Përgatitjet në kuadër të titullit “Tirana Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”, që kryeqyteti do ta mbajë së bashku me Aleksandrinë e Egjiptit vitin e ardhshëm, Bashkia tashmë i ka nisur. Pikërisht për këtë në zyrën e kryebashkiakut Veliaj kishte mbërritur një delegacion përfaqësuesish nga Unioni për Mesdheun dhe Anna Lindh Foundation,
“Kemi pas një eksperiencë fantastike me reputacionin e Tiranës për kryeqytetin e Sportit, kryeqytetin e Rinisë. Këtë vit ne drejtojmë B-40, që është rrjeti më i madh i bashkive në Ballkan, dhe vitin tjetër do të jemi së bashku, me shpresë edhe me Konventën e madhe të të gjithë rrjetit të fondacioneve ‘Anna Lindh’. Jam vërtet mirënjohës që i keni besuar Tiranës këtë titull”- tha Veliaj.
Ambicien që 2025-a të jetë një vit plot art dhe Veliaj e evidentoi qartë, ndërsa përmendi edhe përfshirjen e gjimnazeve të kryeqytetit.
“Do bëjmë maksimumin që, bashkë me Aleksandrinë, të kthehemi një urë e fortë në Mesdhe. Eksperienca e shumë artistëve tanë, duke filluar nga kryeministri artist, deri tek shumë artistë, që na kanë nderuar në bienale e ndryshme apo që janë edhe artistë lokalë, që po punojnë me shkollat e mesme, duke futur kulturën e artit që në një moshë të re”, tha Veliaj.
Objektiv i rëndësishëm i aktiviteteve do të jetë sigurisht edhe në funksion të turistëve në Tiranë.
“Duam që viti i kulturës të jetë një vit jo vetëm për 1 milionë qytetarët e Tiranës, të cilët jetojnë këtu, por edhe për fluksin e turistëve, të njohin një Tiranë ku patjetër që hahet mirë, ku patjetër që ka mot të mirë, ku patjetër ka mikpritje, po ku ka edhe art, edhe kulturë”- u shpreh Veliaj.
Josep Ferré, Drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Anna Lindh”, u shpreh se Tirana ka shumë se çfarë t’i ofrojë botës, si për pjesën historike të saj, ashtu dhe për zhvillimin e saj të viteve të fundit.
Në Nëntor 43 Shtetet Anëtare të Unionit për Mesdheun shpallën Tiranën dhe Aleksandrinë dy Kryeqytetet e para të Kulturës dhe Dialogut, dhe do ta mbajnë këtë titull përgjatë gjithë vitit 2025.