Shqipëria do të përfitojë 185,6 milionë euro të tjera nga Plani i rritjes. njoftimi u bë sot nga Komisionerja europiane për zgjerimin Marta Kos, gjatë takimit në Tiranë me drejtues të 6 vendeve të Ballkanit, ku u diskutua pikërisht për programin e BE në mbështetje të zhvillimit të rajonit.

Në dispozicion të Shqipërisë, Plani i Rritjes, programi i BE-së në mbështetje të vendeve të Ballkanit, parashikon një fond prej 922 milionë eurosh. Deri më tani vendi ka përfituar mbi 212 milionë, përmes tre pagesave.

Marta Kos tha se Shqipëria është gati të përfitojë pagesën e katërt. Arsyen, Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos e lidhi drejtpërdrejtë me përmbushjen e reformave, ku Shqipërinë dhe Malin e Zi i veçoi mes vendeve që kanë ecur më shpejt me zbatimin.

“Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave të duhura dhe do të marrë 185,6 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mali i Zi ka vënë në zbatim 84% të reformave, që do të thotë se do të marrë 81 milionë euro”, tha Kos.

Me këtë shumë, vlera e mbështetjes për Shqipërinë shkon në afro 400 milion euro. Pas takimit, Kos tha se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia do të përfitojnë një shtesë nga fondet e pashfrytëzuara nga tre vendet e tjera

“Vendet që përmbushin angazhimet e tyre për reforma përfitojnë financim. Performanca individuale do të jetë gjithnjë e më shumë parimi udhëheqës. Ka një mbështetje të fortë nga shtetet anëtare për këtë qasje, të cilën ne e quajmë të bazuar te merita”, tha Kos.

Për kryeministrin Edi Rama, ky është momenti që qytetarët të përfitojnë drejtpërdrejtë nga integrimi në tregun e përbashkët përpara anëtarësimit.

“Ne të gjithë kemi mbrojtur idenë se qytetarët tanë s’duhet të presin për të korrur përfitimet e integrimit në tregun e përbashkët. Qytetarët tanë duhet të gëzojnë që tani, gradualisht, të drejtat që gëzojnë qytetarët e BE-së”, theksoi Rama.

Nuk ka një datë fikse se kur integrimi do të bëhet realitet, por objektivi për përmbylljen e negociatave vitin e ardhshëm do t’i hapte dyert vendit, për hapin e radhës. Kos tha se nëse procesi i negociatave me Shqipërinë ecën sipas parashikimit, në 2028 mund të nënshkruhet Traktati i anëtarësimit, ndërsa brenda vitit 2030 vendi unë mund të ulet në tryezën europiane.

“Kur gjysma e kapitujve të mbyllen, shtetet anëtare do të krijojnë grupin e punës për traktatin e anëtarësimit, që mund të nënshkruhet në vitin 2028. Varet nga vizioni i qeverisë suaj, ratifikimi, edhe vizioni i qytetarëve. Shqipëria mund të bëhet vend anëtar i BE-së deri në vitin 2030”, vijoi Kos.

Kryeministri Rama është i qartë se kjo është një mundësi që nuk duhet humbur. Duke thënë se Shqipëria është më afër se kurrë Bashkimit Europuan, Rama theksoi se nuk presin asnjë “dhuratë” dhe se detyrat do t’u zbatojnë “pikë për pikë”.

“2027 do të jetë viti i Shqipërisë, për ne s’ka si të jetë viti i dikujt tjetër, ne s’do lëmë asgjë mangut duke i plotësuar të gjitha detyrat, se e kërkon e nesërmja e fëmijëve tanë, na imponon që ti bëjmë pikë për pikë këto detyra., në funksion të konsolidimit të institucioneve, flasim sa të duash për atë e ato, por diferencën e bëjnë institucionet”, u shpreh kryeministri.

Në përfundim, Komisionerja për Zgjerimin u ndal edhe te protestat në Tiranë e duke kërkuar dialog.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:21
Rama ndan pamje nga takimet me Marta Kos: 48 orë të mbushura me Europë për Ballkanin Perëndimor (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në llogarinë e tij në Facebook një përmbledhje me pamje nga takimet dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë dy ditëve në kuadër të Samitit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku ishte e pranishme komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

“48 orë të mbushura me Europë për Ballkanin Perëndimor”, shkruan Rama, ndërsa shoqëron videon me disa prej deklaratave të tij gjatë aktiviteteve.

Mes tyre, kryeministri rikthen edhe mesazhin për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

“Ua kam thënë kur as Marta nuk e thoshte, 2030 është viti që duhet të kemi ndër mend sa herë merremi me politikë. 2030 në BE, të tjerat vijnë pas kësaj”, citohet Rama.

Ora 13:08
Protestat/ Kos: Duhet dialog, të diskutohen çështjet që ngrenë protestuesit dhe shoqëria civile! Uron shqiptarët për 28 nëntorin (VIDEO)

 

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos foli edhe për protestat dhe bëri thirrje për dialog. Ajo shprehu besimin se Shqipëria mund t’i përmbushë objektivat e integrimit dhe teksa uroi shqiptarët për Ditën e Pavarësisë, kujtoi rrugën që ka kaluar Shqipëria deri më sot në rrugën drejt BE.  

“Udhërrëfyesit që kemi përgatitur janë shenjë e besimit tonë se Shqipëria mund t’i arrijë këto rezultate. Por është edhe përgjegjësia jonë ta bëjmë punën tonë. Që nga dita kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat, detyra jonë është ta ndihmojmë.

Situata gjeopolitike është e tensionuar, por kjo e ka shtyrë përpara procesin e zgjerimit. Vendet kandidate, Komisioni Europian dhe shtetet anëtare janë si brinjët e një trekëndëshi. Ne duam të punojmë për t’i ndihmuar vendet kandidate dhe për t’ua bërë të mundur transformimin e shoqërive dhe të ekonomive të tyre.

Rruga para nuk është e lehtë, por sa kohë që diskutojmë edhe vështirësitë, edhe çështjet që dalin nga protestuesit dhe përfaqësues të shoqërisë civile, dialogu është ai që duhet të ekzistojë.

Ju keni përpara 28 Nëntorin. Gëzuar Pavarësinë të gjithë shqiptarëve! Kur flasim për ditë të rëndësishme në kalendarët e vendeve tona, të mos harrojmë rrugën që ka bërë Shqipëria, nga një vend i izoluar deri aty ku është sot. Sa shumë energji mund të krijohet kur qytetarët e një vendi besojnë tek e ardhmja e tyre europiane dhe qeveria ndjek dëshirën e tyre.

Keni arritur shumë. Jeni anëtarë të NATO-s dhe jeni në rrugën për t’u bërë pjesë e BE-së. Keni zënë vendin tuaj në komunitetin ndërkombëtar pas një periudhe kur ishit tërësisht të izoluar. Keni zënë vend edhe në hartën botërore të turizmit”, tha Kos.

Ora 13:00
Shqipëria në BE deri në 2030, Rama: Ua kam thënë para se ta thoshte Marta Kos! Të papriturat s’i kemi në dorë, detyrat po (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria duhet të shfrytëzojë momentin aktual për anëtarësimin në Bashkimin Europian, pasi dera e BE-së mund të mbyllet edhe për arsye që nuk varen nga vendi ynë. Duke iu referuar krizave të paparashikuara me të cilat është përballur gjatë qeverisjes, Rama tha se Shqipëria duhet të përqendrohet te përmbushja e detyrave të saj, duke mbajtur si objektiv kryesor anëtarësimin në BE në vitin 2030.

“Si mund të jetohet duke pasur druajtje nga gjërat që s’i kontrollon ti? Nuk jetohet dot. Për më tepër që fati, rasti e solli që unë të kem të bëj në këtë detyrë me gjëra shumë të rënda, që s’i kam pasur dhe s’i ka askush në dorë. Tërmet, bie tërmeti dhe duhet të rikonceptosh gjithçka që ke planifikuar, se duhet fokusuar energjia e shtetit tek ata që goditen nga tërmeti. Vjen pandemia, duhet të rimendosh gjithçka, se duhet të përballesh me diçka që s’e parashikoje dot. Plas një luftë larg nga këtu, vjen rritja e çmimit të energjisë, edhe këtu duhet të rikonceptosh çfarë ke planifikuar.

Kjo është jeta dhe një kryeministër të famshëm të Britanisë së Madhe, kur e pyetën nga çfarë ke frikë, tha: ‘Nga ngjarjet’, se vetëm ato nuk i planifikojmë dot. Duke qenë se unë u bëra më gjatë se ai në detyrë, nuk mendoj për çfarë nuk kam në dorë. Ajo që kemi në dorë është të bëjmë detyrën tonë.

Unë vazhdoj me sloganin e Loro Boriçit, që kur vajti në Kinë t’u mësonte futboll kinezëve, filloi shiu, kinezët ikën me vrap se s’e dinin që futboll luhet në shi. ‘Shiu ka punën e vet’, u tha, ‘ne kemi punën tonë’.

Puna do na nxjerrë në dritë, thonin rilindësit. Ne do bëjmë detyrat dhe do t’i bëjmë edhe më mirë. Shi apo diell, ne s’e kemi në dorë. Por sot dera e BE-së është e hapur dhe sot, si asnjëherë më parë, edhe kushtet janë që ne ta kapërcejmë pragun. Por ne duhet të nxitojmë, se ajo derë mund të mbyllet, jo për arsyen tonë, por...

Ua kam thënë kur as Marta nuk e thoshte, 2030 është viti që duhet të kemi ndër mend sa herë merremi me politikë. 2030 në BE, të tjerat vijnë pas kësaj.”

Ora 12:56
Integrimi në BE, Kos: Vit vendimtar për Shqipërinë! Keni bërë reformën e drejtësisë në një shkallë shumë të madhe (VIDEO)

 

Marta Kos në konferencën e përbashkët për shtyp me Ramën tha se ky është një vit vendimtar për Shqipërinë për anëtarësimin në BE.

“Për të gjithë kapitujt e tjerë, pesë të tjerët shpresojmë që do të mbyllen deri në fund të këtij viti. Sundimi i ligjit reforma në drejtësi në thelb të asaj që Shqipëria ka bërë, është një nga vendet që ka bërë reformën e drejtësisë në një shkallë shumë të madhe. Na duhet gjyqësor efektiv i pavarur. Reformat të vihen në zbatim në të gjitha fushat. Sa më gjithëpërfshirës të jetë procesi aq më mirë për qytetarët, të kuptojnë cfarë të mire sjellin për ta këto ligje të reja. Do të vi gjithnjë e më shpesh në vitin e ardhshëm. Mund të jetë viti vendimtar për Shqipërinë. Ne kemi mësuar shumë gjatë procesit të anëtarësimit të Malit të Zi, cfarë gjithëpërfshirje duhet. Zgjerimi nuk mund të ndodhë pa shtetet anëtare. Puna jonë do të jemi më të pranishëm në shtetet anëtare, dhe t'i tregojmë se çfarë ka bërë Shqopëria”,  tha Kos.

Ora 12:53
Pse në 13 vite s’e futët vendin në BE? Rama Rama: Në 2027 nis përgatitja e traktatit të anëtarësimit, jemi më afër se asnjëherë (VIDEO)

 

Përgatitja e traktatit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE pritet të nisë në vitin 2027, tha kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos. I pyetur pse vendi ende nuk është anëtarësuar pas 13 vitesh qeverisjeje, Rama tha se Shqipëria është “më afër se asnjëherë” pranë BE. 

"Anëtarësimi në BE nuk është si shkollimi, ku ke një datë të përcaktuar. Ti shkon në shkollë, mbaron gjimnazin, pastaj futesh në universitet dhe merr diplomën, gjithmonë në rast se i bën siç duhet detyrat. Anëtarësimi në BE nuk ka një datë dhe nuk ka pasur asnjëherë për askënd. Shqipëria ka pasur ato tri vitet e poshtërimit, kur Komisioni Europian certifikonte se ne i kishim bërë detyrat dhe një shtet thoshte jo. Ky është një proces që, për sa na takon, duhet parë si një mundësi unike për ne dhe për çdo vend që ka perspektivë europiane, për të nxjerrë më të mirën nga vetja dhe për të ndërtuar shtetin për të cilin kanë nevojë qytetarët dhe që ne nuk e ndërtuam dot për 500 vjet. Sot po e bëjmë falë këtij procesi.

Anëtarësimi vjen me shumë të mira të tjera, por ndërkohë alternativa jonë e vetme është të vazhdojmë të punojmë dhe, duke kryer detyrat, të përmirësojmë gjithçka që lidhet me shtetin. Është një proces dinamik. Të kërkosh një datë do të thotë të mos kuptosh se si funksionon procesi. Datat mund të vendosen si objektiva, por mund të lëvizin, sepse janë 27 vende që duhet të bien dakord për çdo hap. Nëse ne kemi bërë diçka unike, duke hapur të gjithë kapitujt në një kohë rekord në historinë e integrimit në BE, kjo ka ardhur si rezultat i faktit që ne kemi bërë detyrën. Por edhe të 27 vendet kanë qenë gati të thonë se detyra është kryer. Për herë të parë në gjithë këto vite, në progresraport është shfaqur një togfjalësh për fillimin e përgatitjes së traktatit të anëtarësimit vitin e ardhshëm. Jemi më afër se asnjëherë, por çdo ditë duhet të punojmë sikur të jemi më larg se asnjëherë", tha Rama. 

Ora 12:46
Kur do të futet Shqipëria në BE? Marta Kos: Në fund të 2027-ës mund të jemi pranë mbylljes së negociatave, në 2028 nënshkrimi i traktatit, anëtarësimi deri në 2030 (VIDEO)

 

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha se Shqipëria mund të jetë shumë pranë përfundimit të negociatave të anëtarësimit në fund të vitit 2027, nëse jep rezultate në reforma dhe merr dritën jeshile nga vendet anëtare. Sipas saj, traktati i anëtarësimit mund të nënshkruhet në vitin 2028, ndërsa Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian deri në vitin 2030.

“Siç mund ta vini re, zgjerimi po ndodh. Ky vit do të jetë viti më i suksesshëm i zgjerimit në 25 vjet. Zgjerimi i fundit ishte me Kroacinë, tani po mbyllim me Malin e Zi dhe një nga vendet që ka kontribuar në këtë sukses është edhe Shqipëria.

Sa u përket udhërrëfyesve, ne kemi thënë që Shqipëria mund t’i përmbyllë kapitujt e negociatave nëse do të ketë rezultate në reforma dhe nëse shtetet anëtare do të japin dritën e gjelbër për Shqipërinë. Nëse ndodhin këto, vitin e ardhshëm, rreth kësaj kohe, do të jemi shumë pranë fundit të negociatave.

Hapi i mëtejshëm do të jetë që, kur gjysma e kapitujve të mbyllen, shtetet anëtare do të krijojnë grupin e punës për traktatin e anëtarësimit, që mund të nënshkruhet në vitin 2028. Varet nga vizioni i qeverisë suaj, ratifikimi, edhe vizioni i qytetarëve. Shqipëria mund të bëhet vend anëtar i BE-së deri në vitin 2030" tha Kos. 

Ora 12:43
Integrimi, Kos: Zgjedhjet politike do të ndikojnë në rrugën drejt BE (VIDEO)

 

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama tha se rruga drejt BE-së do të varet edhe nga zgjedhjet politike që do të mbahen në vendin tonë por edhe në rajon.

Vendet që nuk i përmbushin reformat nuk ecin përpara. Mali i Zi ka zbatuar 94% të reformave, Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të përfitojë 185.6 milionë euro. Ne do të rrisim financimin për rezultatet që kanë më shumë ndikim. Maqedonia e Veriut do të përfitojë po ashtu. Vendet që përmbushin angazhimet e tyre për reforma përfitojnë financim. Performanca individuale do të jetë gjithnjë e më shumë parimi udhëheqës. Ka një mbështetje të fortë nga shtetet anëtare për këtë qasje, të cilën ne e quajmë të bazuar te merita.

Këtu shoh një mundësi jo vetëm për tre vendet që përmenda, por edhe për shtete të tjera. Në Serbi shoh qëndrueshmëri, në Kosovë ka zhvillim dhe po ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut.

Më shumë se kurrë zgjedhjet politike do të ndikojnë në rrugën drejt BE. Ne duam të hapim më shumë pjesë të tregut të përbashkët dhe të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën digjitale. Do të shqyrtojmë me secilin vend kandidat në mënyrë individuale dhe do të diskutojmë edhe për ide dhe se si ky integrim gradual mund të sjellë më shumë siguri”, tha Marta Kos.

Ora 12:34
Integrimi/ Rama krah Kos: 2027-a do të jetë viti i Shqipërisë! S’kërkojmë dhurata nga BE-ja, do t’i bëjmë detyrat pikë për pikë (VIDEO)

 

Në konferencën e përbashkët me komisioneren europiane për Zgjerimin, Marta Kos kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria e sheh 2027-ën si vitin e saj në procesin e integrimit në BE. Rama tha se qeveria do t’i plotësojë detyrat pikë për pikë dhe duke iu referuar me humor Kos-it si “zysha që kam në krah”, theksoi se reformat i kërkon e ardhmja e vendit. Ai shtoi se Shqipëria nuk kërkon as dhurata, as mbyllje të syve nga Brukseli.

“Ne kemi një qartësi të plotë për vitin 2027. Komisionerja thotë se 2027-a do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin Europian. Për ne, çdo vit është viti i Shqipërisë dhe nuk ka si të jetë viti i dikujt tjetër. Ajo që është e sigurt është se ne nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë për të përmbushur detyrat që kemi, sepse këtë na e kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë dhe e vendit tonë. Na imponohet që t'i kryejmë këto detyra pikë për pikë.

Detyrat që kemi në funksion të anëtarësimit në BE janë njëkohësisht në funksion të modernizimit të Shqipërisë, përmbylljes së shtetbërjes europiane dhe konsolidimit të institucioneve. Diferencën e bëjnë institucionet. Ato janë ato që na dallojnë ende nga vendet të cilave duam t'u ngjajmë sa më shumë. Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë, asnjë rrugë të shkurtër dhe as mbyllje sysh. Kërkojmë vetëm të marrim përsipër detyrat tona dhe t'i përmbushim ato në maksimum. Marta, edhe një herë, meqë kjo është vizita jote e fundit për këtë vit, të falënderoj për gjithçka që ke bërë për ne, për Shqipërinë dhe për rajonin, së bashku me ekipin tënd. Uroj që viti i ri të jetë më i miri i të gjithë viteve për ty, sepse sa më i mirë të jetë për ty, aq më i mirë do të jetë edhe për ne, në funksion të objektivit të shqiptarëve, që është integrimi në BE", tha Rama. 

Ora 12:31
Rama: Shqipëria merr 15% fonde shtesë nga Plani i Rritjes, 20 mln euro të kursyera nga SEPA! Në 2027 synojmë uljen e tarifave të roaming-ut (VIDEO)

 

Shqipëria do të përfitojë 15% fonde shtesë nga Plani i Rritjes, përmes rishpërndarjes së fondeve që vendet e tjera të rajonit nuk kanë arritur të përthithin ato.

Në konferencën e përbashkët me komisioneren Marta Kos, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se shqiptarët kanë kursyer 20 milionë euro në 11 muaj falë integrimit në sistemin europian të pagesave SEPA, ndërsa potenciali i kursimeve arrin deri në 71 milionë euro në vit. Rama njoftoi gjithashtu se synohet ulja e tarifave të roaming-ut me BE-në gjatë vitit 2027, ndërsa diskutimet e samitit të sotëm janë fokusuar edhe në thellimin e integrimit ekonomik, investimet në korridoret e transportit, interkonjeksionet energjetike dhe rrjetet dixhitale.

"Shqipëria do të përfitojë 15% fonde shtesë nga Plani i Rritjes, përmes rishpërndarjes së fondeve që vendet e tjera të rajonit nuk kanë arritur të përthithin. Në konferencën e përbashkët me komisioneren Marta Kos, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se shqiptarët kanë kursyer 20 milionë euro në 11 muaj falë integrimit në sistemin europian të pagesave SEPA, ndërsa potenciali i kursimeve arrin deri në 71 milionë euro në vit. Rama njoftoi gjithashtu se synohet ulja e tarifave të roaming-ut me BE-në gjatë vitit 2027.

“Kanë qenë 48 orë të mbushura me Europë për Ballkanin Perëndimor, nga Samiti vjetor i BE-së me Ballkanin Perëndimor në Bruksel, tek konferenca e investimeve BE-Ballkan, në edicionin e dytë në Tiranë, dhe sot samiti i Planit të Ri të Rritjes, i cili për Shqipërinë ecën më së miri dhe, siç e konfirmoi edhe komisionerja, Shqipëria do të marrë nga plani edhe 15% plus shumës së saj, në bazë të kriterit të ndarjes së fondeve që nuk thithen dot nga vendet e tjera.

Katër janë drejtimet e kësaj pune të madhe të përbashkët: reformat, që forcojnë sundimin e ligjit, qeverisjen dhe krijojnë një mjedis konkurrues për biznesin, duke përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe dixhital.

Së dyti, integrimi në tregun e vetëm europian. 11 muaj më parë Shqipëria hyri në sistemin europian të transaksioneve të parasë dhe pagesave dhe në 11 muaj janë përpunuar 788 mijë transaksione prej 8,7 miliardë eurosh. Kursimet deri tani të shqiptarëve, falë hyrjes në këtë sistem, janë 20 milionë euro, ndërkohë që potenciali është deri në 71 milionë euro në vit kursime nga xhepi i qytetarëve dhe bizneseve shqiptare, vetëm nga ky integrim në një sistem të përbashkët europian, jashtë të cilit këto 20 milionë euro do të kishin ikur nga xhepat e shqiptarëve e do të ishin nëpër bankat e Europës.

Nga ana tjetër, regjimi i roaming-ut është duke u shtrirë edhe për qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe për ata që vizitojnë vendet tona. Negociatat kanë nisur në tetor dhe synimi ynë është që në 2027-ën qytetarët të kenë tarifa të reduktuara të roaming-ut. Ne jemi folës aktivë në telefon, ndërkohë që para disa vitesh, kur Vodafone, ne ishim njëshat. Do të jetë një kursim shumë i madh që gjatë 2027-ës qytetarët do ta ndjejnë në ndërveprimet e tyre.

Tre, investimet dhe inovacioni. Konferenca që u mbyll mbrëmë shfaqi të gjithë potencialin e rajonit dhe krijoi premisa për një sërë ndërveprimesh mes bizneseve. BE-ja, përmes Komisionit dhe nën udhëheqjen e drejtorisë së zgjerimit, të drejtuar nga komisionerja, është duke eksploruar hapat e tjerë të integrimit në tregun e përbashkët.

Së katërti, korridoret, interkonjeksionet energjetike, rrjetet dixhitale janë investime në ekonomitë tona për t’u rritur së bashku.

Diskutimi i sotëm shkoi përtej Planit të Rritjes, në funksion të një modeli të integrimit ekonomik më të thellë në tregun europian, duke mos harruar që sa më shumë të integrojmë Ballkanin Perëndimor, do të ndihmojmë ekonomitë tona.” tha Rama. 

Ora 11:09
Plani i Rritjes/ Shqipëria ka përfituar deri më tani 212,8 milionë euro

Shqipëria ka marrë deri tani 212,8 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, prej të cilave 64,5 milionë euro në parafinancim, 99,3 milionë në këstin e parë dhe 49 milionë në të dytin. Në samitin e Tiranës, komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha se Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave të kërkuara dhe do të marrë 185,6 milionë euro të tjera.

Në pjesën tjetër të rajonit, Serbia ka marrë deri tani 167,5 milionë euro nga Plani i Rritjes, ndërsa pagesat e mëtejshme janë pezulluar. Maqedonia e Veriut ka marrë 142,1 milionë euro dhe i janë miratuar 70,9 milionë euro të tjera, ndërsa Mali i Zi ka marrë 91,2 milionë euro dhe pritet të përfitojë edhe 81 milionë. Kosova ka marrë 61,8 milionë euro në parafinancim dhe në nëntor nuk i janë miratuar fonde të tjera për pagesë, ndërsa Bosnjë-Hercegovina nuk ka marrë ende asnjë pagesë.

Ora 11:07
Samiti për Planin e Rritjes, Kos: Komisioni si ka bërë asnjë pagesë Beogradit që nga janari! I kemi dhënë këshilla Listës Studentore se si mund të strukturohen reformat (VIDEO)

 

Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos në fjalën e saj gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor  tha se Serbia duhet të punojë shumë për të rritur rezultate.

Ajo tha se kanë komunikuar me përfaqësuesit e Listës Studentore se si mund të strukturohen reformat që të merren sa më shumë nga plani i rritjes.

“Për Serbinë, axhenda e reformave u hartua së bashku me qeverinë e mëparshme që nuk ofroi rezultate. Komisioni nuk i ka bërë asnjë pagesë Beogradit që nga janari dhe tani ekziston mundësia për një fillim të ri. Ne kemi ofruar këshilla me përfaqësuesit e Listës Studentore se si mund të strukturohen reformat që të merren sa më shumë nga plani i rritjes”, tha Kos.

Ora 10:53
Samiti për Planin e Rritjes, Kos: Qeveria e re e Kosovës, mundësi e re për të pasur një fokus të ri për rrugëtimin drejt BE-së! Do vizitoj vendin në dhjetor (VIDEO)

 

Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos në fjalën e saj gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor u shpreh se Kosova ka një mundësi të re për të rifokusuar përpjekjet drejt Bashkimit Evropian.

Në Kosovë i dashur Albin, qeveria e re është gjithashtu një mundësi e re për të pasur një fokus të ri për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo është mundësi për të arritur reformat që ofrohen nga plani i rritjes dhe për të marrë më shumë fonde. Do të vij në Kosovë në fillim të dhjetorit që të çojmë më tej këtë proces tashmë që i keni të gjitha institucionet. Bosnje-Hercegovina ka nevojë që të ratifikojë marrëveshjet e duhura që të marrë nga Plani i Rritjes”, tha  Kos.

Ora 10:47
Samiti për Planin e Rritjes/ Kos: Integrimi gradual nuk zëvendëson anëtarësimin, do t’i hapim rajonit më shumë sektorë të tregut unik të BE-së (VIDEO)

 

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha në samitin për Planin e Rritjes në Tiranë se BE-ja do t’u hapë ekonomive të Ballkanit Perëndimor më shumë sektorë të tregut unik dhe do t’u mundësojë vendeve të rajonit të marrin pjesë më herët në institucionet europiane në fushat ku po përparojnë më shpejt. Kos theksoi se integrimi gradual nuk e zëvendëson anëtarësimin.

"Do të ketë më shumë Europë përpara anëtarësimit, por integrimi gradual nuk është zëvendësim i anëtarësimit. Ne do të hapim më shumë sektorë të tregut unik të BE-së për ekonomitë tuaja, përfshirë transportin. Do t’ju mundësojmë të merrni pjesë më herët në institucionet e BE-së në ato fusha ku po ecni më shpejt përpara. Dje ishim në Konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor. Pashë interes nga investitorët europianë për mundësitë që ofron rajoni dhe për mënyrat se si këto mundësi mund të zgjerojnë qasjen në tregun unik. Sa më shumë që një vend kandidat i afrohet BE-së, aq më i madh është interesi i investitorëve të huaj. Le ta shfrytëzojmë këtë vit të fundit të Planit të Rritjes për ta përshpejtuar procesin dhe për të zgjeruar mundësitë ekonomike të rajonit", tha Kos. 

Ora 10:39
Samiti për Planin e Rritjes, Kos: Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave, do marrë 185.6 mln € në pagesën e katërt (VIDEO)

 

Marta Kos, tha Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave të parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke përfituar 185.6 milionë euro.

“Faleminderit që na keni mikpritur sërish në Tiranë për një instrument shumë të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor. Të gjithë së bashku do të hyjmë në vitin e fundit të zbatimit 4-vjeçar të Planit të Rritjes. Rezultatet tuaja janë të ndryshme, tre shtete kanë bërë përparim në reforma, kurse tre shtete të tjera nuk i kanë shfrytëzuar ashtu siç duhet.

Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave të duhura dhe do të marrë 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes.  Mali i Zi ka vënë në zbatim 94 %, të reformave, që do të thotë se do të merrni 81 milionë euro. Fondet janë që të shpërndahen për ata që kanë punuar më shumë. Shqipëria dhe Mali i Zi do të marrin 15% më shumë nga Plani i Rritjes, kurse Maqedonia e Veriut do të marrë 10% më shumë. Serbia deri më tani nuk ka marrë fonde nga Plani i Rritjes, por kjo mund të ndryshojë me qeverinë e re”, tha Marta Kos.

Ora 10:33
Samiti për Planin e Rritjes/ Rama: Moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor, qytetarët tanë duhet të përfitojnë që tani nga tregu i përbashkët i BE-së (VIDEO)

 

Në Tiranë ka nisur samiti BE–Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes, me pjesëmarrjen e komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos. Në hapje të takimit, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një moment vendimtar për rajonin dhe Europën, duke theksuar se qytetarët e Ballkanit Perëndimor duhet të përfitojnë që tani nga integrimi gradual në tregun e përbashkët europian.

"Mblidhemi këtu për Planin e Rritjes, në një takim që vlen për të vlerësuar progresin dhe për të parë sfidat që kemi përpara. Nuk ka dyshim se ky është një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor. Nuk ka aspak dyshim se është një moment tejet vendimtar edhe për Europën. Ne kemi qenë entuziastë për nisjen e këtij procesi të ri, që në njëfarë mënyre vuri në lëvizje qasjen e re të integrimit gradual dhe që na mbledh bashkë në tri dimensione: reformat, konvergjenca ekonomike dhe kohezioni rajonal.

Na duhet të themi se vitet e fundit konvergjenca mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është rritur. Megjithatë, ka ende shumë rrugë për të bërë. Ne të gjithë kemi mbrojtur idenë se qytetarët tanë s’duhet të presin për të korrur përfitimet e integrimit në tregun e përbashkët. Qytetarët tanë duhet të gëzojnë që tani, gradualisht, të drejtat që gëzojnë qytetarët e BE-së.

Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk është e mirëqenë dhe se BE-ja është po aq e prirur të na ndihmojë, sa ç’është e prirur të na bjerë me çekiç kokës që të japim rezultate dhe të bëjmë reforma. Është një marrëdhënie ku progresi sjell më shumë pjesëmarrje dhe gatishmëria sjell më shumë mundësi", tha Rama. 

Ora 10:27
Kurti mbërrin në samitin në Tiranë, pritet nga kryeministri Edi Rama (VIDEO)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbërriti në Tiranë për punimet e samitit të Ballkanit Perëndimor për planin e rritjes. Kurti u prit nga kryeministri Edi Rama.

Ora 10:05
Samiti i Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, mbërrin Marta Kos! Pritet nga Rama (VIDEO)

 

Komisionerja Marta Kos ka mbërriti në Pallatin e Brigadave, ku do mbahen punimet e samitit të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes.

Ora 10:01
Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, mbërrin në Pallatin e Brigadave kryeministri Rama dhe liderë të rajonit

Tirana mirëpret sot Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes (Groëth Plan), me temë “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”.

Në Pallatin e Brigadave ka mbërritur kryeministri Edi Rama dhe liderë të tjerë të rajonit.

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
2.3 / 5 (6 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Prit gomar te mbi bar: 27/11/2026 15:20

    Si deri në 2030?

    Përgjigju
  • Cimi: 27/11/2026 14:17

    Kjo Marta Dhalla e di qe ne ende nuk kemi drita 24 ore neper fshatrat 20 km larg Tiranes? E di kjo qe Tirana, kryeqyteti i Shqiperise NUK ka uje 24 ore dhe kercet pompa e pallatit te mbushe depozitat qe ne 5 te mengjesit? Nje lapsus i vogel nga media ndoshta... Shqiperia do te marre 189 Milione Euro. Ne fakt duhet te jete: 189 milione Euro te tjera pritet te vidhen ne vitet e ardhshme se asnje pike nuk do i shkoje popullit.

    Përgjigju
  • Muhabete: 27/11/2026 13:13

    Keto muhabete do kemi edhe ne 2029-2030 kur të jene zgjedhjet e rradhes zyrtare ! BE kete Pune ka dhe partite dhe pushteti me lugén boshe mban shpresa koti

    Përgjigju
  • Hai: 27/11/2026 12:06

    Asnjerismendon per popullin llapa eshte per popullin pore e economia eshte per politiken

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 25 Nëntor, 22:44

    Mendoni se buxheti 2027 do rrisë të ardhurat e qytetarëve?