TIRANË - Në ditën jubilare për Shqipërinë me rastin e 80 vjetorin e çlirimit, nis edhe puna për ndërtimin e Kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama ishte prezent në kantier, për të ndjekur nga afër nisjen e punimeve së bashku me drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Rektoren e Kolegjit të Europës me qendër në Bryzh, Federica Mogherini.
“Sot është dita e parë e fillimit të punimeve. Praktikisht projekti është shumë interesant jo vetëm nga pikëpamja e arkitekturës, por dhe nga pikëpamja funksionale dhe nga shërbimet që do të ofrojë. Përbëhet nga 4 godina, godina e librarisë dhe disa shërbime për të rinjtë dhe studentët. Godina e dytë është ajo e klasave dhe ambienteve mësimore. Godina e tretë është ajo për zyrat dhe shërbimet e tjera ndihmëse në funksion të kolegjit dhe godina qendrore është ajo e një salle të madhe, e një aure të madhe për studentët, por dhe për takime të ndryshme”, u shpreh drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Kampusi do të integrohet në Qytetin Studenti dhe do të shërbejë si një hapësirë e re, me një arkitekturë moderne dhe mjedise optimale.
“Kjo hapësirë do t’i shërbejë së pari kampusit të Kolegjit të Europës, por nga ana tjetër dhe studentëve të Qytetit Studenti sepse do të kenë akses tek shërbimet ndaj studentëve si biblioteka, një muze që do të ndërtohet dhe ambientet sportive të cilat janë pjesë e këtij kampusi. Do të kemi mundësi të bashkëveprojmë më shumë me universitetin e Tiranës. Duke qenë se dhe një pjesë e ambienteve këtu do të jenë në shërbim të studentëve të këtij universiteti por dhe të studentëve që janë pjesë e rezidencës”, u shpreh ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu.
Kampusi parashikohet të jetë gati të presë një numër të shtuar studentësh pas përfundimit të tij.