Propozimi i socialistëve për hartën e re territoriale që ndan vendin në 46 bashki u miratua me votat e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve një ditë më parë dhe pritet t’i kalojë të enjten seancës plenare për votim.

Aulona Bylykbashi, deputete e PS e ftuar sot në ‘Sot Live në Shqipëri’ tha se kjo reformë ka kaluar në të gjitha fazat e veta, përfshirë edhe opinionet pro apo kundër.

“Në fakt siç e kemi diskutuar, reforma ka kaluar në të gjitha fazat e veta, në fillim në Komisionin e Posaçëm dhe pastaj si një nismë ligjore të propozuar një grup deputetësh të PS. Një nga kriteret e reformës është edhe konsultimi me banorët apo kryetarët e bashkisë që preken nga kjo reformë. Ka që janë pro, ka edhe nga ata që janë kundër, edhe një grupim që janë të kushtëzuar”, tha Bylykbashi.

Analisti Poli Hoxha në një lidhje të drejtëpërdrejtë ndërsa vuri theksin te rëndësia e saj tha se për të kjo reformë është më shumë politik.

“Që reforma territoriale është e domosdoshme kjo nuk diskutohet, por ashtu siç po bëhet shihet se është politike dhe elektorale. Po ashtu nuk është një reformë konsesuale, se po bëhet pa u analizuar se përse po zhbëhet reforma e parë. Përshembull Poliçani bashkohet me Beratin, por hesape elektorale ka. Territorialja do të thotë kontrolli i territortit. Kjo reformë duhet të ishte bërë në bazë të shpopullimit. Ky nxitim për mua është shenjë e degradimit të mazhorancës”, tha Hoxha.

Nga ana tjetër Bylykbashi tha se shërbimet për qytetarët nuk do të ndryshojnë, pavarësisht se bashkitë e vogla do t’i bashkohen atyre të mëdha. Sipas saj kjo reformë nuk vjen nga dështimi i asaj të 2014-ës, por është konsilidimi i saj.

“Reforma në këtë fazë është e domosdoshme dhe nuk vjen nga dështimi i reformës së 2014, por është një konsolidim i saj. Një nga arsyet se pse ka lindur nevoja e rishikimit të reformës ka ardhur nga analiza e treguesve finaciare në bashkitë më të vogla ka rezultuar se ka pasur një nivel efiçence më të ulët. Shërbimet për qytetarët nuk do të ndryshojnë. Në fazën e dytë që do të vijë pas miratimit të fazës së parë me do të rishikojmë ligjin 139, që lidhet me funksionin e bashkive. Nuk do të kemi një bashkim të hartës, thjesht do t’i bashkohet bashkisë së Madhe. Nga analizat që kemi bërë, kemi parë që bashkitë e vogla kryejnë 15-16 funkisione, nga 35 që janë dhe kryhen nga bashkitë e mëdha. Seanca do ta tregojë si do të shkojë votimi. Në pjesën më të madhe të këtyre bashkimeve koha do të tregojë rezultate pozitive”, tha Bylykbashi.

Ndërkohë seancën e datës tetë tetor, Hoxha e sheh si një test për deputetët.

“Është një test i madh për shumë deputetë. Kam inforamacione që nuk do të votohet të enjten”, tha Hoxha.

Bylykbashi e hodhi poshtë këtë opinion, duke thënë se pavarësisht diskutimeve brenda saj, PS është një grup solid.

“Mendoj se pavarësisht diskutimeve, PS e ka treguar se është një ekip solid në fund të çdo vendimarrje”, tha Bylykbashi.