Ndërsa deklaratat nga selia blu vijnë ende inatçore për rezultatin e zgjedhjeve dhe me akuza për manipulim, duket se ka gjetur vend zbehja e zërave kritikë që kërkojnë largimin e kryetarit pas humbjes së radhës. Dorëheqja e Bashës nga kryetar i PD si kërkesë vjen nga nivelet e dyta dhe të treta të partisë. Kështu janë një grup ish-drejtuesish, përfshirë ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami, të cilët nuk kanë qenë të përfshirë në listat për deputetë. Ndër më të rëndësishmit është ish-presidenti Nishani, i cili aktualisht mban dhe postin e Kryetarit të Këshillit të PD si dhe Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani, konfliktet e të cilit me Bashën në vitin e fundit kanë qenë të qarta. Po ashtu, anëtari i kryesisë, ish-deputeti Fatbardh Kadilli, mungesa në listat për deputet e të cilit ra në sy, ka kërkuar jo vetëm dorëheqjen e Bashës nga kryetar, por ka shpallur dhe kandidaturën për kryetar të ri të partisë. Gjithashtu, ndër figurat e reja në ngritje të PD, ish deputet dhe fitues i mandatit dhe në këto zgjedhje, është deputeti i Tiranës, Agron Shehaj i cili ka kërkuar po ashtu publikisht dorëheqjen e kryetarit si akt i parë për nisjen e një procesi të transformimit të PD.
Duhet thënë se grupi i kritikëve të Bashës, shprehen se PD është qartësisht humbëse në zgjedhjet e 25 prillit, ndaj dhe Basha, pas tre humbjeve radhazi, duhet të tërhiqet nga kreu i partisë. Madje ata e shohin qëndrimin për mosnjohje të rezultatit nga manipulimet zgjedhore, thjesht si një strategji për të fituar kohë, për t’i drejtuar energjitë e partisë në betejën për manipulime dhe ku zërat që i kërkojnë dorëheqjen gradualisht të mpaken. Fitimit të kohës i shërben dhe një tur nëpër Shqipëri i shpallur se do të bëhet nga Basha në javët në vijim, me arsyetimin për të mbledhur fakte për vjedhjen e votave dhe të rezultatit. Ajo çfarë bie në sy është se ish lideri historik i PD, Berisha, nuk është përfshirë publikisht në debatin e hapur. Në deklaratat e pakta të tij, duket se është në një linjë me kryetarin Basha, ndërsa shprehet se ka patur manipulim të rezultatit.
Gjithsesi edhe Basha duket se ka krijuar një grup të ngushtë të tijin, të cilët janë vendosur në pozicionet drejtuese, të cilët kanë mbajtur një linjë të njëjtë me kryetarin dhe shkakun e humbjes nuk e lidhin me formën e drejtimit të kreut të PD. Të gjitha këto qëndrime kanë mbetur ende thjesht deklarative dhe mediatike. Asnjë forum nuk është mbledhur dot për të diskutuar si për dorëheqjen e Bashës ashtu dhe për analizën mbi zgjedhjet. Ka një shmangie nga ballafaqimi direkt i dy rrymave në institucionet e partisë. Ish presidenti Nishani nuk e thërret dot mbledhjen e Këshillit të Lartë si kryetar që është, pasi me ndryshimet statutore, thirrja e e këtij forumi duhet të bëhet dhe me firmën e kreut të PD. Kjo situatë ka krijuar një atmosferë ku mbizotëron paqartësia porse në anëtarësinë e thjeshtë ka një frymë se duhet mbajtur përgjegjësi nga dikush.