Thoma Thomai rrëfen se të gjitha elementët e kësaj pikture kanë qenë interesante: “Mënyra sesi i ka harmonizuar figurat, ngjyrat, të gjitha janë bërë me përkushtim”, thotë skulptori, duke shtuar se “Edi Rama ka qenë një piktor shumë i mirë dhe punonte me shumë këmbëngulje. Ç’të them unë më tepër për këtë vepër. Unë nuk kam qenë në komision kur u zgjodh vepra për fondin e Galerisë Kombëtare, por e mbaj mend që ishte një nga punët më të mira, më të vlerësuara dhe me një tematikë të vështirë. Kemi diskutuar shpesh për vlerat e saj. E bukur është kjo vepër edhe sot”. Piktura “Pikëllimi i netëve kosovare” e vitit 1989 e Edi Ramës ka zgjuar reagime të ndryshme.
Edhe pse kjo është një pikturë që tek kolegët, profesorët dhe miqtë më të ngushtë ka mbetur në kujtesë, duket habi që disa piktorë dhe skulptorë të atij brezi nuk kanë njohuri rreth kësaj pikture, edhe pse ka qenë prej vitesh pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare. “Pse ju befason kjo pikturë. Unë e kam thënë Edi Rama ka qenë një piktor shumë i mirë, ka qenë përfaqësues nga më të mirët e brezit tonë. Artisti vlerësohet me vepra, jo me opinione”, thotë miku i tij L.L., piktor, i cili refuzon të shprehet me tej, sepse mendon se “tani që është kryeministër, do ma marrim vlerësimin e tij si servilizëm politik. Megjithëse ne i kemi pushtetet të ndara; unë në studion time dhe kryeministri në zyrën e tij, flasim njëherë tjetër për këtë vepër, vetëm jo sot që doli lajmi”, thotë piktori duke ndërprerë rrëfimin.
Nuk kam munguar komentet ku është vënë re se piktura e Edi Ramës është interesante dhe surprizuese, as ata që habiten kur vënë re një lidhje të fortë të piktorit me çështjen kosovare. Skulptori Thoma Thomani, e kujton shumë mirë këtë pikturë dhe befasinë që ka shkaktuar ajo në kohën kur u krijua, por edhe debatet. Edi Rama ka qenë vërtetë një piktor i talentuar. Dhe kjo ishte një pikturë shumë e mirë, thotë ai, -ndaj dhe pati diskutime për vlerat e saj. Mbaj mend që titulli i parë ka qenë “Varrimi i Azem Galicës”, por piktura është tepër simbolike, merr kuptimin që i kushtohet heroit, martirit të çështjes kosovare”. Skulptori Thoma Thomai shprehet se piktura e Edi Ramës nuk ka si motiv varrimin e Jusuf Gërvallës, siç është shprehur Gjergj Marko, por të Azem Galicës.
Ndërsa pas kësaj bisede ai shprehet se “pavarësisht se kujt i kushtohet, detajet piktorike janë gjithmonë në funksion të shprehjes, por duhet pasur kujdes me dedikimet se imazhi mund të keqinterpretohet”. Skulptori Pjerin Konikaj thotë se Edi Rama spikati me gjetjet e veçanta kompozicionale në vitet ’80, kur ia kushtoi veprën çështjes kosovare. “Edi Rama ka intriguar me mënyrën sesi e paraqiti varrimin e Azem Galicës mbi një shpellë, pezull. Kjo gjë dilte jashtë skemave të realizmit socialist, por në vlerësimin që iu bë veprës ai pati fat, sepse në fundin e viteve ’90 sapo kishte filluar të motivohej forma e re e shprehjes. Megjithatë, Edi Rama e paraqiti me shumë guxim këtë vepër në trajtë kubiste dhe duke i bashkuar edhe motivin tepër kompleks të fatit të Kosovës, ia arriti të realizonte një nga pikturat më të më të mira”
Kujt i dedikohet vepra
Piktura aktualisht ruhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve me një titull më gjithëpërfshirës “Pikëllimi i netëve kosovare”, siç janë edhe temat që prek autori. Perceptimet për pikturën moderne janë gjithmonë të ndryshme, ndërsa kritika ka mënyrën e saj origjinale të vështrimit. “Pikëllimi i netëve kosovare” ndryshe ka mbetur në kujtesën e njërit nga anëtarët e komisionit të ekspozitave që zhvilloheshin para viteve ’90 në Galerinë Kombëtare, Gjergji Marko, i cili edhe pse i ka përpara syve që nga ajo kohë detajet dhe ngjyrat e veprës, duke u shprehur edhe se e ka pëlqyer jashtëzakonisht këtë vepër, ka bërë një lapsus dhe gabimisht është shprehur një ditë më parë për gazetën se piktura i është dedikuar varrimit të Jusuf Gërvallës.
Pavarësisht se piktura me heronjtë dhe heroizmin që shfaqet në vepër është gjithëpërfshirëse, duhet saktësuar se në pikturën e Edi Ramës që trajton çështjen e luftës për pavarësinë e Kosovës, personazh është Azem Galica. Por, në tërësi, po të vëresh detaje të tjera të tablosë është krijuar tashmë një kod simbolik që shpreh gjithë betejën historike të luftës së kosovarëve për pavarësi.
Shkrimi u publikua sot (06.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)