Themeluesi i Sant Egidio: Ju rrëfej kontributin e Kryepiskopit Anastas Janullatos në rilindjen e Kishës Orthodhokse Shqiptare

Themeluesi i Sant Egidio: Ju rrëfej kontributin e Kryepiskopit Anastas Janullatos në rilindjen e Kishës Orthodhokse Shqiptare

Andrea Riccardi dhe Hiresia e tij Anastas Janullatos

Ndërsa Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas Janullatos vazhdon kurimin në spital në Athinë, duke u shprehur se “se u është sinqerisht mirënjohës gjithë atyre që luten për shërimin e tij të shpejtë”, Themeluesi i Komuniteti prestigjoz të Sant Egidio-s, profesor Andrea Riccardi, autorizon Shqiptarja.com të publikojë parathënien që ka bërë në librin “Kryepiskopi Anastas, Shërbëtor i Perëndisë në shumë vende”. “

I kërkuam leje Profesor Riccardi-t për këtë shkrim pasi hedh dritë, ashtu siç do të duhej ta kishim bërë me kohë, në aspekte të panjohura për shumë prej nesh. Ose në aspekte të diskutura e të debatuara gjatë, si për shembull: Sot, pas 33 viteve të hierapostullimit të tij në Shqipëri, Kisha Orthodhokse Autoqefale është më shumë shqiptare, apo më shumë greke? A e greqizoi, ashtu siç shpesh është akuzuar, Anastas Janullatosi Kishën Orthodhokse shqiptare apo sot është po aq shqiptare ashtu siç Fan Noli e dëshiroi?

Për të kuptuar këtë na erdhën në ndihmë studiuesit italianë në Sant Egidio-s, Roberto Morozzo della Rocca dhe Tomaso Opocher me intervistën e tyre ndaj Hirësisë, dhe sigurisht, si një njohës i mirë përgjatë gjithë këtyre viteve në Shqipëri i zhvillimeve të besimeve dhe i ngjarjeve shqiptare të tranzicionit tonë shpirtëror dhe politik, profesor Andrea Riccardi, themelues i Sant Egidio-s.

Për të vlerësuar apo gjykuar secilin prej nesh, më shumë se çdo gjë flasin veprimet dhe punët e bëra konkretisht. Nuk i shpëton këtij rregulli universal edhe Fortlumturia e tij, i cili, në këndvështrimin e pavarur të studiuesve italianë që kanë ndalur dhe hedhin dritë në 33 vite të drejtimit të tij, sot “Kisha orthodokse Autoqefale nuk është greqizuar, përkundrazi, është shumë shqiptare”, pasi  në lutjet dhe në liturgjinë e saj përdoren sot e kësaj dite përkthime të Fan Nolit, të Theodhor Haxhifilipit (Dhaskal Todrit), të Grigor Gjirokastritit,  të Kristoforidhit etj. Në faqen zyrtare të saj on line mund të lexohen studime të mirëfillta rreth shqipes në liturgjinë ortodokse dhe shumë energji e konsumuar për t’i bërë këto studime përmes botimit, të përjetshme.

Shumica e klerikëve ortodoksë janë shqiptarë dhe botimet janë në shqip. Pakkush e di që një nga tri parimet e Janullatosit si klerik, por pikësëpari dhe si teolog dhe njeri i studimeve fetare, është se “për t’u lutur në mënyrë të vetëdijshme, duhet përdorur gjuha amtare. Njerëzit e përdorin gjuhën e tyre amtare në mënyrë të vetvetishme në dy raste: Kur luten dhe kur shajnë...” u pohon Fortlumturia e tij dy italianëve katolikë dhe studiues të Sant’Egidios, në librin “Kryepiskopi Anastas Shërbëtor i Perëndisë në shumë vende”.

Sot po sjellim për lexuesit e Shqiptares ekskluzivisht parathënien e profesor Riccardi-t duke shpresuar që secili të rendisë faktet dhe dëshmitë e të vlerësojë jo vetëm Fortlumturinë e tij, por cilindo, shqiptar ose jo, në bazë të punës dhe të veprës së bërë.  (Alba Malltezi)

 

                                                                  PARATHENIE nga Andra Riccardi

 

Në nëntor të vitit 2022 mbushen plot 30 vite nga dorëzimi në Episkop i Anastasit (Anastasios Yannoulatos), Kryepiskop i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, primat i Kishës Orthodhokse të këtij vendi, grek nga origjina, lindur në Pire, në vitin 1929. Historia e tij personale përshkon botë të ndryshme; atë të orthodhoksisë greke, në të cilën lindi; atë të akademikut, në të cilën u specializua e dha mësim lëndën e historisë së feve, por edhe atë të Afrikës Lindore, ku qe prift e episkop në një tokë hierapostullimi dhe, në fund, Shqipëria postkomuniste. Ky vend, në kohën e Enver Hoxhës, ishte i vetmi në botë ku qe ndaluar çdo fe. Pas rënies së komunizmit, e tërë Kisha duhej ringritur nga gërmadhat njerëzore dhe materiale, madje edhe dinjiteti i vendit.

Një jetë në prag

Këto shënime të shpejta nxjerrin në pah historinë e një epi­skopi me një rrugëtim shumë të veçantë, gati-gati unik në mjedisin orthodhoks. Është një histori personale, që rive­ndos në diskutim identifikimin e Orthodhoksisë me kombin, aksiomë me të cilën Anastasi është ndeshur gjatë jetës së tij, por që e ka kapërcyer pikërisht me historinë e tij të “hierapostullit”, duke afirmuar karakterin hierapostolik të Kishës Orthodhokse. Figura e tij si episkop shtron për diskutim imazhin e Orthodhoksisë si Kishë e mbyllur në kufijtë e saj tradicionalë, pak e përfshirë në botën e madhe të hierapostullimit. Anastasi i përgënjeshtron këto stereotipe me qenien e tij shumë origjinale, deri aty sa të përbëjë një propozim për vetë botën orthodhokse.

Historia e tij është thellësisht e rrënjosur në besimin dhe liturgjinë orthodhokse, për të cilat ka shkruar dhe ka reflektuar në vepra të shumta teologjike dhe historiografike, por ka edhe një karakteristikë plotësisht të veçantë. Ka një jetë në “prag” të Kishës së tij, jo në kuptimin e një përkatësie më të vogël, por që dëshiron të takohet me të tjerët, jo thjesht të jetë mes tyre. Bëhet fjalë për një takim që e jetoi përmes bashkëbisedimit personal, si edhe përmes studimit të feve: Krishterimi i tij nuk mbetet i izoluar dhe vetëreferues, por matet me përvojën e madhe dhe të larmishme fetare të njerëzimit bashkëkohor.

Në Afrikë, ku ka punuar si prift dhe episkop, por edhe si pedagog, ka njohur popuj që po emancipoheshin nga kolonializmi. Ka takuar një botë jo vetëm të banuar nga kisha të ndryshme të krishtera, por edhe nga fe tradicionale me shumë ndryshime mes tyre. Është matur me kulturën dhe antropologjinë e popujve afrikanë, duke vlerësuar shumë aspekte dhe duke refuzuar që të “helenizonte” hierapostullimin ungjillor: çështja shtrohej që afrikanët të hapnin Ungjillin, jo të bëheshin “grekë”, si p.sh. kur këndonin himnin grek në kishë. Kryepiskopi i ardhshëm i Shqipërisë i kuptonte mirë sfidat e botës afrikane në tranzicion të madh, jo vetëm për Orthodhoksinë, por për gji­thë Krishterimin.

Hierapostullimi në Afrikë ishte shumë i ndryshëm nga ai i tridhjetë viteve të ardhshme në Shqipëri, aty ku Episkopi u përkushtua t’u bënte të njohur Ungjillin atyre që nuk e njihnin ose që e kishin humbur besimin në dekada persekutimi antifetar komunist; në një vend ku komunizmi kishte ndaluar jetën e lirë dhe humane, veçanërisht duke mbyllur hapësirën e qiellit dhe duke dënuar çdo praktikë fetare.

Jeta e Anastasit në Shqipëri ka qenë sërish jetë në prag. Pragu ku takoi një shoqëri postkomuniste, që duhej të rifillonte të jetonte në një mënyrë të re, duke u rizgjuar ndaj botës pas një paranteze të gjatë si e huaj, që mund të dukej si një makth. Krishterimi dhe Kisha Orthodhokse do të kishin përsëri një kuptim për njerëzit e shtypur dhe të boshatisur apo do të ishin realitete të humbura të një të shkuare të largët? Anastasi, përmes veprimtarisë së tij të hierapostullimit në Evropën postkomuniste, nxori sërish në pah besimin e krishterë, duke nisur nga tradita orthodhokse, por edhe ripërtëriu praninë shpirtërore, liturgjike dhe materiale të Kishës, që sot është një nga subjektet e mëdha fetare dhe sociale të jetës shqiptare.

Historia e një bisede

Dy persona të brezave të ndryshëm, Roberto Morozzo della Rocca, historian i Evropës Lindore, dhe Tommaso Opocher, prift i angazhuar në takimin midis Katolicizmit dhe Lindjes, biseduan gjatë me Anastasin, në selinë e tij në Tiranë, midis viteve 2019 dhe 2020. Janë dy personalitete të ndryshëm, të aftë për të kapur aspektet e shumta të historisë njerëzore dhe fetare të Kryepiskopit, që është në vetvete një libër historie që përshkon botë të ndryshme. Morozzo, autor i disa librave mbi Shqipërinë, e njohu këtë vend në periudhën e fundit të regjimit dhe, më gjatë, në vitet e mundi­mshme dhe të vështira të ringritjes së tij. Opocher-i, më i ri në moshë, sjell në bisedë kërshërinë dhe freskinë e një brezi që vetëm sa e ka prekur historinë komuniste të Lindjes, por, sidoqoftë, është i mahnitur nga ringjallja nga gërmadhat e një Kishe Orthodhokse, që mishërohet në personin e Episkopit.

Të dy autorët ndërthuren me historinë prej katër dhjetë­vjeçarësh të lidhjeve të Komunitetit të Sant’ Egidios me Shqipërinë. Autori i këtyre rreshtave e vizitoi për herë të parë në vitin 1988, kur ishte e mbërthyer nën një regjim të hekurt komunist. Përshtypja - por nuk dua të flas për veten - qe e fortë: ishte një gjendje e pabesueshme burgosjeje, ku gjithçka ishte e ndaluar, dhe gjithçka zhvillohej nën kontrollin e rreptë të policisë dhe sigurimit. Bëja pjesë në një delegacion të vogël të Universitetit të Barit, në të cilin merrte pjesë edhe një profesor i vjetër i gjuhës dhe letërsisë shqipe, me origjinë nga Frascineto, fshat italo-shqiptar, Giuseppe Ferrari, edhe ai vetë arbëresh. Megjithëse ishte prift, respektohej shumë nga autoritetet komuniste për përkushtimin ndaj gjuhës shqipe. E thërrisnin papas, emërtim për priftërinjtë italo-shqiptarë, megjithëse në Shqipëri nuk mund të flitej as për klerikë, as për fe.

Prania e këtij bashkëudhëtari më krijoi mundësinë për një kontakt më të shpeshtë me shqiptarët (me gjithë kufizimet që vetëvendosnim për arsye kontrolli). Diskutimi shkonte tek ndalimi i fesë në vitin 1967. Shpjegimi ishte banal: njerëzit nuk kishin më asnjë interes për fetë, ndaj regjimi i kishte nda­luar. Nga ana tjetër, bashkëbiseduesit shqiptarë vinin në dukje rrezikun që fetë e ndryshme mund ta përçanin vendin, siç po ndodhte në Liban. Pohim kontradiktor, nëse thu­hej se fetë ishin shuar tashmë!

Vazhdova ta ndiqja Shqipërinë në hapat pas regjimit komunist, kur shfaqej fuqishëm vullneti i njerëzve për të rimarrë “hapësirën e  qiellit”, që komunistët ua kishin mohuar. Katolikët nisën të celebronin meshën me priftë­rinjtë e parë të dalë nga burgimi dhe pastaj me të tjerë, të ardhur nga Italia apo Evropa. Myslimanët shfaqeshin në xhaminë historike në sheshin më të njohur të Tiranës, në sheshin “Skënderbej”. Komuniteti i Sant’ Egidios ndihmoi në rilindjen civile dhe fetare të vendit.

Katedralja orthodhokse ishte shkatërruar për të ndërtuar në sheshin “Skënderbej” një hotel të ri komunist, Hotel Tiranën, që u riemërtua Tirana Intenational, për t’iu bashkuar, jo larg që atje, Hotel Dajtit, hotelit zyrtar, ndërtuar nga fashi­zmi, ende me shumë pajisje italiane (aty im atë kishte qëndruar në vitin 1940 me trupat italiane dhe në vitin 1988 nuk dukej shumë i ndryshuar). Katedralja orthodhokse, e dëbuar nga sheshi qendror, ku ngrihej në krah të Muzeut Kombëtar dhe përballë xhamisë, ishte zhvendosur në një godinë shumë më modeste dhe si të fshehur. Prania e përbashkët e xhamisë dhe e katedrales orthodhokse në atë shesh kishte qenë një simbol i bashkëjetesës fetare në kryeqytet.

Më pas, me ndalimin e fesë nga Hoxha më 1967, katedralja e re modeste ishte kthyer në palestër. Dhe vazhdonte të ishte e tillë kur e pashë në fund të viteve ’80. Po viheshin re hapjet e para ndaj çështjeve fetare dhe kishte filluar sërish kryerja e Liturgjisë Hyjnore. Një burrë i moshuar, me origjinë vllahe, më shpjegoi vuajtjet gjatë komunizmit dhe kontrollin e krijuar mbi fëmijët që të raportonin praktikat e mundshme fetare të familjarëve. Më tregoi me krenari palestrën-kishë të rifituar për shërbesat. Në fund, më prezantoi një burrë, mjaft të vjetër në pamje, si “teologu”, një laik që kishte një farë funksioni në një mbledhje të mahnitshme eukaristike për një të kremte, e cila thuajse ishte harruar. 

Biseda midis Anastasit dhe dy bashkëbiseduesve italianë, Morozzo-s dhe Opocher-it, zhvillohet jo larg nga kjo kishë, ish-palestër, që tashmë është risistemuar nga Kisha Orthodhokse. Kryepiskopi banon në një ndërtesë të vogël, modeste, në afërsi të kishës. Ajo u bë rezidenca e tij modeste kur erdhi në Shqipëri dhe e tillë vazhdon të jetë, megjithëse ka ndërtuar një katedrale të re e të madhe, siç do të flas më pas, në qendër të  kryeqytetit. Në një kuadër thjeshtësie të skajshme, mes shumë librash, midis të cilëve shumë janë publikime të tij, Anastasi pret vizitorët dhe miqtë. Nuk ka asgjë që tregon kryelartësi, por jep një ndjenjë miqësie, e kalitur në një njeri që ka jetuar në dialog dhe në dëgjimin e Fjalës së Perëndisë, brenda situatave nga më të ndryshmet. Njeri i traditës dhe, në të njëjtën kohë, i hapur ndaj takimit me të tashmen.

Biseda e Morozzo-s dhe Opocher-it me Anastasin u dëshmua e frytshme, duke hulumtuar aspekte të një historie dhe të një spiritualiteti, që meritojnë të njihen e të zbulohen. Megjithëse Kishat nuk janë ende të bashkuara, dëshmia e Anastasit i përket mbarë botës së krishterë, ndërsa komunikon një spiritualitet të thellë e të thjeshtë. Tregon mirësinë e mikut dhe të bariut, ofron një sintezë njerëzore midis shijimit të bashkëkohores dhe rrënjëzimit në traditë.

Krishterimi nuk ishte zhdukur në Shqipëri, por si të rifillohej?

Nuk ishte e vërtetë, siç mbështesnin bashkëbiseduesit e mi të vitit 1988, që shqiptarët nuk kishin asnjë interes për jetën fetare. Më kujtohet që funksionarët shqiptarë përsëritnin pak në mënyrë obsesive, si një slogan, thënien e Vaso Pashës (patriot shqiptar i shekullit të 19-të, që dha një kontribut të madh në gjuhën e shkruar me germa latine), se “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Pava­rë­sisht kësaj, tema e religjionit prekej shpesh në bisedat me funksionarët komunistë. Në të vërtetë, në fillim të viteve ‘90, te shqiptarët vihej re kërkimi i fetares, duke ri­marrë fillin e traditave fetare kombëtare të ndërprera, myslimane sunite, e krishterë orthodhokse, katolike dhe bektashi. Kleri i pakët që kishte mbetur akoma gjallë dhe që kishte kaluar midis persekutimit të dhunshëm, nuk ishte në gjendje të drejtonte rimëkëmbjen. Vetë Morozzo, në bashkëpunim me Andrea Giovanelli-n, ka publikuar një libër që përmbledh disa histori të rëndësishme dhe të dhimbshme të klerikëve katolikë, që iu nënshtruan shtypjes së gjithfarëllojshme, pa hequr dorë për këtë nga besimi. Për komunitetin katolik shqiptar u dërguan nga Roma disa klerikë, priftërinj e murgesha. Orthodhoksia e kishte më të vështirë të merrte ndihmë nga jashtë. Në të vërtetë, Kisha Orthodhokse ishte zyrtarisht autoqefale, pra e pavarur,  me një primat të njohur nga Patriarkana Ekumenike e Konstadinopojës më 1937 (zë vendin e 13-të në diptikun e Kishave Orthodhokse). Pas shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria Otomane, orthodhoksët e Shqi­përisë ishin  vënë në lëvizje për Autoqefalinë, deri në shpalljen e saj të njëanshme më 1923, duke zgjedhur Fan Nolin si Mitropolit të Durrësit. Ai ishte një personazh i veçantë, njeri i letrave, patriot dhe klerik, me këndvështrime origjinale rreth pavarësisë, që kishte përkthyer Liturgjinë Hyjnore në shqip. Në këtë bisedë, Anastasi vë në dukje se Shkrimet ishin përkthyer shumë vonë dhe, deri atëherë, orthodhoksët shqiptarë e kishin ndjekur litugjinë në greqisht. Në të vërtetë, nuk kishte një inkulturim të Orthodhoksisë në botën shqiptare, që ishte në shumicë myslimane.

Në kundërvënie me politikën e mbretit të ardhshëm, Zogut, Fan Noli u tërhoq në Shtetet e Bashkuara, ku vdiq në vitin 1965. Kisha Orthodhokse e Shqipërisë pati disa kryepiskopë dhe, me vendosjen e regjimit komunist, u emëruan disa që ishin afër Partisë: Paisi dhe Damianoi. Papas Ferrari më rrëfeu se kishte folur me ta para ndalimit të fesë në vitin 1967 dhe se kishte takuar njerëz që dukeshin të mundur e të poshtëruar, me gjithë afërsinë e tyre me partinë. Kujtonte trishtimin në kryerjen e Liturgjisë, si edhe vetë gjendjen e mjerueshme të stolive liturgjike. Bisedat ishin bërë para ikonostasit, nën vështrimin e syve kureshtarë.

Aty kishte njerëz që e kishin ruajtur besimin, por traditat orthodhokse dhe institucionet e Kishës ishin zhdukur. Kisha Autoqefale, e njohur në vitin 1937 nga Konstandinopoja, ishte persekutuar deri në vitin 1967 dhe pastaj ishte shkatërruar. Populli, pjesërisht, ruante kujtimin e besimit. Në këtë kuadër rrënimi, del në pah afrimi i një personaliteti tërësisht të veçantë, i Kryepiskopit Anastas, me një mentalitet hierapostolik. Ai do të përballej me shumë vështirësi, që lidheshin me mungesën e strukturave, shkatërrimin e kishave dhe manastireve gjatë viteve të paditurisë dhe persekutimit fetar. Ekzistonte edhe një vështirësi serioze, që kishte të bënte me kombësinë greke të primatit të ri.

Për mentalitetin nacionalist shqiptar, origjina e tij do të thoshte greqizim i Kishës Autoqefale. Por do të ndodhte pikërisht e kundërta. Madje, mund të thuhet se me Kryepiskopin Anastas lind vërtet një Kishë Orthodhokse Shqiptare e pavarur, me rrënjë në vendin dhe në kulturën e tij, e hapur ndaj botës, në kungim me Kishat e tjera Orthodhokse, ekumenike dhe me veprimtari të pasur në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për Anastasin, rindërtuesin e Ki­shës, siç shihet edhe në faqet e këtij libri të bukur, jeta nuk ishte e lehtë, e shenjuar nga armiqësi nacionaliste deri në atë pikë sa shtetësinë shqiptare, të lëshuar nga presidenti, e mori vetëm në vitin 2018.

Anastasi është një i krishterë, një episkop i përgjegjshëm, i cili e di mirë se detyra e tij është të ndërtojë në Shqipëri një Kishë të Krishterë Orthodhokse dhe jo të krijojë një kishë të huaj. Greku Anastas, me veprën e tij, dëshmoi universalitetin e Orthodhoksisë dhe aftësinë e saj për të qenë një realitet hierapostullimi. Midis rrënojave, kujtimeve të dhimbshme, shqetësimeve të komunitetit shqiptar, ai ka qenë një ndërtues dhe hierapostull.

Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës, më 1991, mori në dorë situatën në Shqipërinë orthodhokse (ku nuk kishte më asnjë episkop) dhe dërgoi Anastasin në Shqipëri, si Ekzark Patriarkal. Këtu ai gjeti 15 priftërinj dhe 2 dhjakonë, të cilët i kishin mbijetuar persekutimit, gati të gjithë në kushte të këqija shëndetësore.

Në këtë libër, Kryepiskopi tregon një episod emblematik nga jeta e tij. Gjendej në Tiranë, pranë rrënojave të katedrales së vjetër, pa ditur ende asnjë fjalë në shqip. E shoqëronte një grup të moshuarish, që i kishin mbijetuar dekadave të vështira komuniste. Pyeti si thuhej në shqip “Χριστός Ανέστη!” (Krishti u ngjall!). Ia thanë, morën disa qirinj dhe i ndezën. Anastasi shpalli në shqip: “Krishti u ngjall!”. Dhe, sikurse ndodh në Liturgjinë Orthodhokse, të gjithë u përgjigjën: “Vërtet u ngjall!”. Anastasi thotë se “ky u bë thelbi dhe mesazhi qendror i predikimit dhe i përpjekjeve të mia këtu në Shqipëri”.

Duhej rifilluar në perspektivën e Ngjalljes. Anastasi tregon se si ka punuar për 30 vjet, për të ngritur një Kishë të vërtetë Orthodhokse në Shqipëri, me episkopë, klerikë, murgj të këtij vendi, me një profil kulturor dhe fetar që e bën sot një realitet të rëndësishëm për vendin. Ka hirotonisur 155 priftërinj. Dhe shton: “Shumica e klerikëve dhe përgjegjësve janë shqiptarë”. Nuk greqizoi Shqipërinë, siç kishin frikë kundërshtarët e tij, por bëri të ringrihej besimi i krishterë në një Kishë orthodhokse të rrënjosur në kulturën dhe aktualitetin e vendit. Mblodhi dëshminë e një brezi që kishte vuajtur martirizimin dhe po shuhej, ndërkohë i hapi derën një gjenerate të re, edhe kur nuk rridhte nga familje të krishtera.

Një simbol: Katedralja e Ngjalljes

Orthodhoksët përbëjnë njëzet për qind të shqiptarëve, një pakicë, por “që nga fillimi - thotë Anastasi – e patëm të qartë që nuk duhet të ndërtonim një komunitet si fortesë, me frikën e të tjerëve, por një komunitet të hapur”. Në Shqipërinë e trazuar të ditëve tona, Kisha Orthodhokse, në krah të komuniteteve të tjera fetare, dëshiron të kontribuojë për një shoqëri të të jetuarit së bashku.

Sot, kushdo që shkon në Tiranë, është e vështirë të mos ndeshet me katedralen e re, pak metra larg xhamisë së vjetër. Kryepiskopi dëshironte ta ndërtonte në qendër të qytetit, që të gjendej thuajse në të njëjtin vend që shte­ti komunist ia kishte marrë me dhunë, duke dëbuar orthodhoksët. Sot, në qendër të kryeqytetit, katedralja e re orthodhokse, me një kambanore që lartësohet për gati pesëdhjetë metra,  i kushtohet “Ngjalljes së Krishtit”, drejt së cilës është orientuar e gjithë vepra hierapostolike dhe baritore e Anastasit. Thashë që është afër xhamisë dhe jo larg nga katedralja e re katolike. Kjo afërsi përfaqëson gati një mesazh në shoqërinë shqiptare, domethënë bashkëjetesën e feve në një vend ku regjimi komunist, pasi vodhi çdo liri, donte të vidhte edhe shpirtin. Më larg, mbi kodër, ndodhet qendra e bektashinjve, që u strehua në Tiranë pas laicizimit të Turqisë nga Ataturku dhe më pas u mbyll nga regjimi komunist. Qendra u përurua në vitin 2015.

Katedralja e re nuk është riafirmim i orthodhoksisë shqiptare të shtypur nga Enver Hoxha. Nuk ka asnjë formë revanshizmi. Stili arkitektonik i godinës së re nuk i referohet modeleve orthodhokse greke apo të vendeve të tjera: “Kam përdorur shumë imagjinatë. Gjithçka ka një kuptim simbolik dhe një qëllim”. Por, mbi të gjitha, Anastasi shton: “Një nga objektivat kryesorë të elementeve arkitektonike është që të japë ndjesinë e hapjes. Ka shumë hapje dhe asnjë mur mbrojtës”. Ky karakter hapjeje konfirmohet edhe nga ekzistenca, poshtë katedrales, i një auditori të madh me 800 vende, që ofrohet për veprimtari kulturore edhe jashtë Kishës.

Katedralja të kujton programin e ringritjes së Kishës në Shqipëri nën dritën e Ungjillit të Ngjalljes (jo një ringjallje e së shkuarës, por një ndërtim real). Por edhe pohon, me praninë e saj, vullnetin për t’iu hapur qytetit dhe shoqërisë shqiptare. Gjenialiteti i orthodhoksisë së Anastasit është të jetuarit së bashku me tjetrin. Për këtë e kanë përgatitur studimet e tij, por edhe një traditë historike orthodhokse që, në kushtet e të qenit pakicë, ka gjetur hapësirën dhe thirrjen e saj në botën otomane, siç ndodhi në rastin e Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës.

Komuniteti mbarëbotëror

Sot, gjithçka është ndryshe, por Kryepiskopi mendon dhe përpiqet të kërkojë forma të reja të të jetuarit së bashku në Shqipërinë e vogël dhe krenare, si edhe në ske­nën mbarëbotërore. Janë këto temat që prek në diskutimet me bashkëbiseduesit e tij, që të çojnë edhe larg nga problemet shqiptare. Ai i përballon sfidat e reja të komunitetit mbarëbotëror me shumë qartësi: “Globalizimi që dëshirojmë – thotë – nuk do të thotë homogjenitet në gjithçka, apo shkatërrim i pasurisë që ofron larmia e kulturave. Dëshirojmë një harmoni paqësore, të bazuar mbi disa vlera të pranuara mbarëbotërisht”.

Nga ana tjetër – shton ai - eklisiologjia orthodhokse, megjithëse tregohet shumë e vëmendshme ndaj kulturave e vendeve të tjera, dëshmon një unitet shpirtëror të besimtarëve. Ai pohon: “Çdo kuptim tjetër apo epërsi që i jepet identitetit kombëtar (apo një lloji tjetër identiteti), mbi atë orthodhoks, është një shprehje e etnofiletizmit, që tashmë është njohur si herezi”. Për këtë arsye, Anastasi ka marrë pjesë me vetëdije në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse në Kretë. Atij iu ngarkua detyra të hartonte mesazhin, në të cilin ritheksoi: “Kishat Orthodhokse Autoqefale nuk përbëjnë një federatë kishash, por Kishën, që është Një, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike”. Në Kretë, Kryepiskopi propozoi që të mbahet një sinod mbarorthodhoks çdo dhjetë vjet: “Kemi nevojë të jemi së bashku, jo të izolohemi si Kisha Autoqefale Lokale”. Dhe vazhdon: “Asnjë Kishë, sado e madhe apo “historike” të jetë, nuk mund të përfaqësojë në vetvete Katholicitetin e Kishës Orthodhokse”.

Procesi i globalizimit, edhe në botën e krishterë, ka çuar në një ngurtësim të identitetit, i provokuar nga çorientimi para horizonteve tepër të mëdha apo nga frika e “pushtimit” nga universe të tjera: “Mjaft herë – saktëson Anstasi -  e mbulojmë egoizmin tonë me egon kolektive të kombit”. Dhe, ironikisht, shton se, në botën kishtare i kanë shtuar Besores së Nikeas “heshturazi një frazë shtesë”: “Besoj në privilegjet e mia lokale, besoj në kombin tim”.

Për Primatin e Shqipërisë, globalizimi nuk mund të ndodhë pa Kishën dhe pa dëshminë orthodhokse: rrezi­kon të jetë njëdimensional, i gjithi ekonomik, ndërkohë që shkakton reagime mospranimi. Nuk mund të për­ba­llohet situata e tashme me skema të vjetra dhe me përsë­ritjen e qëndrimeve të së shkuarës: “Gjendja e sotme e Orthodhoksisë është e larmishme. Duhet të studiojmë historinë dhe të mos mbetemi të lidhur nga paragjykime të vjetra. Bota orthodhokse jeton tani një realitet të ri global; retë e dyshimit historik duhet të mbeten pas”.

Në një situatë krejt tjetër dhe shumë dekada më pas, fjala e Anastasit, jo në mënyrë të supozuar por konkretisht, është vazhdimësi e fjalës së Patriarkut Athinagora, i cili, në fund të viteve ’60, kishte vënë re se edhe pse bota po shkonte drejt një njësimi, pjesëmarrja e Kishave ishte vogël: “Njerëzimi po njësohet, por ky unifikim nuk mund t’i shpëtojë dhunës dhe masivizimit nëse nuk respekton dhe nuk favorizon karakterin unik të çdo personi, origjinalitetin e çdo populli”. Ka munguar, në pjesën më të madhe, një globalizim shpirtëror nëpërmjet unitetit të të krishterëve dhe dialogut midis besimeve. Athinagora përfundonte: “Në qendër të njerëzimit, në rrugën drejt unifikimit, Kisha  duhet të gjendet e pandarë. Kisha nuk do të kërkojë asgjë, nuk do të imponojë asgjë... Veprimtaria e Kishës duhet të jetë një majà, një rrezatim...”.

Është shumë e rëndësishme mënyra si Anastasi, në një tjetër shkrim, nënvizon përgjegjësitë e reja të të krishterit përballë një bote të globalizuar: “Largpamësia e krishterë dhe, rrjedhimisht, detyra e krishterë, shtrihet në mbarë botën. Në ritmet e tashme të globalizimit dhe të informatikës nuk mund të pohojmë se nuk e njohim varfërinë e tjetrit”. Do të thotë kufij të rinj që sfidojnë ndërgjegjen e krishterë; por,  Kryepiskopi i Shqipërisë, tashmë  në moshë të thyer, nuk duket i lodhur dhe i shterur nga vitet: është vërtet i Vjetri që shikon nga e ardhmja e njerëzve të tij dhe e botës. Në këtë të ardhme, besimtarët kanë një mision: “ADN-ja e njerëzve të përshkuar nga besimi i krishterë, ka në vetvete vlera unike”.

I krishterë, Primat i Shqipërisë  dhe njeri ekumenik

Duke lexuar këto faqe, jam i sigurt në atë që ka qenë bindja ime, e krijuar në tridhjetë vjet miqësi me Kryepiskopin. Anastasi, edhe në kufijtë e Kishës së tij, kaq e vogël në raport me Kishat e mëdha të botës, edhe brenda kuadrit të thjeshtësisë së jetës së tij (që i jep shumë rëndësi), është një personalitet i madh i Kishës bashkëkohore: një njeri i besimit, frymëzues i një humanizmi orthodhoks, i cili mund t’i japë kontribut të vërtetë humanizmit global, në kërkim të dimensioneve njerëzore dhe shpirtërore.

Kryepiskopi di të lexojë zemrën e gruas dhe të burrit bashkëkohor. Komuniteti mbarëbotëror favorizon përqendrimin te vetvetja: “Paqja është e kundërta e egocentrizmit, nga i cili lind lufta”, - pohoi Anastasi në një takim ndërfetar në Tiranë, nën frymën e Asizit, në vitin 2015. Për të, egocentrizmi është sëmundja që ndeshi në botën afrikane dhe në atë evropiane, midis politikanëve dhe të fuqi­shmëve: “Është edhe më tragjike – pohon Anastasi – kur egocentrizmi korrupton udhëheqësit e Kishës dhe ata që pretendojnë të vihen në vend të Krishtit” dhe predikojnë Krishtin “e butë në zemër”, por shpërfillin porosinë e tij të qartë: “E dini se ata që mbahen për të parë të kombeve me shtrëngim zotërojnë mbi ata dhe të mëdhenjtë e tyre me pushtet i urdhërojnë ata. Por nuk do të jetë kështu edhe ndër ju...” (Mk. 10:42).

Nuk është një predikim i përgjithshëm mbi egoizmin drejtuar të tjerëve. Episkopi  e ka provuar te vetja luftën  me egocentrizmin. Në bisedën e sinqertë me Morozzo-n dhe Opocher-in  kujton lutjen e  tij të rinisë, që vazhdon ta shoqërojë edhe në moshë të shkuar: “O Zot, më çliro nga vetvetja dhe më dorëzo tek Ti”. Egocentrizmi është për të “gjëja më e rrezikshme”, e destinuar ta shtrijë ndikimin mbi shoqërinë, ta gërryejë atë, duke e bërë konfliktuale apo duke ia nënshtruar interesave të njëanshme. Në këtë perspektivë, rithekson shpesh lidhjen midis luftës dhe egocentrizmit: “Ky egocentrizëm i shumëformshëm pengon mundësinë e një bashkëjetese harmonike. Kush e shkatërron paqen? Jo lufta, por egoizmi”.

Por, kush është Anastas Janullatos, ky njeri i shekullit të 20-të, që ka krijuar bazat e një Kishe të re (të rinovuar) evropiane në shekullin e 21-të? Para së gjithash, bën pjesë në atë brez të burrave e grave me besim, që jetuan nga afër përvojën e dhimbshme të luftës së shekullit të 20-të. I tillë ishte Athinagora, që kujtonte konfliktet në Ballkan në fillim të shekullit të 20-të dhe Luftën I Botërore, kur ishte në Manastir të Maqedonisë Veriore dhe shikonte njerëz të kombësive të ndryshme teksa vuanin. Nga ajo përvojë e dhimbshme kishte përftuar ndërgjegjësimin se gjithë popujt janë të “mirë” dhe se duhet punuar për mirëkuptim mes tyre.

Përvoja e Luftës II Botërore i bëri disa të krishterë të ndërgjegjshëm të gjykonin mbi përgjegjësitë ndaj paqes. Papa Gjon Pali II, lindur më 1920, bir i Polonisë së pushtuar me dhunë nga nazistët dhe më pas të shtypur nga regjimi komunist, ndjeu se dëshmia e tmerrit të luftës ishte pjesë e misionit të tij. Zvicerani Roger Schutz, gjatë Luftës II Botërore, u ngjit në kodrën e Taize-s, për të themeluar një komunitet ekumenik në zemër të Evropës. Në të vërtetë, në fonderinë e luftës, mjaft të krishterë jetuan në mënyrë shumë të dukshme lidhjen e ngushtë midis dëshmisë për paqen dhe unitetin e të krishterëve (nuk ishte rastësi që hapat e parë të lëvizjes ekumenike filluan pas 1914-1918). “Kisha motra, popuj vëllezër”, - thoshte me intuitë të thellë Patriarku Athinagora.

Kryepiskopi Anastas është i fundit nga këta liderë të krishterë në drejtim të një Kishe, i fundit primat orthodhoks që ka jetuar dramatikisht luftën botërore. Në Athinën e rinisë së tij, të pushtuar nga gjermanët, Anastasi ndau përvojën e një brezi i cili, në dhimbjen e luftës kuptoi vlerën e paqes. Në periudhën e luftës, ende i ri, piqet dëshira e tij për të zgjedhur besimin. Por, si i moshuar, në një farë kuptimi, prek pasojat e Luftës II Botërore në rrënojat e regjimit lirivrasës të Enver Hoxhës. Në shumë aspekte, një rindërtim i vërtetë i Shqipërisë po ndodh duke nisur nga vitet ’90, të cilët janë, në njëfarë mënyre, vite paslufte.

Grek nga kombësia dhe kultura, Anastasi është njeri i paqes, i hapur ndaj diversitetit të kombeve: Një njeri më shumë atdhera – është titulli shumë efikas i këtij libri1. Nuk është kozmopolitizëm, i cili, në kohën e globalizimit  përfshin një rreth të ngushtë personash, ndërsa popujt e hutuar mbërthehen pas identitetit të tyre. Përkundrazi, Kryepiskopi e quan veten njeri ekumenik. Dhe – pohon – “të jesh pra njeri ekumenik, e kuptuar si nxënës i Krishtit, që përqafon gjithçka”. Bisedat midis Morrozzo-s, Opocher-it dhe Anastasit përfundojnë me një citim të Maksim Omologjetit: “I bekuar ai njeri që mund t’i dojë të gjithë, pa bërë dallime ndërmjet burrave, grave, kombeve, besimit apo jobesimit”.

-----------------------------------------------------------------------------------------------

* Ky botim u bë i mundur me kortezi të profesor Andrea Riccardi-t për Shqiptarja.com. Çdo publikim dhe riprodhim i tij në media të tjera online apo në print pa lajen e autorit, është i ndaluar.

a.m./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Shqiptari hero bën xhiron e mediave në Britaninë e Madhe, shpëton gruan nga përmbytjet në Leicestershire (EMRI)

VIDEO/ Shqiptari hero bën xhiron e mediave në Britaninë e Madhe, shpëton gruan nga përmbytjet në Leicestershire (EMRI)