Për kryetarin e "Lëvizja Bashkë", Arlind Qori, ka vend për përmirësime, lidhur me reformën terrotoriale dhe atë zgjedhore, por tha se asgjë e mirë nuk mund të vijë nga PS dhe PD.
Në një intervistë për "Studio Live" në Report Tv, Qori u shpreh se interesat e PS dhe PD, nuk janë të përputhshme me interesat e shoqërisë.
“Në Shqipëri ka gjithmonë vend për përmirësime institucionale, vetëm se kur ujqërve u var mëlçitë në qafë, ata nuk kanë ndërmend të t’i japin ty t’i hash, por i hanë për vete. Sa herë unë dëgjoj për komisione të përbashkëta PS-PD, gjithmonë mendoj deri ku do shkojë e keqja, çfarë do bëjnë më keq se çfarë kanë bërë. Na duhet ligj i ri për financimet e partive, na duhet depolitizimi i administratës zgjedhore dhe shtetërore, këto nuk janë përparësi, as të PS dhe as të PD. Nëse ata fusin duart në kodin zgjedhor, kanë për ta bërë më keq se çfarë është. Ky është halli im. Interesat e tyre nuk janë të përputhshme me interesat e shoqërisë.", theksoi ai.
Qori thotë se partitë e mëdha duan të ruajnë duopolin, PS në qeveri dhe PD forca e parë opozitare.
"Ata duan të ruajnë duopolin, PS do të ruajë pushtetin, PD vendin e dytë. Kanë konsensus të plotë mbi këtë gjë. Nuk kanë qëllime për mirë. Më thoni një herë kur PS dhe PD janë ulur bashkë dhe kanë prodhuar diçka për mirë. Ajo që do doja, shoqëria shqiptare të dalte të keqen. E keqja, fatkeqësisht, në një vend si i yni të surprizon.", deklaroi ai.
Arlind Qori shtoi se partia që ai drejton ka disa parime dhe do t'u qëndrojë atyre.
"Ne kemi një program, kemi disa parime, do i qëndrojmë atyre. Ne mund t’i mundim ata që kanë pushtetin, vetëm nëse qytetarët na bashkohen e numra të konsiderueshëm. Partia në pushtet, ka 83 deputetë, bashkë me PD e Sali Berishës ka 130 deputetë, ata mund ta shpallin Shqipërinë monarki të trashëgueshme dhe absolute. Detyra jonë është t’i përgjigjemi popullit, t’i bëjmë apel popullit dhe t’i nxisim të kenë më shumë besim te njëri-tjetri, dhe sigurisht edhe te Lëvizja Bashkë. Ka ndodhur në fakt, pak para se Redi Muçi të merrte fjalën. Menjëherë pasi e ka mbaruar fjalën, është ndërprerë transmetimi në faqen e Kuvendit të Shqipërisë. Kur je mësuar me të keqen, të duket çdo gjë e keqe. Ne jemi më mësuar me censurën e gjithanshme, me lojën e pabarabartë politike. Ne kemi vetëm 1 deputet në parlament, ata që janë aty nuk dëgjojnë, por të paktën të dëgjojë opinoni publik.", theksoi Qori.
Lidhur me rastin "Balluku", Qori tha se Gjykata Kushtetuese nuk duhet t'i japë të drejtë qeverisë dhe shtoi se nuk mund të mbrohet një zyrtare e korruptuar.
"Duhet ndarë në dy çështje, Kushtetueja e gjykon nëse pushteti qjyqësor mund të pezullojë një ministër nga detyra. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është diçka, vendimi i parlamentit për imunitetin është diçka tjetër. Nuk mund të kemi pabarazi para ligjit, ku një ministër mund të bëjë çdo gjë dhe askush nuk mund ta pezullojë përveç shefit të vet. Ne do mbajmë qëndrimin tonë pasi të lexojmë vendimin. Dosja e Belinda Ballukut ka plot prova, indicie, që është përfshirë në akte të korrupsionit, të abuzimit me tenderat. Si mundet parlamenti i Shqipërisë të mos votojë për heqjen e imunitetit të Ballukut? Si mundet të mbrohet një ministre, të mos merren masa ligjore ndaj saj, kur prokuroria i kërkon Kuvendit diçka të tillë. Ne do bëjmë presionin e duhur, edhe përmes protestave, edhe përmes fjalës parlamentare, që deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të marrin vendimin e duhur dhe të mos jemi nën tekat e Ramës. Duhet të ketë faktor përcaktues shoqëria shqiptare, që është populli. Ne do të vijojmë protestat në mënyrë periodike. Rama mban një zëvendëskryeministre dhe një ministre të Infrastrukturës, kaq të korruptuar. Ne do të vazhdojmë protestat sepse besojmë te qytetarët. Në 3 protestat që kemi bërë, kemi pasur rritje nga protesta në protestë. Ky është një proces. Do duhet punë goxha e mirë. Shtylla kryesore që qëndron, është pasiviteti, më mirë mos vepro, se edhe po veprove nuk ka rezultat. Kundër argumenti ynë është ky, sado të dalësh në rrugë, rezultati nuk është zero.", nënvizoi Qori.
Ndër të tjera, kryetari i "Lëvizja Bashkë" nënvizoi se nuk do t'i bashkohet Sali Berishës, apo kryetarëve të partive të reja, Adritaik Lapaj dhe Agron Shehaj.
"Hapa rrjetet sociale, dhe dy nga kryetarët e partive të reja po shanin njëri-tjetrin. Njëri i thoshte tjetrit trafikant, tjetri i thoshte mashtrues, të dënoi gjykata. Këta të dy janë ende në koalicion me njëri-tjetrin, Lapaj me Shehajn, bashkë me Shabanin, bashkë me Sali Berishën, për zgjedhjet e Bashkisë së Tiranës. Nëse Lëvizja Bashkë përzihet me ata, këtu kurrë nuk ka për të ardhur populli. Populli kërkon besueshmëri.", u shpreh Qori.
Aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, që u ratifikua në Kuvend, Qori e cilësoi si vendim të nxituar të Ramës, për të marrë pëlqim nga administrata amerikane.
"Mendoj që është aventurizëm në aspektin gjeopolitik. Askush dhe sot, nuk di të të japë një përgjigje se çfarë është Bordi i Paqes. Edhe po të lexosh statutin, nuk merr vesh gjithçka. Nxitimi i Shqipërisë, i vetmi vend që ka aderuar është Hungaria. Të marrësh anë në një konflikt mes BE dhe SHBA. Në momentin që marrëdhëniet SHBA-BE janë në pikën më të ulët, që Shqipëria të nxitojë me vrap, është dilentatizëm politik. Ne sot që flasim, shumëkush në botë nuk ka siguri për institucione që dukeshin të pacënueshme, si NATO. Unë mendoj që Shqipëria duhet të ruante qetësinë, maturinë, të kërkonte të merrte sa më shumë informacione. Edi Rama ka vetëm një arsye, që kërkoi të firmosë me vrap. Rama na premton që në 2030 na fut në BE, por a na rrezikon ky akt? Le të kuptojmë që sot, marrëdhëniet mes BE dhe SHBA, janë në pikën më të ulët ndonjëherë. Edi Rama e bën fakt të kryer. A do ketë efekte në anëtarësimin në BE? Pse nxiton Rama? E ka hallin te vetja e vet, kërkon minimum simpatie nga administrata amrikane që institucionet e drejtësisë mos t’i trokasin në derë. Vota jonë ishte abstenim. Ne kemi paqartësi.", përfundoi Qori.
Komente











