Thirrje antishqiptare në Himarë
parrulla në greqisht, një i ndalua

Thirrje antishqiptare në Himarë<br />parrulla në greqisht, një i ndalua
HIMARË- Thirrje anti shqiptare janë bërë sot në Himarë përmes disa fletushkave në gjuhën greke.

“Përpara 100 vjetësh paraardhësit tanë vepruan sot, ne çfarë bëjmë. Skllav është ai që pret ta çlirojnë të tjerët”, thuhej në këto thirrje të sigluara dhe që mbajnë vulën nga Komiteti Qendror “Vorio Epir 1914”.

himare,faksimile
 (Në foto: Një nga fletushkat e sekuestruara nga policia)

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale fletushkat me thirrje anti nacionaliste, si dhe ka shoqëruar një person të dyshuar si autor i kësaj ngjarjeje.

Ai është Filip Nestur Dhimojani i datëlindjes 23 Qershor 1985, Himarë, si dhe ka sekuestuar automjetin e tij “Opel Astra” me targa greke “IMB 1263”.

Fletushkat janë me thirrje anti-shqiptare në gjuhën greke dhe me foton e kryesisë së fshatit të Himarës, 100 vjet më parë, ku kërkohen të drejtat e minoritarëve. Fletushkat janë shpërndarë dje në tërë Himarën në çdo cep të saj.
 
ORA 14:40 POLICIA: HETIM PËR SHPËRNDARJE TË SHKRIMEVE ANTIKUSHTETUESE
Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht në lidhje me shpërndarjen e fletushkave me mesazhe antishqiptare. Sipas saj, nën hetim në gjendje të lirë është Filip Nestur Dhimojani 28 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur edhe bashkëpunëtori i tij me inicialet S. Dh. Ndaj këtyre personave është ngritur akuza e "shpërndarjes së shkrimeve antikushtetuese".
 
“Ditën e sotme është marrë njoftim se në qytezën e Himarës po shpërndaheshin shkrime me përmbajtje antikushtetuese menjëherë në lidhje me këtë rast nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë është organizuar puna dhe është bërë identifikimi dhe shoqërimi i një prej autorëve”, bën të ditur policia.
 
Policia ka shoqëruar, Filip Nestur Dhimojanin 28 vjeç, lindur dhe banues në Himarë, me shtetësi e kombësi shqiptare. Ndaj këtij personi, “ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale "shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese" si dhe u shpall në kerkim edhe bashkëpunetori i tij me inicialet S. Dh”.
 
“Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin shpërndare fletushka me përmbajtje antikushtetuese në gjithë rrugën kryesore të Himarës një pjesë e të cilave është gjetur në banesën dhe automjetin e këtij personi, që janë sekuestruar në cilesinë e provës materiale.

himare,faksimile
(Në foto: Një nga fletushkat e sekuestruara nga policia)

Sipas medias greke, ky veprim nga ana e policisë shqiptare, privon vorio-epirotët “nga e drejta për të festuar në mënyrën e tyre këtë moment të veçantë për ta”.
 
Sipas tyre,“në Greqi nuk u arrestua askush për fletëpalosjet, që shqiptarët hodhën në rrugët e Athinës, për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë”.
 
Në çdo 17 Shkurt, qarqe të caktuara greke, përkujtojnë vitin 1914 kur i quajturi “Epiri i Veriut”, deklaroi autonominë e vet dhe krijoi në Gjirokastër qeverinë me kryeministër Jorgo Zografo.

Protokolli i Korfuzit e njohu këtë tokë si njësi autonome nën sovranitetin e Shqipërisë, por ai u anulua nga Konferenca e Ambasadorëve në vitin 1921.
 
ÇFARË ËSHTË KOMITETI QENDROR “VORIO EPIR 1914”
KEVA është emri i një prej organizatave greke, ndoshta më aktivja dhe me kapacitetet më të mëdha financiare dhe infrastrukturore për atë që në shtetin helen njihet si “Çështja e pazgjidhur e Vorio-Epirit”.
Komiteti është një organizatë që operon prej vitesh në Himarë dhe fshatra e zona të tjera të minoritetit grek. Janë të lidhur me qarqet greke dhe funksionojnë për të ngritur zërin e për të kërkuar të drejtat e minoritarëve. Ata vetëquhen grekë dhe gëzojnë edhe përkrahje nga banorë të Himarës.

Shpërndarja e fletushkave me thirrje antishqiptare është rast i përsëritur. Komiteti përbëhet nga banorë të Himarës, përfaqësues të kishës ortodokse, quhet Vorio Epir dhe e konsiderojnë veten si shtetas nga veriu i Greqisë.

Ky komunitet është krijuar në vitin 1918 dhe njihet ndryshe edhe si "Komiteti Qendror i Luftës Vorio-Epirote". Sipas të dhënave, ky komitet u drejtua për shumë vite nga peshkopi Serafin Tikas. KEVA drejton edhe Këshillin e Ndihmës Ekonomike, i cili administron fondet kundër Shqipërisë. KEVA drejton gjithashtu edhe organizatat e tilla si Komiteti Qendror i Rinisë apo Instituti i Kërkimeve Vorio-Epirote me qendër në Janinë. 

Ndërkohë që më 17 Shkurt 1914 bëhen 100 vjet që Vorio-Epiri ka fituar pavarësinë. Në këtë vit, komiteti ka kryer një kryengritje, për të kërkuar edhe të drejtat si minoritarë. Që prej asaj kohe, kanë pasur lëvizje të shkëputura.

Në Shqipëri është shkruar shumë pak për rolin e kësaj organizate. Së fundmi, studiuesi Auron Tare duke iu referuar arkivave të deklasifikuara të CIA-s amerikane ka zbuluar se kjo organizatë ka qenë tejet aktive në rolin e saj të spiunazhit në Shqipëri. Në vitin 1949 u kryen edhe një sërë aksionesh të zbulimeve të huaja perëndimore në vendin tonë.
KEVA janë inicialet e asaj që në gjuhën greke është përcaktuar si “Komiteti Qendror i Çështjes së Epirit të Veriut”.

Ndërsa është dokumentuar roli i saj në fushën e spiunazhit dhe rekrutimit në territorin shqiptar në vitet e turbullta 1949-1950, me kalimin e dekadave kjo organizatë ka vazhduar aktivitetin e saj por edhe e ka përforcuar atë. Krerët e saj kanë qenë njerëz nga më të rëndësishmit në qarqet politike dhe fetare greke. KEVA, në vitet ‘70-‘90 ka pasur një bazë të fortë ekonomike dhe infrastrukturore, për mbajtjen e lidhjeve në Shqipëri, lobimin në senatin Amerikan, si dhe ushtrimin e presionit mbi qeverinë greke, sidomos për mbajtjen në fuqi të ligjit të luftës me Shqipërinë. KEVA në Greqi drejtohet nga krerë të lartë të Kishës Ortodokse dhe të qeverisë greke, ndërsa aktiviteti i saj intensiv në Shqipëri vazhdon edhe sot e kësaj dite.

TARE: KEVA, E LIDHUR ME QEVERITARËT SHQIPTARË
Sipas studiuesit Auron Tare, KEVA është e lidhur me qeveritarët shqiptarë. “KEVA ka pasur një objekt shumë të qartë: shkëputjen e Shqipërisë së Jugut për llogari të pretendimeve territoriale greke. Organizata KEVA, mjaft aktive edhe në ditët tona në Greqi dhe ne diasporën helene, mban lidhje të ngushta me disa prej politikanëve dhe anëtarëve të qeverisë së sotme shqiptare. Dokumenti amerikan i Shërbimit Sekret flet qartë mbi rolin në spiunazh aktiv të KEVA-s në vitin 1949 nga regjimi komunist në Shqipëri. Nga ky fakt lind pyetja legjitime: Po sot me çfarë merret kjo organizatë?”,–shkruan studiuesi në fund të një artikulli të shkruar prej tij dhe të botuar në vitin 2013, në lidhje me organizatën KEVA.
 
QEVERIA VORIO-EPIRIOTE E 1914-s 

Vorio Epiri ka shpallur pavarësinë e tij më 17 Shkurt 1914, që do të thotë se për dy ditë “festojnë” 100 vjetorin e Pavarësisë. Qeveria vorio- epirote ka qenë kjo:
1. Jorgji Zografi – kryeministër;
2. Vasilios – mitropolit i Gjirokastrës
3. Germanos – mitropolit i Korçës
4. Spiridon – mitropolit i Konicës
5. Aleksandër Karapanos – ministër i Jashtëm
6. Dhimitris Dhulis – ministër i Luftës
7. Jorgos Paramenidhis – ministër i Ekonomisë
8. Jorgos Dhimas – zëdhënës i Epirit dhe Athinës
 
KRYENGRITJA E EPIRIT TË VERIUT MË 1914
Nën drejtimin e Dhimitris Dhulis-it u drejtuan batalionet e shenjta. Më 7 Janar 1914, 1200 ushtarë grekë pa uniformë dhe kriminelë ordinerë të ardhur nga Greqia, u betuan para mitropolitit grek të Korçës Germanos, Kondulit dhe Sulios-it.
 
Më 9 Shkurt 1914 renegati Spiro Milo, krijoi grupin e tij. Sipas renegatit Vasil Kondi (i riu), qeveria greke e pati ndihmuar Milon me 500 pushkë. Më 13 Shkurt 1914, organizimi ushtarak u bë edhe në Gjirokastër dhe në Delvinë.

Më 22 Shkurt, Jorgji Zografi ka pasur një takim me kryeministrin Venizellos, ku është thënë shprehimisht: “Duhet të marrim metrat tona”.
Grekët e pranojnë edhe vetë se më 22 mars 1914, 130 të burgosur kretanë me në krye kryeparlamenarë grekë, u nisën në Shqiëri për të luftuar kundër shqiptarëve. Pak ditë më vonë janë nisur edhe 170 vetë të tjerë nën drejtimin e njëfarë Josif Anagnostaki.

KRIJIMI I “KRAHINËS AUTONOME TË VORIO-EPIRIT”
Mitropolitë e Korçës dhe Gjirokastrës, që drejtoheshin nga Germanos-i dhe Vasilios-i, u bënë vatra të vërteta të mbështetjes së akteve terroriste. Për shembull, në mitropolinë e Korçës ushtaraku Papulias ka thënë: “Të japim jetën me çdo çmim për çështjen e helenizmit”.
Në këtë opinion ai shprehet se “Greqia duhet të kërkojë me ngulm të drejtën e vorio-epirotëve për vetëvendosje, ashtu sikurse kërkojnë kosovarët për veten e tyre”. Sipas Dhimitris Gjeorgjiu, drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes së Greqisë, Kosova dhe “Epiri i Veriut” janë raste të ngjashme dhe si të tilla nuk mund “të ketë dy qëndrime të ndryshme në dy çështje të njëjta”.

Ai e argumenton këtë duke thënë se “vorio-epirotasit” janë çliruar nga “zgjedha” shqiptare tri herë deri më tani. Sipas tij, herën e parë janë çliruar në vitet 1912-1913, kur ata zhvilluan kryengritje. Sipas historiografisë sonë por edhe autorëve të ndryshëm të huaj, këto vite janë pjesë e Luftës Ballkanike, ku shteti i sapoformuar dhe ende i panjohur shqiptar (njohja e Shqipërisë u bë në korrik 1913) kishte juridiksion vetëm në zonën e Vlorës dhe rrethinat e saj, ndërkohë që pjesa tjetër e vendit u bë arenë pushtimi nga serbët në veri dhe grekët në jug.
 
Periudha e dytë e “Vorio-Epirit të pavarur”, sipas Dhimitris Gjeorgjiu është viti 1914, kur u krijua edhe “Krahina Autonome e Vorio-Epirit”, në bazë të “Protokollit të Korfuzit”, që sipas Gjeorgjiut ishte pasojë e kryengritjes së “vorio-epirotëve” “duke dëbuar ushtrinë shqiptare dhe duke detyruar Fuqitë e Mëdha, por edhe Shqipërinë që të nënshkruajnë ‘Protokollin e Korfuzit’”, e që e kjo kryengritje ishte pasojë e faktit që “popullsia e saj (“Epirit të Veriut”) ishte në shumicë dërrmuese greke”.

DISA ORGANIZATA TË TJERA ANTI-SHQIPTARE TË VORIO EPIRIT
KEVA nuk është e vetmja organizatë anti-shqiptare e Vorio-Epirit. Ekzistojnë edhe disa organizata të tjera, të cilat janë aktive në veprimtarinë e tyre.
 
SFEVA- (Sintoniksi Fititiki Enosi Vorioepiritiko Agona- Komiteti Koordinues Studentor i Luftës për Vorio-Epirin). Është organizata më kryesore që merret me propagandën antishqiptare, e cila është krijuar në vitin 1982.
 
ENVI- (Efnikis Neollaias Vorio Ipiras- Bashkimi i Rinisë Vorio- Epirote).  Në thelb të programit të saj ka hapjen e shkollave dhe kurseve në gjuhën greke, financimin e aktivistëve vorio-epirotë dhe të qeverisë në mërgim të Vorio- Epirit.
 
MAVI vepronte edhe në kuadër të EDES-it (Lidhja Kombëtare Demokratike Greke). MAVI njihet gjithashtu në kohën e sotme për sulmin e kryer kundër Postës Kufitare të Peshkëpisë më 10 prill 1994, ku u vranë dy ushtarakët shqiptarë Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini.
 
POAKA- (Organizata Panepirote e Amerikës), e krijuar më 1942 në Nju-Jork. Më 1981 në këtë organizatë u përfshinë edhe homologia e saj në Kanada dhe më 1983 ajo e Australisë.
 
PEOF- (Organizata e Studentëve të Selanikut). Kjo organizatë është një grupim studentor në varësi të universitetit shtetëror të këtij qyteti dhe përveç specializimeve të posaçme për çështjet epirote të studentëve të saj, ndër të cilët edhe minoritarë, thuhet se e ka shtrirë veprimtarinë e vet edhe në Gjirokastër.
 
IYAPOE- (Instituti i Pritjes dhe Rikthimit të Homogjenëve Grekë) është një institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, në lidhje të ngushtë me shërbimin sekret grek EYP.

IYVE- (Instituti i Kërkimeve Vorio-Epirote) me qendër në Janinë.

Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Opozita jugkoreane me mocion për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së presidentit

Opozita jugkoreane me mocion për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së presidentit