Pamjet e kamerave të sigurisë pranë një rruge në afërsi të nënstacionit elektrik në Tiranë, shumë pranë Bulevardit të Ri, duket se përbëjnë një nga provat kyçe në hetimin për zhdukjen e Eglant Koçit. Ora shënon 00:48 minuta pas mesnatës së 5 qershorit, vetëm pak orë pasi 34-vjeçari ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Në video shfaqet motoçikleta në pronësi të Koçit, e drejtuar nga një person i veshur me të bardha. Ai lëviz drejt zonës së “5 Majit”, braktis mjetin, ndërsa pak çaste më vonë rikthehet në të njëjtën rrugë, kësaj here në këmbë. Kamerat fiksojnë qartë fytyrën e tij. Bëhet fjalë për Armand Shakajn, 41-vjeçarin e shpallur në kërkim nga policia dhe të dyshuarin kryesor për rrëmbimin e të riut, njëkohësisht mik i tij,

Sipas burimeve, këto pamje ishin elementi i parë konkret që lidhi Shakajn, i njohur me nofkën “Mand Dhelpra”, me ngjarjen. Dyshohet se ai ka tentuar të zhdukë gjurmët duke lënë motoçikletën në një vend tjetër, me qëllim që të çorientonte hetuesit dhe të vështirësonte zbardhjen e fatit të Eglant Koçit. Pas identifikimit të tij, policia ushtroi kontrolle në banesën dhe ambientet në pronësi të Shakajt, përfshirë një biznes fast-food, ku dyshohej se mund të gjendej 34-vjeçari ose prova të rëndësishme. Edhe pse në kontrollin fillestar nuk u gjet asgjë e dyshimtë, hetuesit sekuestruan materiale filmike me vlerë të madhe, të cilat dyshohet se dokumentojnë lëvizjet në ambientin ku Koçi mund të jetë mbajtur peng.

Nga veprimet hetimore doli në skenë edhe Enea Zyferi, kamarier në biznesin e Armand Shakajt, i arrestuar për veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit. Dëshmia e tij konsiderohet kontradiktore. Ai deklaron se e pa Eglant Koçin të hynte në ambientin ku dyshohet se është mbajtur peng, por pretendon se nuk di çfarë ka ndodhur më pas. Sipas Zyferit, në një moment “Mand Dhelpra” i ka kërkuar të fikte dritat e biznesit, me arsyetimin se do të zbriste një frigorifer në katin poshtë. Ai thotë se e ka zbatuar kërkesën, por hetuesit konstatuan se, megjithëse ambienti ishte në errësirë, kamerat e sigurisë kanë vijuar të regjistrojnë.

Pamjet e administruara tregojnë 41-vjeçarin duke dalë nga ambienti me një objekt të madh të zi, që duket si një qese, të cilin e fut në automjet dhe largohet. Përmbajtja e saj nuk dihet, por hetuesit kanë ngritur dyshime të forta se mund të ketë lidhje me fatin e Eglant Koçit, megjithëse kjo nuk është provuar ende. Një ditë më pas, sipas dëshmisë së Zyferit, Shakaj i kërkoi të lante makinën në një zonë të izoluar në fund të Bulevardit të Ri, aty ku edhe u arrestua në flagrancë. Pikërisht në këtë makinë hetuesit gjetën njolla gjaku dhe dyshojnë se mund të jetë përdorur për transportimin e 34-vjeçarit. Nga ana e tij, Zyferi mohon çdo përfshirje në ngjarje.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se nga kryqëzimi i pamjeve filmike me të dhënat e qelizave telefonike rezulton se pasi ka futur objektin e zi në automjet, Armand Shakaj ka udhëtuar drejt Dajtit, konkretisht në një zonë kufitare mes Dajtit, Dibrës dhe Librazhdit. Prej disa ditësh, forca të shumta policie, të mbështetura edhe nga qen kërkimi, po kontrollojnë një territor të gjerë malor. Deri në këto momente, operacioni nuk ka dhënë asnjë rezultat.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:24
Dyshohet se ndihmoi në rrëmbimin e Eglant Koçit, i riu dëshmi kontradiktore në polici: S’kam dijeni! Një ditë më vonë Shakaj më tha t’i laj makinën

Foto: Eglant Koçi

Enea Zyferi, kamarieri që punonte në biznesin e Armand Shakajt, i arrestuar për përkrahje të autorit të krimit, në dëshminë e tij para policisë është kontradiktor, dhe pretendon se nuk ka dijeni çfarë ka ndodhur me fatin e Eglant Koçit.

Para hetuesve ai ka thënë se e ka parë 34-vjeçarin në ambientit ku dyshohet se është mbajtur peng, megjithatë, sipas tij, nuk kishte dijeni nëse ka dal më nga aty pasi ka vijuar punën.

Në një moment Armand Shakaj i ka kërkuar që të fik dritat e biznesit dhe e ka bërë. Policia, pasi ka gjetur vendit, ka konstatuar se pavarësisht se dritat janë fikur, kamerat e sigurisë kanë filmuar. Në një moment tregojnë Shakajn duke dal nga aty me diçka të zezë në dorë, pamje që janë administruar. Kamarieri Zyferi thotë se një ditë më vonë, Shakaj i ka kërkuar edhe të lante makinën, në të njëjtën që hetuesit gjetën njolla gjaku dhe që dyshohet se mund të jetë transportuar Koçi. Ndërkohë burime bëjnë me dije se 25-vjeçari u arrestua teksa po lante makinën.

Xh.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 6 Qershor, 21:08

    A e mbështesni protestën kundër investimit në Zvërnec?