Në pamje të parë, për shkak të largësisë në kohë, duket se këto dy data nuk lidhen edhe aq me njëra-tjetrën. Por, në një vështrim tjetër, ato kanë të përbashkët zemërimin popullor në demokraci. Në vitin 2013, shqiptarët larguan nga pushteti Sali Berishën me një votë gati plebishitare. Mbi një million votues i thanë « jo » qeverisjes së mëtejshme të tij. Në vitin 2026, zgjedhësit në Hungari larguan, po ashtu në mënyrë plebishitare, Viktor Orbanin nga pushteti duke i thënë « jo » vazhdimit të një qeverisjeje që, në shumë anë, kishte ngjashmëri me atë të Sali Berishës në vitin 2013. Pati shumë komente për fitoren e Petër Magyar në Hungari dhe shumë analiza për humbjen e Orban, por, një shënim i shkurtër, me dy foto- njëra që e paraqiste Orbanin në një moshë të re dhe tjetra në moshën e sotme, shënonte thelbin e transmformimit regresiv të kësaj figure.

Në atë shënim thuhej: ai në krah të majtë është një liberal ëndërrimtar që kërkon ta fusë Hungarinë e tij në Perëndim. Ai në krah të djathtë është një antiperëndimor që i shërben diktatorit rus dhe arkitekti i oligarkisë së korruptuar në vendin e tij. Ky i riu vjen nga shkolla e Fondacionit Soros. Ky i vjetri e ka përzënë Sorosin nga Hungaria. I riu kërkon pushtet për ëndrrën e tij. Ky i vjetri sapo e ka humbur. Çfarë mund t’i thoshin njëri-tjetrit sot nëse do të shiheshin sy më sy? - përfundon ai shënim.

Ky përshkrim i shkon mjaft edhe Berishës dhe ajo që është më interesante është paradigma e njëjtë e neodiktatorëve të Europës Lindore. Lideri i ri hungarez që sfidoi Orbanin ka premtuar se do të shkatërrojë korrupsionin dhe do të luftojë me të gjitha mjetet kundër atyre që kanë shkelur ligjin. Ai madje ka përdorir disa herë edhe fjalën « burg » për të gjithë ata që kanë kryer krime. Ai ka kërcënuar drejtpërdrejt edhe Orbanin duke shpallur se ligji do të rëndojë edhe mbi të.

Nëse e mbani mend edhe Edi Rama, ashtu si Peter Magyar, që për çudi kishte të njëjtën moshë dhe të njëjtën energji, e fitoi mbështetjen plebishitare sepse premtoi një Shqipëri ku do të sundonte ligji dhe një atdhe në të cilin ata që kishin kryer krime do të merrnin ndëshkimin e duhur. Edi Rama e mori pushtetin pas skandaleve të panjohura më parë. Ishte prekur siguria publike sepse serbo-boshnjaku Damir Fazlliç, një mik i familjes së Berishës, kishte marrë pjesë edhe në një mbledhje të Ministrisë së Mbrojtjes përveç aferave të dyshimta në vend. Ishte bërë një marrëveshje për detin që e dëmtonte Shqipërinë dhe dy ngjarje tragjike, Gërdeci me 21 të vrarë dhe më mbi 200 të plagosur dhe 21 janari me katër të vrarë në Bulevard kishin shenjuar epokën e errët të Berishës të cilin shqiptarët e larguan në mënyrë plebishitare në vitin 2013.

Mirëpo sot pas 13 vjetësh, Edi Rama dhe qeveria e tij kanë dështuar plotësisht. Në vend të drejtësisë për të gjithë ata ndërtuan një sistem drejtësie të tipit enverian që imiton prokurorinë e Arianit Çelës. Në emër të Reformës në drejtësi, Edi Rama dhe qeveria e tij ndërtuan një sistem oligarikik drejtësie në të cilin Republika e Prokurorëve, nën emrin e një strukture të posaçme, u kthyen në një organizatë që ushtron trianinë mbi të gjithë sistemin. Sot në Shqipëri nuk ekzitojnë gjykatat. Ato të gjitha janë nën terrorin e republikës së prokurorëve dhe premtimi i Edi Ramës në vitin 2013 se do të ndëshkoheshin krimet për të cilat ai u votua në mënyrë plebishitare, jo vetëm që nuk u mbajt, por ata as po hetohen, por, për çudi, po amnistohen.

Kini parasysh këtu ecejaket e njërit prej viktimava, xhaxhait të Aleks Nikës, i cili, në dëshpërim e sipër kërkoi, t’i drejtohej Kuvendit sepse SPAK nuk po heton. Republika e Prokurorëve ka shënuar rekordin më të padëgjuar më parë. Një njeri nga rruga, duke shkelur të gjitha kriteret është futur në sistemin e prokurorisë dhe pa asnjë denoncim real, por duke shkruar vetë dy denoncime që nuk gjenden të regjistruara në SPAK mban në qeli njeriun më të votuar në vend, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. dhe Edi Rama e socialistët heshtin.

Edhe për sfiduesin e Orbanit analistë të ndryshëm vënë re se toni i tij populist ndoshta mund të zbutet më vonë, se premtimet për të dënuar krimet e pasardhësit mund të zbehen, por një gjë duket që tani, ai nuk ka shpallur se do të ndërtojë një sistem të ri drejtësie të pavarur nga gjithçka. Ai do të ruajë këtë sistem që ka por do t’i japë atij një frymë tjetër.

Rënia e Viktor Orbanit në Hungari ishte një mësim i veçantë demokracie. Orban arriti të sundojë atë vend për 16 vjet resht duke e mbajtur larg popullin dhe duke manipuluar gjithçka. Mirëpo, në rrethana të tilla, gjithnjë gjendet një figurë që arrin të zgjojë popullin dhe të dërrmojë çdo tirani që i imponohet një sistemi demokratik. Shqipëria e këtyre mandateve të Edi Ramës nuk ngjet me atë të Orbanit, por të kujton se kur reformat bëhen keq, atëherë demokracia nuk funksionon. Sot shqiptarët ndjehen të kërcënuar nga padrejtësia e drejtësisë dhe ata nuk ka kush i mbron. Qeveria ka hequr dorë nga drejtësia dhe gjykatat janë nën presionin e Republikës së Prokurorëve. Kjo shpërbërje e shtetit është një kosto e rëndë për demokracinë. Këtë kosto mesa duket ka parasysh Peter Magyar që premtoi se në fillim do të luftojë padrejtësitë politike dhe ato kriminale që ka kryer elita para tij. Të presim.