Dëmeve nga tërmeti i së martës që shkundi Shqipërinë duke lënë dhjetëra viktima, nuk i ka shpëtuar as xhamia në Thumanë. Nga pamjet që sjell gazetarja e Report Tv, Klesiana Omeri, shihet se si kanë rënë suvatë brenda xhamisë, ndërsa fatmirësisht në orën e tërmetit 03:54 nuk ka pasur asnjë besimtar brenda. Tërmeti ka krijuar dëme të dukshme dhe jashtë godinës së xhamisë së ndërtuar para 23 vitesh. Xhamia tashmë është kthyer në një vendgrumbullim të ndihmave të dhëna nga qytetarët e shumtë që u sensibilizuan pas tërmetit, disa prej të cilave u janë shpërndarë të prekurve në çadra.
"Namazi i parë i ditës falet diku nga ora 5.30-6. Pasi ka ndodhur goditja e parë e tërmetit dhe është parë e dëmtuar xhamia është mbyllur dhe falja e xhumasë është bërë në oborrin e xhamisë. Tërmeti ka urtësitë, dëmet dhe dobitë e veta. Humbën jetë njerëzish, u prishën ndërtesa, por nga ana tjetër u bashkuan gjithë shqiptarët, pa dallim feje. Këtu ka një pjesë të vogël të ndihmave, që kanë ardhur nga besimtarë nga treva të ndryshme shqiptare. Kemi pasur nga Prizreni, Ulqini, Malësia e Madhe, etj. Çdo gjë vjen nga zoti, duhet duruar, duhet sjellë mirë e të vraposh në ndihmën e të tjerëve. Jam shumë i gëzuar që edhe mesazhi i Kuranit nuk ka ngelur vetëm në librat e shenjtë, por është zbatuar nga njerëzit", u shpreh myftiu i xhamisë së Thumanës për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta.
Myftiu thotë se është dëmtuar edhe një tjetër xhami në Bubq, në Mashë.
"Ne vimë nga Shkodra nga zona e Postribës për t'ju gjendur afër vëllezërve në Thumanë. Është një reflektim për ne që dashtë zoti të përmirësojmë çdo gjë në jetën tonë dhe dashtë zoti të lutemi që të tilla sprova mos të ndodhin më", shprehet një besimtar.
Xhamia e dëmtuar në Thumanë ndodhet shumë pranë pallateve të shembura ku humbën jetën dhjetëra persona.