Pavarësisht përplasjes me kryeministrin Edi Rama në mbledhjen e Kuçit me kryebashkiakët, kreu i bashkisë së Poliçanit Adriatik Zotkaj nuk është tërhequr nga qëndrimi për t’i thënë jo propozimit socialist për hartën territoriale që do ta shkrinte me Beratin bashkinë që ai drejton.
“Do të jetë një turp për Parlamentin nëse voton pro shkrirjes së kësaj bashkie”, tha ai.
Këtë qëndrim, e mbajti në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Poliçanit, 15 anëtarët e të cilit votuan kundër projektligjit për “Ndarjen Administrative Territoriale”, duke zyrtarizuar qëndrimin e tyre ndaj hartës së re.
Të 15 këshilltarët bashkiakë konfirmuan se do të japin dorëheqjen në rast se Parlamenti voton pro shkrirjes së Bashkisë Poliçan. Ndërsa në Cërrik nuk pati një vendimmarrje finale mbi qëndrimin e Këshillit Bashkiak për bashkimin me Elbasanin.
Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Florenc Doka tha se nuk do të shprehet pa përfunduar fillimisht dëgjesat publike me komunitetin.
"Kjo që po bëjmë është rradha e punës e gjithë këtij procesi. Brenda 60 ditëve duhet të shprehim mendimin. Do të përcaktojmë takimet në të pesta njësitë administrative. Qëllimi është të zhvillojmë takime të hapura me komunitetin, të ketë grupe të shumta interesi. Të bëjmë një grup të përbashkët për të organizuar këto takime ku mund të marrin pjesë të gjithë. Unë personalisht kam vendosur që mos të mbaj krah, të mos shprehe opinionin personal se jam kryetar i Bashkisë Cërrik. Edhe ju si këshilltarë duhet të mbani këtë qëndrim. Të marrim mendimin e vyer të njerëzve. Interesi ynë i përbashkët është që komuniteti të fitojë” tha Florenc Doka.
Por, për një pjesë të këshilltarëve, dëgjesat janë të vonuara dhe tani nuk kanë asnjë vlerë. Mbledhja u ndoq edhe nga deputetët e opozitës, Blendi Himçi dhe Klodiana Çapja. Himçi i kujtoi kryebashkiakut Doka se, bazuar edhe në rekomandimet paraprake të Komisionit të Reformës Territoriale, ai është ndër të parët që duhet të shprehë qëndrimin e tij për këtë proces.
"Shkrirja e bashkisë do të thotë që aveniri i shumë qytetarëve të vihet në pikëpyetje dhe të ketë shpopullim nga këto bashki. Ju duhet të shpreheni. E keni për detyrim të shpreheni. Opinionin e Këshillit Bashkiak duhet ta shprehë gjithsecili", tha Himçi.
Sipas draftit paraprak të reformës territoriale, Cërriku dhe Belshi parashikohet t’i bashkohen Bashkisë së Elbasanit. Megjithatë, ky propozim është kundërshtuar nga një pjesë e komunitetit, e cila e ka shprehur qëndrimin e saj edhe përmes protestave. Bashkë me këto 2 bashki, në total janë 15 bashki që synohet të shkrihen me fqinjët duke e çuar numrin total nga 61 në 46.









Komente
Komento