DURRËS - Teuta e Durrësit do vijojë të jetë pjesë e Superligës shqiptare të futbollit edhe për edicionin e ri. Në finalen play-out të zhvilluar këtë të shtunë kundër Pogradecit në ‘Niko Dovana’, Teuta fitoi 1-0 falë golit të Klejdi Dacit në minutën e tretë shtesë të ndeshjes.

Njësoj si një sezon më parë, Pogradeci shkon deri në fazën play-out pa mundur të fitojë ndeshjen finale që të dërgon në elitën e futbollit në vend. Liqenorët protestuan në minutën e 81-të kur arbitri Enea Jorgji i tregoi kartonin e kuq nigerianit Freeman Pius, duke lënë miqtë me një lojtar më pak.

Epërsia numerike u shfrytëzua nga Teuta që shënoi brenda kohës së rregullt, pa u dashur 30 minutat e shtesës. Kështu, pas drithërimave në fundin e sezonit Teuta ia doli të shpëtojë sezonin.

Trajneri i ri

Trajneri i emergjencës në javët e fundit për Teutën, Bledar Hodo, ka zyrtarizuar se trajneri Edlir Tetova do të ulet në pankinën e durrsakëve për sezonin e ri. Ish-i i Egnatias ishte sot i pranishëm në stadium.

‘’Tetova? Mirë është të mos e jap unë lajmin, por mesa dijeni kam unë, trajneri Tetova do jetë trajneri i ardhshëm i ekipit tonë. Dhe unë do jem pjesë e stafit të tij. I urojmë suksese dhe shpresojmë mos kalojmë më ditë të tilla”, u shpreh Hodo për ‘RTSH Sport’.