Ylli Pata: Thikat mes demokratëve: Lufta absurde që bëhet pas shpine!

Ylli Pata: Thikat mes demokratëve: Lufta absurde që bëhet pas shpine!

Lulzim Basha

Ka një panoramë absurde të luftës së gjatë që po zhvillohet brenda opozitës që prej humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit 2021. E sidomos pas shpalljes non grata të Sali Berishës.

Këtu, në këtë hapësirë vendimtare të shoqërisë shqiptare, pasi opozita në një vend që bën zgjedhje është institucion, ka një panoramë krejt të pazakontë të një beteje që nuk po bëhet ballë për ballë.

Të vetmit që janë më të qartë në këtë betejë janë Sali Berisha dhe Ilir Meta, që edhe pse janë konkurrentë me njëri-tjetrin, synimin e kanë të përbashkët. Të nxjerrin jashtë lojë opozitën anti-berishë dhe pro SHBA, e cila është edhe ajo legale juridikisht.

Tentuan që nga shtatori 2021 qoftë me fushata frenetike, me sulme të egra mesjetare, intriga pallati dinake siç ishte 8 janari, por sërish nuk arritën dot të bëjnë irilevante një fuqi politike, e cila edhe pse e dobësuar ka më shumë peshë politikisht sesa dyshja më e pushtetshme në 33 vjet.

Shpjegimi më normal, sepse Berisha e Meta nuk ja arritën dot të nxjerrin jashtë loje opozitën anti të tyre është i thjeshtë. Në këtë komunitet, pra në popullin opozitar ka një frymë të qartë që vjen nga poshtë që nuk i do. Plus kësaj kanë edhe dy fuqitë e mëdha botërore: SHBA e BE kundër, e që nuk është pak. 

Pasi në politikë, askush nuk bën dot përpara pa aleatë. PD në vitin 1991, nuk do të rrëzonte qeverinë e Fatos Nanos, nëse nuk do të kishte pas vetes SHBA-në. Sipas të gjitha gjasave, PPSH apo edhe PS do të qeveriste deri në 1995 krejt normalisht, e mund të merrte edhe mandatin e dytë.

22 marsi 1992, ka ardhur në Shqipëri vetëm se këtë e shtyu fort Amerika, E këtë e dijnë shumë mirë të gjithë demokratët që kanë qenë prezent në ato zhvillime.

Pra, si Berisha e si Meta, nuk kanë arritur dot të “pushtojnë” zemrën e PD-së, që është baza e saj strukturale e ngritur në vite e vite. E kjo nuk është gjë tjetër veçse një humbje politike. Në zgjehdjet e 14 maj, pësuan edhe humbjen e votuesve demokratë.

Po tani ç’ndodh? Ndodh që opozita ka vetëm një zgjidhje strategjike; që të krijojë një bërthamë politike, e cila përveçse të marrë të gjithë ata që nuk kanë votuar PS-në, të gjithë ata që nuk votojnë fare përgjithësisht, të bindin edhe ata që votojnë herë pas here edhe PS-në. E kjo nuk bëhet pa e qartësuar projektin politik, identitetin, programin e alternativën.

Logjika e lëvizjeve pindarike që ka marrë emërtimin “pragmatike” por që nga greqishtja do të thotë sipas interest, ka rezultuar krejt e çorientuar. Opozita duhet të ndërtojë një qendër që të krijojë gravitet, e jo lëvizje individuale siç ndodhi me të gjithë njerëzit që përkrahën foltoren, i shkelën syrin foltores, apo bashkëpunojnë nën rrogoz me të.

Dy janë rrugët: A mund të ketë një opozitë me Sali Berishën e Ilir Metën apo jo? Dalja e Bashës ndërkaq, mund të jetë e kontestueshme dhe e kritikueshme nga gjithkush, por me logjikë, dikush do të duhet ta sfidojë, përpos memexhinjve që ushqehen prej tij. Lul Bashën sot nuk e mban mend askush nga 1000 mëkatet e tij, por sepse ka qenë i vetmi që ka përjashtuar Sali Berishën. Një ëndërr për të gjithë demokratët që Berisha i ndoqi e i hoqi, i afroi e i mikloi, por që se bënë dot.

Basha sot ka një atu: Nuk jam penduar që e përjashtova sepse dua një opozitë pa Berishën. Rivali i kësaj opozite, duhet të mundë Bashën pikërisht duke u nisur nga kjo pikë.

Brenda këtij komuniteti ka njerëz që Akoma e duan Berishën, e respektojnë dhe venerojnë. Por fakt është se askush nuk bën dot karrierë me Berishën, vetëm se mund të kënaqet me të, të qajë, të kujtojë parajsat që krijoi baca dhe vetëm kaq. Politikisht Berisha nuk ndihmon askënd, madje aq më kaq, të gjithë ato persona që kanë luftuar fort brenda opozitës për të ecur vetë, duke qenë njerëz të territorit dhe të fuqisë politike. 

Një nga këto është Muslim Murrizi, politikani më serioz i asaj që quhet opozita parlamentare e 2019-s. Çfarë s’i thanë kur nuk pranoi që të dorëzojë mandatin, por që në realitet ai ka bërë veprimin ndoshta më të rëndësishëm të karrierës së tij. Që e vlerësoi dhe e përkrahu SHBA e BE. 

E sot kur Murrizi sulmon SHBA thjesht për “pragmatiko” siç ishte “pragmatiko-sifonia” vendimi për Belerin në Himarë, është thjesht e pakuptueshme. Murrizi me të drejtë nuk i përket Lul Bashës si koncept, ide, logjikë, apo lidhje në territor. Ta sfidojë sesi ai e do PD-në, pasi Partia Demokratike realisht nuk është thjesht një institucion i mbijetuar. 

Është një shtyllë e Republikës që është gati të mbajë peshën e saj politike, por pa Sali Berishën. Këtë e ka bërë Luli, sfidanti i tij logjikisht duhet të jetë një antiberishjan por ta sfidojë në idenë e opozitës së re. Nëse thjesht do të jetë një kacavjerrës i foltores, thjesht do ta rrëzojnë. Siç ndodhi edhe me Evi Kokalarin, por që nuk është e vetmja.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës