Dëbora përfshin Shqipërinë! Probleme në disa akse kombëtare, zonat problematike! Ndalohet qarkullimi i mjeteve të rënda deri të hënën

Temperaturat e ulëta, dëbora dhe shiu kanë pushtuar vendin tonë këtë të shtunë. Reshjet e dëborës kanë qenë intensive në shumë qytete të vendit ku zonat më të prekura janë Kukësi, Lezha, Korça e Elbasani.

Situata meteorologjike në Lezhë paraqitet me temperatura të ulëta dhe ftohtë të acaret, qyteti është veshur me një “vello” të bardhë dëbore. E njëjta situatë është edhe në Korçë, Kukës dhe Dibër.

Problematike janë akset Elbasan-Librazhd dhe Lezhë-Milot ku si pasojë e dëborës dhe ngricave, është bllokuar thuajse totalisht qarkullimi i mjeteve. Për më tepër, policia ka vendosur nën hetim dhe firmat kontraktore për shpërdorim detyre pasi nuk kanë dalë në terren për të bërë të mundur pastrimin e rrugëve.

Ministrja Belinda Balluku ka njoftuar se duke filluar nga mbrëmja e sotme, në orën 20:00 deri të hënën në orën 08:00 do të pezullohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë. Për sa i përket Shkodrës ajo është shndërruar në “Venezia” pasi është nën ujërat e shiut i cili bie pa pushim në qytetin verior. Shumë shtëpi në zonën e nënshkodrës gjenden ende nën ujë, teksa drejtuesi politik i PD-së në këtë qark, Helidon Bushati i bën thirrje qeverisë që të rikthejë vëmendjen nga kjo zonë.

Edhe kryeqyteti është përfshirë nga dëbora, por reshjet kanë qenë me intensitet më të ulët. Kujtojmë se hera e fundit që Tirana është përfshirë nga reshjet e dëborës është 4 vite më parë, ku reshjet kanë qenë më intensive. Reshjet e borës nuk kanë munguar as në zonat bregdetare, si Shëngjini. Sipas meteorologëve moti i acartë me temperatura të ulëta dhe reshje bore do të vazhdojë për disa ditë, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohet të tregojnë kujdes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:51
Kushtet e motit, Manastirliu nga Spitali i Traumës: Ekipet tona janë në gatishmëri për çdo qytetar!

 

Kushtet atmosferike kanë sjellë problematika në të gjithë vendin tonë. Ministrja e Shëndetësisë duke folur nga Spitali i Traumës, shprehet se strukturat spitalore janë në gatishmëri për çdo urgjencë.

"Kam qenë në komunikim gjatë gjithë ditës me drejtorët e spitaleve rajonale, drejtorët e spitaleve bashkiake edhe me Urgjencën Kombëtare. E gjithë Shëndetësia është në gatishmëri për të pritur rastet e urgjencave dhe emergjencave", tha Manastirliu.

Gjithashtu ajo preku dhe situatën e koronavirusit në vend për të cilën tha se aktualisht në 4 spitalet COVID situata është nën kontroll. Ajo deklaroi se pas tyre, edhe spitalet rajonale janë në gatishmëri ndërsa reshjet e dëborës mund të shkaktojnë probleme në transportimin e qytetarëve që do kenë nevojë për shërbim shëndetësor.

"Situata në spitalet Covid është një situatë e kontrolluar, por numrat e pacientëve që marrin shërbime janë duke u rritur ditë pas dite. Gjatë kësaj periudhe spitalet rajonale kanë trajtuar raste post-covid, pra janë të përgatitur dhe ne kemi investuar për rritjen e kapaciteteve në këto spitale. Spitalet rajonale janë të gatshme për të ofruar shërbime dhe do të kemi funksionimin e skenarit të parë, siç e kemi thënë, me 5 spitalet e para rajonale në momentin që do të kemi një mbingarkesë të kapaciteteve të 4 spitaleve të Tiranës si dhe në rast të vështirësive të transportit si pasojë e motit të keq. Kam një thirrje për të gjithë qytetarët, qëndroni në shtëpi, evitoni udhëtimet dhe nëse keni një problem, një emergjencë shëndetësore telefononi në numrin  127, pra Urgjencën Kombëtare. Gjithë ekipet tona janë në gatishmëri të plotë, të gjitha spitalet e vendit me Urgjencën Kombëtare janë në gatishmëri. Përveç misioneve të tjera, rreth 150 misione në ditë janë vetëm të fokusuara në ndihmë për pacientët me COVID", tha Manastirliu. 

Ora 22:33
Rrëshqitje dherash e gurësh në aksin Vlorë-Orikum

 

Moti i keq ka shkaktuar rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh përgjatë aksit rrugor Vlorë-Orikum.

Rrëshqitja e dherave është regjistruar në vendin e quajtur Kalaja buzë rrugës të cilat kanë vënë në rrezik dhe automjetet që kalonin aty të pajisura me autorizim.

Menjëherë në vendin e rrezikuar kanë mbërritur uniformat blu të qytetit të Vlorës ku kanë vendosur sinjalistikën përkatëse në rrugë.

Ora 22:19
Reshjet e dëborës, Meta thirrje qeverisë: Ndihmoni familjet e izoluara! Prokuroria të reagojë ndaj zyrtarëve që braktisin njerëzit

1612814688_ilirmeta.jpeg

Lidhur me situatën e motit të keq në venin tonë ka reaguar kreu i shtetit Ilir Meta. Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ai i bën thirrje qeverisë që të reagojë sa më shpejtë dhe të ndihmojë të gjitha familjet dhe qytetarët e bllokuar nga dëbora.

Gjithashtu një thirrje ka dhe për prokurorinë të nisë hetimet për të gjithë zyrtarët të cilët kanë shpërdoruar detyrën, duke iu referuar kompanive kontraktore të cilët nuk kanë marrë masa për pastrimin e rrugëve.

Postimi i plotë i Presidentit:

TË NDIHMOHEN QYTETARËT DHE FAMILJET E IZOLUARA NGA DËBORA! PROKURORIA TË REAGOJË NDAJ ZYRTARËVE, QË BRAKTISIN NJERËZIT NË NEVOJË! Dëbora, që po bie në të gjithë Shqipërinë, për fat të keq nuk ka gjetur asnjë strukturë operacionale të pushtetit qendror e vendor dhe kompani me detyrime kontraktore në krye të detyrës për të garantuar funksionimin normal të akseve rrugore.

Dhjetëra drejtues mjetesh raportohet nga terreni të jenë të bllokuar në segmente rrugore, si dhe shumë familje janë izoluar në Dibër, Kukës, Has, Tropojë, Malësi e Madhe, Shkodër, Mirditë, Librazhd, Skrapar, Korçë, Devoll, Ersekë, Përmet e Vlorë. Temperaturat po shkojnë drejt uljes ekstreme dhe vështirësitë po shtohen, ndërkohë Qendra Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Sallat e Policisë nuk po ju përgjigjen telefonatave të qytetarëve në nevojë.

Strukturat qeveritare përgjegjëse për Mbrojtjen Civile jo vetëm nuk njoftojnë publikun për alarmin e dhënë nga Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, por nuk angazhojnë asnjë strukturë operacionale për ndihmë në zonat e bllokuara. Disa ditë më parë IGJEUM, ashtu si edhe gjatë gjithë periudhës janar-shkurt ka dhënë alarmin, për përkeqësim të motit me reshje intensive shiu dhe dëbore me stuhi, në të gjithë territorin, në datat 12-13 shkurt, duke shkaktuar përmbytje në zonat e Ultësirës Perëndimore e konkretisht në rajonin e NënShkodrës, por dhe bllokime të segmenteve rrugore nga dëbora, si dhe izolime të rajoneve të ndryshme në veri, verilindje dhe juglindje të Shqipërisë.

Nga strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Infrastrukturës e Energjisë dhe Ministrinë e Bujqësisë nuk po komunikohet me strukturat vendore për të vlerësuar paralajmërimet e IGJEUM, për përmbushjen e detyrimeve ligjore në ndihmë të popullatës në nevojë dhe drejtuesve të automjeteve dhe familjeve të bllokuara. Është përgjegjësi e strukturave shtetërore për informimin në kohë dhe menaxhimin e situatave problematike për shkak të motit.

Bllokimi i rrugëve nga dëbora dhe mos reagimi i strukturave qendrore e vendore, si dhe i kompanive private me detyrime kontraktore, duhet të zgjojë Prokuroritë e Rretheve për të proceduar penalisht përgjegjësit e braktisjes së qytetarëve në mëshirë të fatit. Është e patolerueshme dhe e dënueshme, që me dhjetëra familje me të moshuar e fëmijë, të kalojnë natën në makina të bllokuara nga dëbora, vetëm se strukturat qeveritare e vendore nuk kanë marrë asnjë masë. Ju bëj thirrje të gjithë zyrtarëve përgjegjës, të cilët kanë detyrime për Mbrojtjen Civile, të angazhohen maksimalisht për përmbushjen e detyrës shtetërore duke ju shkuar në ndihmë të gjithë qytetarëve në nevojë.

Ora 21:48
Situata me dëborën/ Policia njoftim zyrtar: Akset e kalueshme dhe të pakalueshme! Nuk do lejohen makinat pa zinxhirë

1613249348_deborepolicia.jpg

Policia ka njoftuar mbi situatën e reshjeve të dëborës në vendin tonë. Përmes një njoftimi zyrtar, policia bën me dije situatën në akset e ndryshme nacionale në vend.

Pas disa orësh punime nga kompania kontraktore, është bërë e mundur hapja e aksit Elbasan-Librazhd.

Situata aktuale:

1. Aksi rrugor Milot - Lezhë - Shkodër vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të erës së fortë që po fryn dhe të një kamioni me targa të Malit të Zi që është spostuar për shkak të akullit dhe erës së fortë.Po punohet per kthimin e mjeteve në akse alternative dhe dhënien e ndihmës drejtuesve të mjeteve.
2. Aksi rrugor Milot - Kukës - Morinë është i kalueshëm, por me prezencë të shtresave të akullit, për shkak të temperaturave mjaft të ulëta (poshtë -12 gradë).
Nga koncensionari vazhdon shpërndarja e kripës dhe pastrimi i karrexhatës prej dëborës dhe akullit.
3. Aksi rrugor Elbasan - Librazhd është i kalueshëm me zinxhirë. Aksi Elbasan - Pogradec është i kalueshëm dhe i hapur vetëm për mjete autovetura me zinxhirë dhe me goma dimërore;
4. Aksi rrugor Korçë - Pogradec është i kalueshëm me zinxhirë.
5. Aksi rrugor Korçë - Devoll dhe Korçë- Ersekë të kalueshëm vetëm me zinxhirë.Në këto segmentet ka stuhi dëbore dhe temperatura mjaft të ulëta.Është pezulluar kalimi i mjeteve kamionë dhe autobuzë.
6. Akset rrugore të qarkut Vlore dhe Fier janë të kalueshme pa probleme;
7. Aksi rrugor Burrel - Bulqizë - Dibër është i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë vetëm për mjetet autovetura.
8. Aksi rrugor Peshkopi - Kukës është me prezencë  të madhe dëbore dhe i kalueshëm vetëm me zinxhirë.
9. Akset rrugore Shkodër-Hani i Hotit dhe Shkodër-Muriqan janë të hapura dhe të kalueshme.
10. Aksi rrugor Vau i Dejës - Pukë është i hapur.
11. Akset rrugore të Qarkut Gjirokaster të kalueshme pa probleme.
Mjetet pa zinxhirë nuk do të lejohen nga Policia Rrugore që të kalojnë në akset me akull dhe me deborë.

Ora 21:12
‘Moti është çmendur’, Braçe apel qytetarëve: Kush nuk e ka të nevojshme qarkullimin me makinë, të rrijë në shtëpi

1613247235_lezhe.jpg

Lidhur me situatën e motit të keq në vendin tonë, ka reaguar dhe zv.kryeministri Erion Braçe.

Përmes një postimi në rrjete sociale, ai i bën thirrje qytetarëve të cilët nuk e kanë të nevojshëm qarkullimin me makinë të qëndrojnë në shtëpi

Postimi i plotë i Erion Braçes:

Moti eshte cmendur; Jo vetem rreshje te dendura debore por edhe erera me shpejtesi te madhe te formes se stuhise se bores! Cdo qytetari qe e ka te panevojshme qarkullimin me makine, i lutemi te qendroje ne shtepi bashke me mjetin e tij!

Ora 20:52
Bora dhe ngrica ‘bllokojnë’ superstradën Lezhë-Milot! Nën hetim kompanitë e pastrimit të rrugëve, nuk morën masa

1613245963_lezhemilotdebora.jpg

Superstrada Lezhë-Milot është bllokuar plotësisht si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, ngricës në rrugë dhe rrëshqitjeve të automjeteve.

Për pasojë është rënduar trafiku edhe prej lëvizjes së makinave me shpejtësi të ulët. Ndërkohë, policia Lezhë ka nisur procedimin ndaj kompanive mirëmbajtëse të rrugëve.

Procedimi vjen për shkak të neglizhencës së këtyre kompanive në menaxhimin e situatës. Kompanitë e kontraktuara nuk janë kujdesur që rrugët të mos bllokohen nga bora.

Po ashtu, policia po u bën apel qytetarëve që të zgjedhin rrugën e vjetër Lezhë-Milot në mënyrë qe të shmangin trafikun. Ndërkohë edhe në superstradën në drejtim të Shkodrës lëvizja është mjaft e vështirë.

Asnjë nga firmat, duke përjashtuar firmen mirëmbajtëse të aksit të vjetër Lezhë-Pllanë, nuk morën masa për të shmangur këtë situatë të krijuar.

Për shkak të situates së krijuar me bllokimin e rrugëve si pasojë e dëborës, drejtoria vendore e policisë Lezhë do të procedojë të gjitha firmat mirëmbajtëse të rrugëve që nuk ndërhyn në kohë për të mbajtur akset e kalueshme.

Ora 20:36
Ngrica në rrugë dhe dëborë, bllokohet aksi Elbasan-Librazhd!

1613245005_elbasanlibrazhd.jpg
Vijojnë ende reshjet e shiut në zonën e Elbasanit.

Si pasojë është bllokuar aksi Elbasan-Librazhd. Në këtë aks disa automjete kanë humbur kontrollin duke dalë nga rruga.

Kjo ka shkaktuar trafik  automjetesh dhe rruga është bllokuar.

Ora 19:39
Dëbora në Durrës, ngrica në rrugë!

 

Dëbora ka zbardhur dhe qytetin e Durrësit.

Ora 19:38
Dëbora në Korçë, akset që duhet të bëni kujdes

1613241572_korce.jpg

Reshjet e dëborës vijojnë të bien prej mëngjesit Sipas të dhënave të gjithë akset nacionale janë të hapur por qarkullimi bëhet vetëm me zinxhirë.

Qafëthanë-Pogradec-Plloçë me zinxhirë
Qafë Plloçë-Korçë me zinxhirë.
Korçë-Kapshticë me zinxhirë
Korçë-Dardhë me zinxhirë
Korçë-Voskopojë me zinxhirë
Korçë-Dogana Goricë me zinxhirë
Korçë-Qafë Qarr-Ersekë me zinxhirë

Në Voskopojë e Dardhë dëbora kalon 40 cm, në njësinë Vithkuq fshati Shtyllë 70 cm në Mashkullorë drejt Panaritit 1.5 m dëborë qarkullimi në këtë aks i paralizuar.

Në Mokër dëbora ka kaluar 50 cm fshatrat konunikojnë me njësitë vetëm me mjete të larta dhe zinxhirë.

Sipas të dhënave mjetet dhe firmat kontraktore janë në punë por për shkak temperaturave dhe borës që bie ka shumë pak efekt edhe kripa.

Ora 19:22
Dëbora izolon 11 fshatra në Elbasan, probleme me energjinë në disa zona

 

Reshjet intensive të dëborës dhe era e fortë ka detyruar mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile në qytetin e Elbasanit.

Gjatë kësaj mbledhje ku ishin prezentë kryebashkiaku Gledian Llatja si dhe përfaqësues nga policia, autoriteti rrugor e OSHEE u diskutua mbi problematikat që janë shfaqur në të gjithë qarkun e Elbasanit.

Prezencë dëbore në akset kryesore dhe rurale, edhe pse firmat janë në punë, është e pamundur zhbllokimi i zonave rurale.

11 fshatra janë të bllokuar si pasojë e dëborës ku qarkullimi është thuajse i pamundur. Fshatrat e izoluar janë Qerreti, Lukraxhiu 80 cm borë Njs. Ad. Shushicë, Graçen, Mamel, Tërbaç.

Aktualisht janë 4 grupe me ekskavatorë në terren. Ka nisur hedhja e kripëa në rrugët e qytetit, por edhe nënkotraktorër që menaxhojnë koridorin 8 kanë marrë masa.

Si pasojë e reshjeve ka pasur aksidente të vogla në qytet.

Ora 19:03
Reshjet e dëborës, Balluku: Ndalohet qarkullimi i mjeteve të rënda në akset kombëtare, nga sot deri të hënën në 08:00

 

Duke folur nga zona e Urës së Milotit, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi se nga ora 20:00 e kësaj të shtune, deri në orën 08:00 të së hënës do të bllokohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë në akset kombëtare.

Sipas saj, përkeqësimi i kushteve atmosferike, dhe reshjet e dëborës me intensitet të lartë, vështirësijnë qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë pasi këto të fundit krijojnë probleme dhe pengojnë punën e borëpastrueseve.

”Ndodhem në aksin nga nyja e Milotit në drejti të Shkodrës, në këto momente jemi në situatën enjë moti ekstrem jo vetëm për shkak të reshjeve ët dëborës, por edhe për shkak të erës e cila është e një shpejtësie mjaft të lartë. Ju bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve të evitojnë qarkullimet në akset rrugore si ato kombëtare dhe ato që lidhin pjesët e qyteteve apo të fshatrave.
Situate është ekstreme, pavarësisht kësaj të gjitha borëpastruset, të gjitha kompanitë që kryejnë mirëmbajtjen në të gjithë territorin e Shqipërisë janë në krye të detyrës. Të gjitha ato zona që kemi deklaruar se duhet të përdoren zinxhirët, nuk lejohet nga policia rrugore kalimi pa zinxhirë në automjete. Ndërkohë duke nisur sot nga ora 8 e darkës do të ndalohet qarkullimi i automjeteve të rënda të cilat krijojnë probleme dhe bllokojnë borëpastruset, e kemi has këtë në aksin e Librazhdit në drejtim të Qafë Thanës. Deri të hënën në mëngjes në orën 08;00 të gjitha automjetet e tonazhit të rëndë nuk do lejohet të qarkullojnë në akset kombëtare.”-tha Balluku.

Ora 18:52
Rritet intensiteti i reshjeve të dëborës në Kukës, vështirësohet qarkullimi i mjeteve

 

Në qytetin e Kukësit në mbrëmje reshjet e borës kanë shtuar intesitetitin duke krijuar shtresë reth 5 cm. 

Stuhi të fuqishme dëbore dhe temperatura të ulëta kanë “pushtuar” qytetin.

Bora ka mbuluar rrugët kryesore dhe dytësore të qytetit duke vështirëuar qarkullimin e mjeteve.

Probleme  ka edhe ne trotuare ku pjesa me e madhe e tyre janë të mbuluara nga bora që krijon vështirësi për lëvizjen e këmbësorëve. 

Ora 17:53
Dëbora në zonën e nën Shkodrës, drejtuesi politik i PD-së: Qeveria duhet të kthejë sytë nga ne

1613235340_shkoder.jpg

Për situatën e krijuar nga reshjet e shiut dhe të dëborës, ka reaguar drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Shkodrës.

Përmes një postimi në Facebook, ai i bën apel qeverisë që të kthejë sytë nga zona e nënShkodrës e cila, përveç reshjeve të shiut, tashmë duhet të përballet dhe me dëborës dhe të ftohtin.

Postimi në Facebook:

Pse heshtni z. Kryeministër?! Duke mos mjaftuar fakti që zona e Nënshkodrës ka 38 ditë që zgjohet dhe fle në ujë, situatën ditën e sotme e ka rënduar më shumë edhe fillimi i reshjeve të dëborës. Çfare duhet të ndodhë më tepër që të ktheni sytë dhe vëmendjen tuaj nga Nënshkodra?! Ju rikujtoj se Shkodra vazhdon të jetë pjesë e Republikës së Shqipërisë, e si rredhojë nën përgjegjësinë tuaj totale.

 

Ora 17:30
Reshjet e dëborës përfshijnë Tiranën

 

Reshjet e dëborës, pas qyteteve të tjera, kanë përfshirë dhe Tiranën.

Por në krahasim me rrethet, reshjet në kryeqytet kanë qenë me intensitet më të ulët.

Gjithashtu ka pasur dhe reshje shiu të cilat kanë shoqëruar dëborën.

Ora 17:07
Dëbora mbulon Elbasanin, hidhet kripë në rrugët e qytetit

1613232563_deboreelbasan.jpg

Dëbora ka mbuluar qytetin e Elbasanit duke vështirësuar kështu qarkullimin e automjeteve dhe të qytetarëve.

Autoritetet rrugore hedhin kripë në rrugë në mënyrë që automjetet të qarkullojnë pa problem dhe të mos shkaktohen aksidente.

Ora 16:38
Policia thirrje drejtuesve të mjeteve: Shmangni lëvizjet e panevojshme dhe tregoni kujdes maksimal në këto akse

1613211305_FFAA.JPG

Policia e Shtetit ju ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve të kenë kujdes në disa akse rrugore të cilat paraqesin rrezikshmëri për shkak të motit të keq me reshje shiu e dëbore.

Policia u bënë thirrje drejtuesve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të përdorin zinxhirët e gomave në akset rrugore me dëborë dhe ngrica.

'Nisur nga moti i keq me reshje shiu pothuaj në të gjithë akset rrugore të vendit dhe reshjet e borës në zonat malore, Policia Rrugore tërheq vëmendjen e të gjithë drejtuesve të mjeteve, sidomos atyre që qarkullojnë në zonën e Dajtit, në Fushë Labinot, në Qafë Plloç, në Pogradec, Korçë, Dibër, Kukës, Lezhë, Llogara e Qafë Muzinë, për kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjeteve.

Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin ndodhen në shërbim 24 orë, në të gjitha akset rrugore kryesore, për të drejtuar qarkullimin rrugor, me qëllim parandalimin e çdo aksidenti sado i vogël të jetë ai, si dhe për t’i ardhur në ndihmë çdo drejtuesi mjeti që mund të ketë probleme.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës që të shmangin lëvizjet e panevojshme në rrugë, të tregojnë kujdes maksimal dhe të përdorin zinxhirët e gomave për automjetet, sidomos në akset rrugore me deborë dhe me ngrica.

Shërbimet e përforcuara të Policisë Rrugore po monitorojnë trafikun edhe në qendrat e banuara, ku prezenca e ujit ka sjellë ngadalësim të trafikut dhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit.

E gjithë situata po monitorohet në bashkëpunim me shërbimet e tjera të Policisë së Shtetit dhe me Emergjencat Civile, për të evituar ngjarjet rrugore dhe për të siguruar qarkullimin normal të mjeteve dhe të mallrave.

#Për_çdo_problem_kontaktoni_në_nr_falas_të_Policisë_së_Shtetit_112 !'- njofton policia.

Ora 16:27
Rruga e Kombit mbahet e hapur, vështirësi qarkullimi në Tunelin e Kalimashit! Mjetet borëpastruese në terren

Mot i acartë ka përfshirë qarkun e Kukësit. Si pasojë e reshjeve të borës, ka pasur vështirësi në qarkullimin e mjeteve për shkak të ngricave.

Po ashtu vështirësi në lëvizje ka pasur edhe në rrugën e Kombit, sidomos në segmentin Kolsh, por rruga mbetet e hapur.

Sakaq në tunelin e Kalimashit ka pasur prezencë të akullt. Kompania koncesionare në rrugë ka nxjerrë dhjetëra borë-pastruese për largimin e borës dhe hedhjen e kripës.

Me uljen e temperaturave dhe reshjeve të borës AHC iu bën apel drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit të tyre në rrugën e Kombit, të respektojnë sinjalistikën, të ulin shpejtësinë ,të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirët.

Ora 15:49
Moti i keq në Korçë, akset që janë të kalueshme! Rrugët që duhet të evitoni

1613227792_rrugedeborekorce.jpg

Autoritetet rrugore të Korçës kanë njoftuar mbi akset të cilat janë të kalueshme ose për shkak të motit të keq.

Përmes një njoftimi zyrtar, aksi rrugor Qafë Thanë-Pogradec-Korçë-Bilisht dhe Korçë-Maliq-Lozhan, është i kalueshëm pa zinxhirë.

Akset rrugore Boboshticë-Dardhë, Voskop-Voskopojë, Zvezdë-Pustec, Korçë-Vithkuq dhe Qafë Qarr-Ersekë-Leskovik, janë të qarkullueshme me zinxhirë.

Ndërsa rruga që lidh fshatrat Vithkuq-Shtyllë-Panarit, aktualisht është e pakalueshme.

 

Ora 15:44
Reshjet e dëborës/ Nuk mori masa për mirëmbajtjen e aksit Balldren-Lezhë-Milot, nën hetim kompania

1613227540_deborerrugelezhe.jpg

Dëbora vijon të shkaktojë probleme në akset kryesore nacionale në vendin tonë.

Policia njofton, se një prej firmave kontraktuese për mirëmbajtjen e aksit Balldre-Lezhë-Milot është vendosur nën hetim për shpërdorim detyre.

Sipas autoriteteve të Qarkullimit Rrugor, kjo kompani nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me mirëmbajtjen e aksit.

Efektivët e policisë ndodhen në terren për monitorimin e situatës teksa u bëhet thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes në qarkullimin me automjete.

Ora 13:02
‘Deti i bardhë’, bregdeti i Shëngjini zbardhet nga dëbora

Shndërrohet në ‘detin e bardhë’, bregdeti i Shëngjinit i cili është mbuluar nga dëbora e dendur që ka pushtuar disa zona të Shqipërisë.

Pamjet që të fal dëbora mikluese ndaj bregdetit është një pamje piktoreske Van Gogh-niane.

 

Ora 12:41
Dëbora ‘vesh’ Parkun Kombëtar të QafëShtamës në Krujë

Parku Kombëtar i QafëShtamës në Krujë është veshur nga dëbora e cila tashmë ka arritur trashësinë mbi 10 cm.

Fushë-Kruja është përfshirë nga reshjet e dendura të dëborës, të cilat kanë bërë të pa kalueshme rrugët dhe ende nuk është ndërmarrë ndonjë aksion për pastrimin apo kriposjes së tyre.

Në qytetin e Krujës aktualisht nuk ka reshje dëbore.

 

 

Ora 11:51
5370 hektarë tokë nën ‘pushtetin’ e ujit në Shkodër, dhjetra banesa të përmbytura

Situata e përmbytjeve në qytetin e Shkodrës vijon të jetë problematike.

Për shkak të reshjeve me intensitet të lartë, 5370 hektarë tokë janë nën ujë dhe kanë shndërruar Shkodrën në “Venezia”.

Rruga e Obotit është bllokuar pasi niveli i ujit mbi rrugë arrin rreth 150 cm, ndërkohë në një situatë të ngjashme gjendet edhe fshati i Obotit ku nën ujë janë edhe 8  shtëpi.

Në zonën “Këneta e Dajçit”, në të cilën përfshihen shumë fshatra disa prej të cilave janë Mushan, Shirq, Suka-Dajç, Belaj, Rrushkull, situata paraqitet problematike pasi 9 shtëpi janë të përmbytura.

Informacioni i plotë:

Nga monitorimi periodik në terren ditën e sotme datë 13.02.2021,ora 08.30, situata e përmbytjeve në terren vazhdon të jetë si më poshtë:

Hidrometri në Dajç në orën 08.30, shënon kuotën 6.80 m.(Kuota max 6.30 m). Në krahasim me raportimin e ditës së djeshme, kemi rënie të nivelit të ujit me 20cm.

Hidrometri i Liqenit të Shkodrës në orën 08.30, shënon kuotën 9.25 m.(Kuota max 8.70 m).Në krahasim me raportimin e ditës së djeshme, kemi rënie të nivelit të ujit me 10cm.

Hidrometri i lumit Drin në orën 08.30, shënon kuotën 7.15 m. (Kuota max 7.50 m). Në krahasim me raportimin e ditës së djeshme, kemi rënie të nivelit të ujit me 20cm.

Bashkia Shkodër

Sipërfaqe totale e përmbytur 5370 Ha

  1. Tokë e pakultivuar               1100 Ha
  2. Foragjere të dyta, jonxhe  3850 Ha
  3. Grurë                                      240 Ha
  4. Bimë Dekorative 127 Ha
  5. Pemtore 50 Ha
  6. Serra 3 Ha                           

Nj.A. Ana e Malit

Rruga e Obotit është e bllokuar. Niveli i ujit mbi rrugë arrin rreth 150 cm.

Në fshatin Obot ka prezencë uji në oborre 140cm.

Ujësjellësi Oblika 1,si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit.

UKSH Vazhdon të furnizojë me ujë të pishëm banorët e fshatit Oblikë

Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 1300 Ha, kryesisht në fshatrat Obot, Muriqan, Oblikë, Velinaj, Shtuf.

Tokë e pakultivuar 220 Ha

Foragjere të dyta, jonxhe 980 Ha

Grurë 50 Ha

Pemtore 40 Ha

Bimë dekorative 7 Ha

Serra  3 Ha

  1. Shtëpi të përmbytura 8.
  2. Në disa toka bujqësore niveli i ujit arrin në 2 – 3m.
  3. 8. Ujesjellësi Oblika 2 i bllokuar nga uji ( jashte funksioni)..
  4. 9. Rruga Goricë është e pakalueshme me mjete të ulta. Niveli i ujit mbi rrugë arrin rreth 50 cm.
  5. Gjëndja e vështirë në lagjen Gallube, fshati Oblikë ( përmbytur garazhe e stalla bagëtish)
  6. Garazhe e stalla bagëtish të përmbytura në fshatin Muriqan.
  7. Ne fshatin Muriqan ( Lagja Xhakaj e Kyrtaliaj 2 shtepi me prezence uji).
  8. Makina e Ushtrise në gatishmeri tek Lagja Goricë
  9. 14. Varkat e ushtrise F.A reparti BMR Tirane janë në gatishmeri (sipas nevojave) tek ura Sadiçit (fshati Obot).
  10. 15. Fshati Obot ne gjendje te jashtezakonshme rrezikshmerie!

Nj.A Dajç

1.Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 1900 Ha, kryesisht në zonën e quajtur “Këneta e Dajçit” (fshatrat Mushan, Shirq, Suka-Dajç, Belaj, Rrushkull, Samrish i Ri, Darragjat, Pentar-zona fushore), nga të cilat:

Tokë e pakultivuar 380 Ha

Foragjere të dyta, jonxhe 1300 Ha

Grurë 100 Ha

Bimë dekorative 120 Ha

  1. Rruga që lidh fshatrat Shirq- Darrgjat është e bllokuar. Ka prezencë uji rreth 150 cm.
  2. 3. Shtëpi të përmbytura 9
  3. 131 shtëpi kanë prezencë uji në oborre.
  4. Në disa toka bujqësore niveli i ujit arrin në 2 m.
  5. 6. Rruga në lagjen Mazia-fshati Suka Dajç është e pakalueshme me mjete të ulta.
  6. 7. Është e pakalueshme rruga Belaj- Pentar, vetëm me mjete të larta të ushtrisë..
  7. 8. Rruga kryesore e Darragjatit e kalueshme vetëm me mjete të tonazhit të lartë
  8. Në rrugën kryesore të Dajçit është vështirësuar jashtëzakonisht lëvizja me vetura si dhe në aksin nacional Dajç- Velipojë.

10.Kërkohet që të lihet në dispozicion një mjet ushtrie për komunikimin e banorëve me rrugën kryesore.

  1. Makina e Ushtrisë në gatishmëri tek Dispeçeri Mushan.

Nj.A.Velipojë

1.Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 350 Ha.Kryesisht fshatrat Baks i Ri, Luarz. Ças, Reç i Ri.

Tokë e pakultivuar 110 Ha

Foragjere  të dyta, jonxhe 240 Ha

  1. Në 8 shtëpi kanë prezencë uji në oborre.

Nj. A. Guri i Zi

Vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, fshati Ganjollë.

Nj.A.Bërdicë

1.Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 1200 Ha, konkretisht në fshtrat Trush, Berdicë e Siperme, Berdice e Madhe.

Të pakultivuara 230 Ha

Foragjere   të dyta, jonxhe  880 Ha

Grurë 90 Ha

2.Vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, fshati Bërdicë e Sipërme.

  1. 50 Shtëpi janë të rrethuara nga uji ( kryesisht në fshatin Trush).

4.Rruga Malsorët e Mullinit me gjtësi rreth 150 m, ka prezencë uji rreth 50-60 cm.

5.Ka prezencë uji në lagjet Maksuti, Qokthi, Tula, Xhurreta, dhe rruga e Bastanishtes ( e pa kalueshme me mjete të ulëta).

Nj.A.Rrethina

1.Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 620 Ha, në fshatrat Zues (tokat në fushen e Oblikës), Shtoj i Vjeter, Shtoj i Ri dhe Dobraç

Tokë e pakultivuar 160 Ha

Foragjere të dyta, jonxhe 450 Ha

Pemtore 10 Ha

  1. 70 shtëpi kanë prezencë uji në oborre.
  2. 3. Lartësia e ujit në rrugën e hidrovorit është 30 cm

4.Mjeti ushtrisë vazhdon që të jetë në gatishmëri tek hidrovori Dobraç për çdo nevojë eventuale që mund të kenë banoret.

Lagje Nr.1

Vazhdon e përkeqësuar situata nga përmbytjet në zonen e Livadheve. Si pasojë e përmbytjeve, rreth 200 shtëpi kanë prezencë uji në oborre, 5 familje kanë prezencë uji në banesa ( 3 familje zona e livadheve), (2 familje zona e ish Zukthat).

Lagje Nr.4

Vazhdon e përkeqësuar situata nga përmbytjet në lagjen Ajasëm. Si pasojë e përmbytjeve nga rreshjet e shiut, 2 familje kanë prezencë uji në banesa dhe 8 familje kanë prezencë uji në oborre.

-Bashkia Shkodër në kushtet e ndodhura, në referencë të Ligjit Nr.45/2019 “Për Mbrojtjen Civile ”, kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, për Nj.A. Ana e Malit dhe Dajç.

-Kërkohet që nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë të ndërhyet për marrjen e masave për pastrimin e “përroit të kufirit” Muriqan në Nj.A Ana e Malit.

-Situatë emergjente. Kërkohet mbështetje me bazë ushqimore, sasia 640 ton për gjënë e gjallë (koncentrat) për nj.a. Ana e Malit, Dajç dhe rrethina.

Ora 11:29
Korça ‘pushtohet’ nga dëbora/ Në fshati Panarit 200 qytetarë të bllokuar, ende nuk ka ndërhyrje

Pas orës 5 të mëngjesit të sotëm i gjithë qarku i Korçë është 'pushtuar' nga dëbora.

Intensiteti i reshjeve të dëborës është më i lartë në zonat malore ku reshjet janë të shoqëruara edhe me erë të fortë, ndërsa temperaturat janë ulur ndjeshëm.

Në Dardhë dhe në Voskopojë, trashësia e dëborës shkon deri në 10 cm.

Firmat kontraktore ndodhen ne terren duke punuar me mjete borëpastruese dhe kriposje për të mbajtur rrugët të hapura.

Qarkullimi rekomandohet me zinxhirë ne ato akse ku trashësia e bores është më e madhe dhe në disa vende ka dhe shtresa akulli si Qafa e Qarrit që lidh qytetin e Korçës me Ersekën, rruga Voskop-Voskopoje si dhe rruga që të çon drejt fshatit turistik te Dardhës.

Ndërkohë prej më shumë se një muaji vijojnë të jenë të bllokuar nga bora 200 banore në fshatin Panarit ku deri më tani nuk është ndërhyrë për hapjen e rrugës. Reshjet që përfshinë juglindjen mëngjesin e kësaj të shtune duket se do të vështirësojnë edhe më tepër situatën për 40 familje ne fshatin Panarit.

Ora 11:14
Temperatura të ulëta dhe erë e fortë, dëbora zbardh disa zona të Lezhës

Temperaturat e ulëta në qytetin e Lezhës janë shoqëruar me reshje dëbore dhe erë të fortë.

Dëbora me imtësi mesatare ka nisur orët e para të mëngjesit të sotëm duke zbardhur disa zona të qytetit, por fatmirësisht pa krijuar probleme.

Pavarësisht temperaturave të ulëta nuk munguan qytetaret të cilët dolën nga banesat e tyre dhe e shfrytëzuan këtë monument për të bërë foto.

Deri tani nuk raportohet të jenë krijuar probleme nga reshjet e dëborës dhe situata po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm.

Vëmendja më e madhe është përqendruar në akset rrugore në zonën e Mirditës, pasi intensiteti i reshjeve është më i lartë dhe mund të krijohen probleme në lëvizjen e automjeteve.

Firmat kontraktore të rrugëve janë vënë në gatishmëri për ta mbajtur të hapura segmentet rrugore që përshkojnë qarkun e Lezhës. Referuar të dhënave sinoptike moti i ftohtë me temperatura nën zero do të vijojë për disa ditë, ndaj kërkohet që përdoruesit e rrugëve të bëjnë kujdes, referuar faktit se nuk do të mungojnë ngricat çka mund të bëhen burim për aksidente,

Ora 11:13
Borë dhe shi, ARRSH njoftim për gjendjen e akseve kombëtare: Përdorni goma dimërore e zinxhir

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) u rekomandon drejtuesve të mjeteve që të përdorin zinxhir për shkak të borës dhe ngricave në disa akse kryesore. Të gjithë duhet të pajisen edhe me goma dimërore.

“Gjatë natës kanë filluar reshjet e borës në Qarkun e Kukësi, në Qarkun e Dibrës, në Qarkun e Korçës, në Qafë Mali-Fierzë, në akset e Sarisalltikut dhe Steblevës, shoqëruar me temperatura të ulëta. Kontraktorët kanë bërë shpërnadrjen e kripës dhe pastrimin e të gjitha akseve. Në akset Korçë-Qafë Qarri, Korçë-Dardhë, Voskop-Voskopojë rekomandohet përdorimi i zinxhirëve. Vazhdon puna me mjete borë pastruese. Drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm, sidomos gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit për shkak të ngricave, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë”, shkruan ARRSH.

Ora 10:22
Bien temperaturat nën 0 në Bulqizë dhe Kukës, video-t mahnitëse të erës së fortë nuk duhen humbur

Nën erën e fortë dhe temperatura e ulëta është zgjuar ditën e sotme i Bulqiza dhe Kukësi!

Video-t e mahnitëse të erës e cila ledhaton asfaltin janë si një pikturë e lëvizshme për syrin njerëzor.

Termometri ka shënuar nën 0 dhe kjo ka bërë që qytetarët të qëndrojnë brenda në një ditë kaq të ftohte shkurti, megjithatë nuk janë paraqitur probleme lidhur me lëvizjes e tyre dhe të automjeteve.

 

J.GJ./E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Goni: 14/02/2021 01:35

    Me ne fund erdha ne fund te lajmit... Pas 40 minutash qe lexova te gjithe "lajmin" me iku fare deshira per tju komentuar e per tju thene qe jeni vk e nuk vleni asnje lek.

    Përgjigju
  • Scutari: 13/02/2021 21:19

    Shtet i kapitulluar totalisht ne te gjithe drejtimet nga 5cm bore!! Turperohuni ju politikane!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurti: Lirohen katër nga pesë policët e ndaluar në Serbi

Kurti: Lirohen katër nga pesë policët e ndaluar në Serbi