/ATSH/.- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për "Radio Vatikanin" theksoi se vizita e tij në selinë e shenjtë do të hapë rrugë për një komunikim më të mirë ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit.
Sipas tij, gjatë takimeve të shumta në selinë e shenjtë është shtruar domosdoshmëria për thellimin e bashkëpunimit konkret mes Kosovës dhe Vatikanit.
"Diskutuam që të kemi një listë të prioriteteve ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit, të shohim interesin e përbashkët. Do të dorëzojmë një listë të prioriteteve që mund të realizojmë, marrëveshje të bashkëpunimit konkret", u shpreh Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi vlerësoi vëmendjen e Selisë së Shenjtë ndaj shoqërisë së Kosovës dhe gjatë takimeve të tij, tha se i ka njohur bashkëbiseduesit për realitetin e sotëm duke folur për arritjet dhe sfidat që ka vendi. Ai foli edhe për rëndësinë e vlerave ndërfetare dhe ndëretnike paqësore, vlera këto që në Kosovë, sipas tij, kultivohen nga të gjithë, në mënyrë të veçantë nga komunitetet fetare të vendit.
Në intervistën për "Radio Vatikan", Thaçi çmoi kontributin plot vlera që komuniteti katolikë i jep shoqërisë së sotme dhe në takimet e tij në Vatikan tha se është folur edhe për një thellim e përforcim të marrëdhënieve mes dy palëve.
Thaçi foli edhe për aspiratat e qytetarëve të Kosovës për t'u bërë pjesë e NATO-së dhe BE-së./KosovaPress/