Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, do të marrë pjesë nesër në samitin "Të luftojmë xhihadizmin bashkërisht", që do të organizohet në Vjenë, Austri.
Sipas KosovaPress, ministrat e Brendshëm dhe të Jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore do të mblidhen në këtë samit për të harmonizuar veprimet dhe rritur shkallën e koordinimit në luftën e përbashkët kundër ekstremizmit.
Pjesëmarrës në këtë takim do të jenë edhe ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm të shumicës së shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilët do të dalin edhe me një qëndrim të përbashkët për luftën kundër ekstremizmit në përgjithësi.
Gjithashtu, në këtë samit do të përfaqësohet edhe Bashkimi Evropian me Komisionerin për Migrim, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë në Komisionin Evropian. Kurse, pjesëmarrës të tjerë do të jenë edhe koordinatori i BE-së për luftën kundër terrorizmit, Gilles de Kerchove, drejtori i Agjencisë së BE-së për të drejtat themelore, Morten Kjaerum dhe zëvendësdrejtori i Europol-it, Oldrich Martinu./atsh/