‘Faturimi i bizneseve’, Tabaku: Baxhanaku i Ramës, pjesë e skemës mafioze, kompania e tij u fut fiktivisht në garë (Dokumentet)

TIRANË- Partia Demokratike vazhdon me akuzat drejtuar qeverisë Rama për tenderin e faturimit të bizneseve, ose sistemin e ri të monitorimit online të bizneseve. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, pasi akuzoi ditën e djeshme se ky tender ishte manipulativ dhe i korruptuar, ditën e sotme, ka dalë sërish në një konferencë për mediat, ku akuzon baxhanakun e kryeministrit Edi Rama, Armando Frangun të përfshirë në këtë skemë, që PD e cilëson mafioze.

Tabaku ka publikuar ekstraktin e QKR, të kompanisë së Armando Frangut, si edhe njoftimin e AKSHI-t ku thuhet se kompania  e Frangut, B360 është pjesëmarrëse në këtë tender.

Ekstrakti i QKR-së, ku shihet se Armand Frangu është administratori i kompanisë B360

 

Njoftimi i AKSHI-t për tenderin e faturimit të bizneseve

 

Njoftimi i AKSHI-t për tenderin e faturimit të bizneseve, ku shihet se pjesëmarrëse në garë është edhe kompania B360 e Armand Frangut, dhe oferta për këtë tender është zero lekë.

Deklarata e Jorida Tabakut:

Tenderi që i jep një kompanie kroate monopolin e kontrollit online të faturës tatimore për çdo shitje nga biznesi është një nga tenderat haptazi korruptiv të qeverisë Rama.  Partia Demokratike denoncoi 5 javë më parë se kriteret e vendosura ishin përcaktuar për të nxjerrë fituese kompaninë kroate. 

Por nuk janë vetëm kriteret e paracaktuara të tenderit që e bëjnë atë korruptiv pasi faktet provojnë manipulimin e kësaj gare.  Dokumentat e bërë publik që unë po prezantoj sot këtu tregojnë se në tenderin  fasadë prej 15 milionë euro kanë marrë pjesë 3 garues. Dy prej tyre kanë qenë aty në garë për të legjitimuar  skemën korruptive. Bashkëpunëtor në këtë skemë është edhe Armando Frangu, baxhanaku i kryeministrit Edi Rama. Përmes kompanisë së tij B360, ai nuk ka dhënë asnjë ofertë, në garën fallco për të legjitimuar fitoren e kompanisë kroate të tenderit korruptiv prej 15 milionë dollarësh. 

Partia Demokratike ka denoncuar edhe më herët se është kjo kompania e baxhanakut të Edi Ramës që merr pjesë si garuese farsë për të mbuluar tenderat e dhënë nga qeveria ish ortakut të tij. Jo pak, por 15.6 milionë euro tendera i ka dhënë qeveria e Edi Ramës baxhanakut të Edi Ramës nëpërmjet ortakut të baxhanakut. Fiktiviteti në garë me ofertues farsë dhe me baxhanakun e Edi Ramës që përdoret për fasadë nga kroatët e Edi Ramës e provoi të drejtë denoncimin e 5 javëve më parë të Partisë Demokratike. Partia Demokratike siguron opinionin publik që do t’i shkojë në fund kësaj afere korruptive, duke zbuluar skemën mafioze sesi kompania kroate u bë fituese e tenderit që do t’i kushtojë çdo biznesi 600 deri në 1000 euro.

Beteja jonë është kundër monopolizimit të ekonomisë dhe kundër mafias që ka zënë rrënjë në një pushtet të korruptuar.Partia Demokratike i siguron shqiptarët se me paketën antimafia, askush nuk do të gëzojë asgjë të fituar nëpërmjet korrupsionit dhe lidhjeve me pushtetin. Me paketën antimafia, çdo tender si ky i sotmi, çdo koncesion, leje apo liçensë korruptive do të anullohet, pasuritë do të sekuestrohen dhe parat do t’u kthehen atje ku e kanë vendin: në shërbim të qytetarëve - për arsim më të mirë, për spitale më të mira, për rrugë më të mira për vende punë më shumë.  

Ditën e djeshme, për këtë tender reagoi edhe kryedemokrati Lulzim Basha, i cili në një bashkëbisedim me gazetarët tha se i lidhur ishte edhe vëllai i Ramës, Olsi Rama, bashkë me një zyrtare të huaj që ka shërbyer në Shqipëri.

Akuzat e demokratëve për tenderin për faturimin e bizneseve lidhen me sistemin e ri online që pritet të kontrollojë së shpejti faturimin e biznesit. Qeveria socialiste dhe ministri i Financave, javë më parë kanë sqaruar se ky sistem i ri nuk do të ketë asnjë kosto shtesë për biznesin. Sipas Ahmetajt, ky sistem i ri i monitorimit të bizneseve do të ulë kostot, pasi sipas këtij sistemi, kasat fiskale nuk do jetë kusht për bizneset, dhe dalin nga funksioni. Por për demokratët, tenderi i dhënë për kompaninë kroate është i paracaktuar dhe korruptiv.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Meta jep porositë e fundit para Konventës: Të gjithë si Tedi Blushi! Ashtu bëhet opozitë

Meta jep porositë e fundit para Konventës: Të gjithë si Tedi Blushi! Ashtu bëhet opozitë