Ndryshe nga herët e tjera, sot, në ditën e 94-t të tubimit para Kryeministrisë, të pranishmit nuk kanë mbajtur fjalime në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, por vendin e tyre e zunë tensionet dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të Policisë.

Tensionet kanë nisur pasi protestuesit kaluan pas godinës së Kryeministrisë, për të bllokuar hyrjen kryesore, ku futet e del eskorta e kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë. Kryeministri Rama ka qenë brenda godinës gjatë gjithë momenteve të përplasjeve dhe vetëm pas shpërndarjes së protestuesve, eskorta e tij është larguar nga Kryeministria.

Gjatë tensioneve ishin të pranishëm edhe disa prej 'të vetëshpallurve' si organizatorë të protestës, mes të cilëve edhe Dritan Goxhaj dhe Arben Kola, të cilët përmes megafonit kanë nxitur të pranishmit që të rrethojnë godinën e Kryeministrisë.

Efektivët fillimisht duket se u kapën të papërgatitur nga kjo situatë, ndërkohë që për pak minuta atyre iu bashkuan edhe forca të tjera, duke krijuar një kordon në hyrje të godinës qendrore të Qeverisë. Raportohet për rreth 15 persona të shoqëruar në Komisariat, mes të cilëve edhe Dritan Goxhaj, aktivistja Arvina Lleshi, Arben Kola, Andi Tepelna, Erlind Ahmeti, Bora Mitrovica.

Më pas protestuesit u ulën këmbëkryq në rrugën para hyrjes kryesore të Kryeministrisë, duke mos iu bindur urdhërave të Policisë për të hapur rrugën, me qëllim kalimin e automjeteve. Pranë tyre u afrua edhe autoboti i ujit i Policisë, i cili nuk ndërhyri për të shpërndarë protestuesit.

Protestuesit më pas u larguan nga bulevardi Dëshmorët e Kombit, për të shkuar drejt komisariateve ku po mbahen personat e shoqëruar. 6 prej të shoqëruarve po mbahej në Komisariatin nr.1, ndërsa 9 prej tyre te Komisariati nr. 3 dhe 4. Në Komisariatin nr.3 ka pasur sërish përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë, ku këta të fundit krijuan një kordon me qëllim mbrojtjen e institucionit. Brenda Komisariatit nr.3 është futur edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, por nuk dihet nëse ai është shoqëruar apo ka hyrë me qëllim për të negociuar për lirimin e të shoqëruarve.

Me rënien e numrit të protestuesve gjatë javëve të fundit, janë shtuar përplasjet dhe konfliktet gjatë tubimit. Tensionet kanë qenë kryesisht mes grupeve rivale brenda protestës, por sot u shënuan edhe përplasje me forcat e rendit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:58
Protestuesit te Komisariati nr.3, kërkojnë lirimin e të shoqëruarve! Përplasje edhe me efektivët, Policia ‘gardh’ para godinës (VIDEO)

Pas largimin nga bulevardi Dëshmorët e Kombit, protestuesit kanë shkuar te Komisariati nr.3 në Tiranë, ku qëndrojnë një pjesë e 11 të shoqëruarve.

Ata kanë kërkuar lirimin e të shoqëruarve, me thirrje fyese në kor kundër efektivëve të Policisë dhe Qeverisë.

Në një moment para Komisariatit ka pasur dhe tensione e përplasje, por më pas kanë shkuar përforcime të efektivëve të Policisë, të cilët kanë krijuar një kordon sigurie.

Gjatë përplasjeve te Komisariati nr.3, disa protestues të tjerë janë shoqëruar nga efektivët e Policisë.

Ora 21:56
Protestuesit rrethuan godinën e Kryeministrisë dhe u përplasën me policët, momenti kur kryeministri Rama largohet nga zyra (VIDEO)

Pas shpërndarjes së protestuesve, të cilët mbrëmjen e sotme rrethuan Kryeministrinë, edhe kryeministri Edi Rama është larguar nga godina.

Nga pamjet duket se eskorta e kryeministrit Rama, pas daljen nga Kryeministria, futet nga rruga që të çon për në zonën e ish-bllokut në kryeqytet.

Ora 21:46
Përplasjet te Kryeministria, momenti i shoqërimit të aktivistes Arvina Lleshi: Po qëndroja në një shkurre, më morën edhe celularin! (VIDEO)

Report Tv ka siguruar pamje nga momenti i shoqërimit të aktivistes Arvina Lleshi, gjatë përplasjeve mbrëmjen e sotme mes protestuesve e Policisë.

Lleshi pretendon se efektivët e Policisë e kanë shoqëruar vetëm se ajo kishte dalë paqësisht në protestë dhe po qëndronte pas një shkurreje. Ajo thotë gjithashtu se efektivët i kanë marrë edhe telefonin celular që kishte me vete.

“Më kanë marrë edhe telefonin, me shoqëruan se po rrija në një shkurre. Më kanë marrë edhe telefonin, po më shoqërojnë e arrestojnë nuk e di procedurën, sepse po protestoja paqësisht përballë Kryeministrisë. Edhe kanë dhënë urdhër që të më fusin andej nga fundi...”, ka thënë mes të tjerash Lleshi.

 

Ora 21:24
Përplasja e protestuesve me Policinë, raportohet për një të lënduar! Shoqërohen në komisariat rreth 15 persona, mes tyre edhe Dritan Goxhaj (VIDEO)

Nga përplasjet mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë pranë godinës së Kryeministrisë, raportohet për një person të lënduar.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se në Polici janë shoqëruar rreth 15 persona, mes të cilëve edhe organizatori 'i vetëshpallur' Dritan Goxhaj dhe aktivistja Arvina Lleshi.

Katër nga të shoqëruarit u kapën gjatë përplasjeve te Komisariati nr.3 në Tiranë, ku u zhvendos tubimi pas shpërndarjes së protestuesve nga sheshi para Kryeministrisë.