/ATSH/. - Prej datës 19 deri më 20 maj, në Tiranë zhvillohet konferenca "Rrjeti ballkanik në fushën e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë", organizuar nga Policia e Shtetit me mbështetjen e "WINPRO", në kuadër të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtesisë.
Burime nga Policia e Shtetit bejne me dje se objektivi kryesor i takimit ishte konsolidimi i një sistemi efektiv për mbrojtjen e dëshmitarit, në harmoni dhe përputhje me legjislacionin e BE-së, si dhe forcimin e bashkëpunimit në këtë fushë.
Takimin e përshëndeti zv/ministri i Punëve të Brendshme, Ilir Mustafaraj, i cili ndër të tjera vlerësoi  projektin për mbështetjen disa vjeçare.

Drejtoria për Mbrojtjen e Dëshmitarit në Policinë e Shtetit është përfituese e projektit rajonal IPA 2012, WINPRO II, me financim të Bashkimit Europian, projekt që implementohet nga programi NI-CO (Bashkëpunimi Ndërkombëtar i Irlandës së Veriut). Në këtë kuadër, prej 3 vitesh funksionon edhe rrjeti ballkanik në fushën e mbrojtjes së dëshmitareve, ku çdo vend i Ballkanit në periudha 6 mujore është organizator pritës i konferencës përkatëse.

Rrjeti rajonal ballkanik operon dhe ofron mundësi për njësitë homologe në fushën e mbrojtjes së dëshmitarit për të shkëmbyer eksperiencat më të mira të  punës, përditësime të legjislacionit dhe  lehtësim të procedurave në zhvendosjen e dëshmitarëve në shtete të ndryshme. Vendet pjesëmarrëse në këtë konferencë janë Serbia, Shqipëria, Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Kroacia dhe Bosnnjë - Hercegovina.