librazhd-Sterblevë këshillohet lëvizja e mjeteve me zinxhirë. Trashësia e dëborës në këtë aks ka shkuar në 20 centimetra.

Ora 08:59
Ngricat 'mbërthejnë' vendin, ARRSH: Të gjitha akset të kalueshme

 

Temperatura shumë të ulëta janë regjistruar në të gjithë vendin ditën e sotme, por fatmirësisht nuk ka probleme në akset rrugore, ARRSH bën me dije se të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme, teksa i bën apel drejtuesve të mjeteve që të tregohen të kujdesshëm dhe të reduktojnë shpejtësinë.

"Gjatë natës ka pasur temperatura nën 0 °C  pa reshje në të gjithë vendin. Nuk ka probleme me qarkullimin në të gjitha akset kombëtare, është punuar me shpërndarjen e kripës për të shmangur ngricat dhe zgjerimin e akseve me pretencë bore. Drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit natën dhe në orët e para të mëngjesit, të respektojnë sinjalistikën të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me goma dimërore", shkruan ARRSH.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • xxx: 22/01/2022 13:04

    Vetem hedhja e kripes ne rruge nuk sjell asnje problem

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale