Që prej mbylljes së shkollave për shkak të situatës nga koronavirusi në vend mësimi po zhvillohet online në shtëpi në mënyrë që nxënësit të vijojnë normalisht marrjen e njohurive për këtë vit shkollor. Por a kanë të gjithë mundësi nxënësit që të zhvillojnë mësimin online, duke nisur që te mungesa e një celulari, një kompjueter apo mundësia që të kenë akses në internet.
Jo të gjitha familjet në Shqipëri kanë mundësi që të kenë të instaluar internetin apo një smartphone. E tillë është dhe familja Muça në fshatin Dushk të Belshit e cila ka 3 fëmijë, një nga vajzat është në klasën e pestë, ndërsa tjetra në klasë të tretë dhe pas përhapjes së koronavirusit atyre u duhet të marrin mësim online.
Familja me 5 anëtarë jeton në kushte tw vështira ekonomike, ku si strehë kanë një kasolle, pasi banesa e tyre është dëmtuar nga tërmeti. Babai i tyre Ulli Muça thotë se vajzat kanë ngelur pas në mësime pasi nuk kanë kushtet për të mësuar, shpesh herë për të zhvilluar mësimin ai thotë që merr internet te fqinjët por në ditë me shi rrjeti bie dhe nuk arrin që të ketë internet.
"Jam burrë e grua, kam dhe tre fëmijët, dy vajza dhe djalin. Ne jetojmë në kushte të vështira në çadër sepse shtëpia ka pasur dëmtime dhe nga tërmeti. Nuk kemi drita, fëmijët kanë pasur prapambetje në mësime, vëllai i ka falur një telefon gruas dhe nëpërmjet internetit të komshijes i jep mësuesja, por ja kur shi si sot nuk ka internet dhe nuk kanë ku të mësojnë", tha kryefamiljari.
10-vjeçarja tregon se përpiqet që mësimin ta zhvillojë online duke marrë internet nga fqinjët, ajo thotë se vetë nuk ka mundësi pasi prindërit nuk kanë mundësi të punojnë. "Jam 10-vjeçe dhe jam në klasë të pestë, mësimet i marr nga interneti i komshijes, prindërit nuk mund të punojnë', tha 10-vjeçarja Pas përhapjes së COVID-19 ministria e Arsimit ka vendosur mbylljen e shkollave deri më 3 prill. Ende nuk dihet nëse mësimi do të rinisë në këtë datë apo do të shtyhet në varësi të situatës.