TIRANË - Zëdhënësi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë thotë në një prononcim për Report TV se pozimi i modeleve me fustane nusërie në objektet e shenjta fetare, nuk është rasti i parë kur ambientet e Kishës përdoren për qëllime jashtë fesë pa lejen e këtij Institucioni.

Thoma Dhima tha se sipas marrëveshjes së firmosur mes Kishës dhe shtetit, asnjë veprim nuk mund të bëhet pa marrë më parë miratimin e Kishës, por në rastin e reklamimit të fustaneve të nusërisë që salloni i bukurisë "Frida" ka bërë në Kishën e Beratit dhe Elbasanit, Kisha Ortodokse nuk ka pasur asnjë dijeni.

Të gjitha objektet sqaroi ai, janë në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve, por marrëveshja duhet respektuar për të marrë aprovimin e Kishës.

"Është një përdhosje dhe një shkelje marrëveshjes. Këto janë objekte të shenjta që i shërbejnë lutjeve të besimtarëve, nuk janë objekte për muze apo për të bërë shfaqje. Edhe veshja e nuseve, nuk mund të hipin mbi fronin e dhespotit apo në pozë para ikonave të shenjta sikur të jetë një muze laik", u shpreh për Report TV zëdhënësi i Kishës Ortodokse Autoqefale, Thoma Dhima. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)