Kryeministri i vendit, Edi Rama një ditë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti si kryeministër i Kosovës ka reaguar duke thënë se ftesat në Hagë për protagonistët e UÇK janë një sfidë e re.

Rama shkruan se tashmë kjo sfidë do të provojë deri në fund pafajësinë e tyre. Në fund të reagimit të tij Rama ka shkruar se ndër të tjera kjo është një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë.

"Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK,janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë."  shkruan kryeministri Rama.

Haradinaj pritet që të paraqitet në gjykatën Speciale të Hagës ku do të intervistohet në lidhje me Luftën për çlirimin e Kosovës. Kjo nuk është hera e parë për Haradinajn që paraqitet në Hagë pasi ai u thirr në 2005 nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë me seli në Hagë. Haradinaj, në atë kohë, u akuzua për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës. Megjithatë për shkak të mungesës së provave bindëse, 'Rambo' u lirua në prill të 2008-ës. Po kështu ai u  shpall përsëri i pafajshëm në vitin 2012. Por jo vetëm kaq pasi Haradinaj ka patur edhe ndalesa të tjera për shkak të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.