Tërmet në gjykatë/ Apeli rihap dosjen 'Grori', projektohet lirimi i vrasësit të Naim Zyberit

Kur janë mbushur 18 vite nga arrestimi dhe dënimi me burgim të përjetshëm të Arben Grorit, vrasësit të Naim Zyberit në Itali, gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur të rihapë çështjen e tij, duke i dhënë të drejtë për rishikimin e vendimit dhe gjykimin e Grorit në fazën fillestare, në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Ky vendim që ka shkaktuar tërmet në gjykatë dhe ministrinë e Drejtësisë, është marrë në 20 maj 2019 nga gjyqtarët Alaudin Malaj dhe Fatmira Hajdari, të cilët kanë qënë pro kërkesës së Grorit për rishikimin e vendimit të dënimit të tij me burg përjetë.

Vendimi që ka ngjallur shpresat e Grorit për liri, vjen katër muaj pasi shoku i tij Gert Gjinarari në 14 shkurt 2019 është liruar me kusht nga gjykata e Korçës. Vendimi në fjalë projekton praktikisht lirimin e Arben Grorit, i cili është vëllai i të ndjerit Artur Grori, pronarit të kompleksit “Artur” në Mullet të Tiranës. “Shqiptarja.com” mëson se vendimi është marë në dhomë këshillimi në 20 maj, ku trupa gjykuese e gjykatës së Apelit është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e të dënuarit Arben Grori, i cili kërkonte rishikimin e vendimit penal të formës së prerë me nr. 413 të datës 20 maj 2003 të marë nga gjykata e Tiranës, vendim në të cilin Grori është dënuar me burg përjetë për vrasjen e Naim Zyberit. Kërkesa e Grorit është pranuar për rishikimin e vendimit dhe pritet që shumë shpejt çështja ndaj tij të hapet për gjykim në themel, në gjykatën e Tiranës. Tashmë Grori do gjykohet me një tjetër trupë gjykuese, ndërkohë që nga të dhënat që disponon “Shqiptarja.com” ai që në fillim të procesit gjyqësor do kërkojë gjykim të shkurtuar, duke synuar dënimin me 25 vite burg.

Nëse në muajt në vazhdim gjykata e Tiranës vendos të njohë vendimin Italian dhe ta dënojë Grorin, me 25 vite burgim, atëherë ky i fundit do të lirohet pasi pjesën më të madhe të dënimit e ka kryer tashmë, për shkak se Grori mbahet i izoluar prej 30 prillit 2001. Më 30 prill 2001, Arben Grori u ndalua në Shqipëri mbi bazën e fletë-arrestit të lëshuar më 16 shkurt 2001 nga gjyqtari hetues i Gjykatës së Apelit të Milanos. Akuza lidhej me përfshirjen e ankuesit në një organizatë kriminale the me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike, për të cilën është dënuar me 15 vite burgim. Por teksa Grori, ndodhej në qeli nga Italia në Shqipëri vjen një vendim tjetër, pasi gjykata e Pestë Penale e Milanos në Republikën e Italisë me vendimin e datës 21 dhjetor 1999 ka vendosur deklarimin fajtor dhe dënimin me burgim të përjetshëm të shtetasit shqiptar Arben Grori, pasi ai së bashku me shokun e tij Gert Gjenerari kanë vrarë me armë zjari Naim Zyberin. Duke qënë se Arben Grori është gjykuar e dënuar në mungesë dhe sipas të dhënave që kishin autoritetet italiane, ai ndodhej në territorin Shqiptar,është kërkuar njohja e vendimit penal të mësipërm nga autoritetet gjyqësore shqiptare. Në 20 maj 2003 gjykata e Tiranës ka bërë njohjen e vendimit Italian, duke dënuar Grorin me burgim të përjetshëm për vrasjen e Zyberit.

Arben Grori asnjëherë nuk e pranoi vrasjen e Zyberit, por pavarësisht kësaj ndodhet pas hekurave të burgjeve të sigurisë së lartë në vend prej më shumë se 18 vitesh. Vendimi është kundërshtuar pa fund nga Grori, i cili nuk ka rreshtur së kërkuari në gjykatë rishqyrtimin e vendimit penal që e dënonte me burgim të përjetshëm. Arben Grori i është drejtuar gjykatës së Tiranës me kërkesën për rishikimin e vendimit të formës së prerë me nr.413 të datës 20 maj 2003 të gjykatës së Tiranës. Por kërkesa e këtij të dënuari rezulton se në datën 22 shkurt 2018 është refuzuar nga gjyqtarja e Tiranës, Vjollca Spahiu. Ndërkohë fill pas këtij momenti nëpërmjet avokatëve mbrojtës, Grori ka bërë apelimin e këtij vendimi duke kërkuar të njëjtën gjë si në shkallën e parë, rishikimin të vendimit gjyqësor të 20 majit 2003, ku ai është dënuar me burgim të përjetshëm. Në 20 maj 2019 dyshja e gjyqtarëve Fatmira Hajdari dhe Alaudin Malaj, ka prishur vendimin e gjyqtares Vjollca Spahiu dhe ka pranuar kërkesë padinë e Grorit, duke vendosur që Grori të rigjykohet sërisht në gjykatën e Tiranë por me një tjetër trupë gjykuese. Rigjykimi i Grorit ka të bëjë për dënimin në Itali që bën fjalë për vrasjen e Naim Zyberit.

VRASJA E NAIM ZYBERIT

Sipas dosjes hetimore, përplasjet mes Grorit dhe Naim Zyberit erdhën në fillim të viteve 90-të në Tiranë, dhe më tej përfunduan me përleshje të armatosura dhe viktima deri në vendin fqinj, Itali. Në fillim të viteve ’90, Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë gjatë atyre viteve, Gaz Muça dhe Artur Grorit. Zyberi u ekzekutua më 6 gusht të vitit 1997 nga tre persona, dy prej të cilëve Arben Grori dhe Gerd Gjenerali. Zyberi në vitet e para të ’90-s kishte arritur të mblidhte rreth vetes një grup djemsh, të cilët, sipas mënyrës që kishin vetëpërcaktuar, bënin ligjin në lagjet e kryeqytetit. Ai u cilësua si një nga atentatorët e Gaz Muçës, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin, i cili nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte nga burgu, por edhe t’i shpëtonte deri në vitin 2010 hakmarrjes së djemve të “Rrugës Bardhyl”. Pas hapjes së burgjeve në ’97-n, Naim Zyberi si shumë të tjerë arritën të largoheshin nga qelitë duke rifituar lirinë. Por Zyberi nuk do t’i shpëtonte dot hakmarrjes për vrasjet e Artur Grorit dhe të Gaz Muçës. Ai u ndoq deri në Itali nga vëllai i Grorit, Arbeni dhe atentati i parë iu bë në një bar në Torino, vend ku Naim Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe për këtë arsye, iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë. Madje, për mjekim më të specializuar u dërgua në spitalin e Milanos. Fakti që Zyberi mbeti gjallë nuk bëri që autorët të dorëzohen. Sipas vendimit, më datë 6 gusht Gerd Gjenerali, që mbante një tufë me lule në dorë, brenda të cilës kishte fshehur pistoletën dhe Arben Grori, bashkë me një person tjetër, futen në dhomën e spitalit ku ndodhej Zyberi dhe e qëllojnë aty për vdekje.

Dënimi itali

Arben Grori,është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1999 nga Gjykata e Pestë Penale e Milanos në itali,vendim që u njoh dhe u la në fuqi më pas dhe nga Gjykata e apelit, po në Milano.

Rigjykim në themel

Kërkesa e Grorit është pranuar për rishikimin e vendimit dhe pritet që shumë shpejt çështja ndaj tij të hapet për gjykim në themel, në gjykatën e Tiranës.

Gert Gjinarari dhe Naim Zyberi

Vendimi në gjykatën e Korçës/ Për “Shën Valentin” ulirua i dënuari tjetër për vrasjen e Naim Zyberit

Në 14 shkurt 2019 është liruar nga qelia e burgut në Drenovë të Korçës, i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e të konsideruarit i forti i Tiranës, Naim Zyberit, në vitin 1997 në Itali. Gert Gjinarari, 45 vjeç, ka përfituar lirim me kusht, në të njëjtën procedurë abuzive që shpëtoi nga dënimi përjetë edhe Dritan Dajtin, autor i vrasjës së 4 policëve. Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm në Itali, por me sjelljen e dosjes në Shqipëri ai kërkoi gjykim të shkurtuar, duke pranuar të gjitha aktet e akuzës, çka e çon dënimin përjetë në 25 vite burg. Një procedurë kjo e ndryshuar vitet e fundit, ku tashmë ndalohet gjykimi i shkurtuar për vepra të rënda penale, veçanërisht për vendime me burgim të përjetshëm. Gjykata e Korçës, kryesuar nga kryetari Markelian Kuqo ka vendosur të pranojë kërkesën e Gjinararit për lirim me kusht, një vendim i marrë më 14 shkurt të këtij viti,në ditën e "Shën Valentinit".

Gert Gjinarari u ekstradua në Shqipëri në vitin 2014, ndërsa akuzohet si bashkëpunëtor me Arben Grorin në vrasjen e bujshme të Zyberit.Në vendimin që disponon “Shqiptarja.com” thuhet se:"urdhërohet i dënuarit Gert Gjinarari që gjatë kohës së provës të raportojë rregullisht para Shërbimit të Provës, Zyra Vendore Tiranë, sipas rregullave që iniciohen për këtë qëllim procesi nga ky shërbim ligjor, si dhe të marrë në cdo rast lejen e këtij shërbimi për lëvizjet e shpeshta brenda ose jashtë vendit, së bashku me detyrimin për të informuar Shërbimin e Provës për cdo ndryshim të mundshëm të vendit të banimit që duhet të realizohet vetëm mbi lejimin e këtij shërbimi".

Po ashtu në vendim theksohet që Gjinarari gjatë kohës së provës nuk duhet të shoqërohet me persona të dënuar, dhe as mos të mbajë me vete asnjë lloj arme. Në vendim shkruhet se Gjinarari është plotësisht i rehabilituar dhe i gatshëm për tu riintegruar në shoqëri, duke argumentuar se një nga arsyet e dhënies së lirisë me kusht është edhe sjella e mirë që i dënuari ka pasur në burg, "shembullore", - theksohet në vendim."I dënuari paraqitet me normalizim të plotë të marrëdhënieve me trashëgimtarët e viktimave nga vepra penale", thuhet në vendim.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • GICI: 31/05/2019 13:10

    CA DO QE BOHET SOT - NE TI QISESH NE TI LESHE MRENA -TIRONA KA MORE FUN - O BO SI LAGJIA GJUHVE TE HUJA - PRENEJ MA MIRE ME E CU KRYEQYTETIN NE TROPOJE OSE NE TEPELENE - QE KTO QE DUN ME U DUK - TI SHESIN CA KON E CA SKON NE TE HIKIN - SE NA KAN CA TRAPIN

    Përgjigju
  • Tironsi: 30/05/2019 21:27

    DUHEN KTHY SE SBO KTA TE LIRE.... SE O MUSH TIRONA ME GRUPE KRIMINALE NGA VLORA.. TEPELENA.. FIERI... BERATI.. SE VERIORET KANE IK... E DUHET BALLANCU GJENDJA KRIMINALE PER NDARJEN E TERITORIT...

    Përgjigju
  • Goni: 30/05/2019 13:38

    Fytyre e ndyre ky megjithe te vellain dhe mirin e xhikes. Familje ordinere kane qene dhe ordinere mbeten deri ne fund. Burgjeve kohrn e enverit dhe burgjeve edhe tani. Helmojini si qente neper burgje dhe arrestoni Alaudin Malajn se nuk u ngop me para krimi.

    Përgjigju
    • Altin: 05/06/2019 08:52

      Mer Goni si e ke hallin.te ka ngel hala nefyt

    • genti: 30/05/2019 17:23

      pse i shan goni?’ ata as kne vjedhur as kane vrare si naim zyberi me gjithe grupin.

  • Spaku: 30/05/2019 10:00

    Dini gje kush eshte avokati, Sollaku apo Nor Shameti

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar