Tiranë, Rama: Legalizimin e
banesave do ta drejtoj personalisht

Tiranë, Rama: Legalizimin e<br />banesave do ta drejtoj personalisht
TIRANE - Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka bashkëbiseduar sot me banorët që jetojnë në Fushën e Aviacionit në Tiranë. Shqetësimi kryesor i tyre ka qenë legalizimi i shtëpive, proces të cilin ata e kanë ende të pambyllur prej 20 vjetësh.

Rama iu përgjigj qartë: "Unë ju flas për hipoteka, jo për letra si tapitë e Shabanit dhe këtë proces do ta drejtoj personalisht vetë, nuk do ta le në dorë të ALUIZN-it apo një strukture tjetër, që do ngrihet".

Sipas kreut socialist, shtëpitë janë një kapital i madh por i vdekur, që duhet të "ngjallet" e t'u shërbejnë qytetarëve si garanci për të marrë kredi nga bankat, për të hapur biznese, për të arsimuar fëmijët etj. Duke u vënë në lëvizje, ky kapital kthehet në një përfitim shumë të madh për banorët si dhe në miliarda lekë për shtetin, që do të zhvillojë ekonominë. "Ndaj për "ne", ndryshe nga "ata", - tha ai,- çështja e legalizimit lidhet me tërë rilindjen ekonomike të vendit dhe unë këtë process do ta ndjek personalisht e nuk do ta le punën në dorë të ALUIZNI-t apo çfarëdo strukture tjetër që do të ngrihet.

Kam qënë i pari funksionar publik që kam artikuluar fjalën legalizim publik në vitin 2000 kur u zgjodha kryetar dhe sëbashku me Artan Lamen, e vumë në vijë atë proces. Ai ligji u bë "çorap" më pas, sepse sa herë kishte zgjedhje, fuste duart Saliu dhe "bënte rregullime" sipas nevojës. Dhe tani në fushatë, çon ca personazhe që të bëjnë matje dhe qytetari përfundon me një copë letër në dorë që nuk vlen për të pritur fushatën tjetër, kur "ai" do t'i vijë prapë me metër e do t'i thotë: e pati fajin Shabani dhe tani do vëmë Hysën. Ne nuk tregojmë përralla. Për ato kemi gjyshin me antiplumb, dëgjojeni gjyshin që thotë se jemi të dytët pas Gjermanisë dhe jeni të lumtur. Madje do nxjerrim edhe Valbonën në "Champions League", përballë me Bajernin", - shtoi me humor kreu i opozitës.

"PUNESIMI I TE RINJVE, NJE PLAGE E MADHE. NE DO T'U JAPIM DIPLOME OSE ZANAT"

"Punësimi i të rinjve është plaga më e madhe", - tha Rama, - "sepse është njësoj me piramidat e Sudes, kur njerëzit duke ndenjur në shtëpi, prisnin paratë. Sot kemi shumë të diplomuar, por zanate asnjë, se janë të gjithë me universitet dhe ëndërrojnë të bëhen kamarierë. Futuni në kafene dhe i keni tërë kamarierët me master. Sepse ka ndodhur një deformim i madh i marrëdhënieve ndërmjet shkollës dhe punës. Të rinjve ne do t’u japim dy rrugë: universitet ose zanat. Me zanatin mëson si të fitosh lekë nëpërmjet punës, kurse kështu të tërë pa punë e me lloto duke i "gjëmuar" pas Messit, se ndryshe nuk bëhen, nuk dalin lekët, nuk shkohet më.

Kurse, përsa i përket atyre që e kanë përfunduar universitetin, sigurisht që ka disa rrugë: Duke u dhënë mundësi më të aftëve që të punësohen në sektorin publik, biznesit që t'i punësojë, por dëmi i madh është bërë, dëm kolsal. Paralelisht me këtë është bërë edhe dëmi që, ata që kishin mbaruar abetaren dhe hynë në sistemin 9-vjeçar, janë analfabetë.

Në kushtet kur bota e ka arsimin postulat, përfytyroni se çfarë perspektive i ka krijuar vendit ky personazh që flet për një Shqipëri që nuk ekziston dhe thotë të shkojmë më përpara. Po ku të shkojmë më përpara? Se 57% analfabetë janë bërë, t’i bëjmë 80%?! Apo t’i shtojmë më universitetet private, që marrin paratë e prindërve. Nuk jemi kundër universiteteve private, por shteti të garantojë që të aty mësohet, të garantojë prindërit dhe nxënësit dhe madje të bëjë edhe klasifikimin sipas radhës. Nuk jep njeri në botën normale, liçensë që të hapet universitet në katin e tretë të pallatit apo tjetri të hapë spital në katin e dytë. Këto janë mashtrime njësoj si piramidat", - tha kreu i PS-së. 

PYETJE TE QYTETAREVE

Sa i shëndoshë është sot, koalicioni i majtë?
 
Tani si e ke pyetjen, me kg? Se me kg jemi shumë mirë. Sa për koalicioni, ai është akti i duhur karshi popullit shqiptar dhe ne jemi shumë krenarë që shqiptarët të qeverisen nga shumica aktuale dhe jo peng i një pakice që i ka marrë peng për 8 vjet.
 
Po për shëndetësinë, çfarë parashikon program juaj?
 
Ju e dini mirë, ne kemi një koncept tjetër. Për këta, duhet lekë. Edhe drejtësinë, me lekë e gjen tek këta. Ne do ta ndryshojmë skemën. Shëndetësinë do ta kthejmë brenda katër viteve të para, falas. Flas për sistemin publik. Me lekë, pa lekë, me punë, i papunë: Tek dera e spitalit do shërbehet pa lekë!

Po për punësimin, a parashikoni ndonjë rritje të asistencës, së paku për kryefamiljarin?
 
Ne e mendojmë ndryshe punën e punësimit dhe asistencën. Asistenca është kthyer në lëmoshë politike; jepet për njerëzit në varfëri për t’u marrë votën. Për ju, njerëzit në kulm të moshës, të jetosh me atë lëmoshë, nuk është normale. Ne nuk do të japim lëmoshë për askënd që është në gjendje pune. Fondin e ndihmës ekonomike do ta kthejmë në fond punësimi. Nëse sot ndihma ekonomike është 40 mijë lekë e katandiset me 30 mijë e ca lekë, por me të nuk shtyhet më shumë në një familje. Ne do ta shtojmë dhe do themi: Hajde dhe shërbe në komunitet e merr më shumë. Nga njera anë do rrisim punësimin, do integrojmë njerëzit në shoqëri që të ndihen të dobishëm dhe do krijojmë kushte që njerëzit të marrin më shumë. Atyre që nuk duan të punojnë, shteti nuk u ka asnjë detyrim.

Po për kopshtet e fëmijëve, a do bëhet gjë? Kopshti "Xixëllonjat" që ju keni ndërtuar këtu në lagje, ende s'ka drekë për fëmijët...

Unë bëra "Xixëllonjat", ai që erdhi mbrapa duhet t'u japë drekën "xixëllonjave", sepse ne e futëm drekën në të gjitha kopshtet dhe prindërit u kënaqën.

Çfarë mund të bëjë PS-ja për këto ditë që i kanë mbetur moshës së tretë, që jeton në këtë amulli urbane?
 

Kjo pyetje është njësoj si për “Xixëllonjat”. Këtu u bë parku më i bukur dhe u krijuan kushte, mirëpo ja, dëgjoni fëmijët që thonë “Sala, Sala” e ne do të bëjmë një ndryshim rrënjësor. E para, do ndryshojmë rrënjësisht mënyrën si do merren mësuesit në shkollë: jo më me urdhër nga partia, por as nga pushteti. Ne do ndërtojmë asambletë e prindërve, që do jetë bashkë me atë të qeverisë dhe të gjithë ata që pretendojnë të bëhen apo të qëndrojnë si mësues, do dalin para këtij komisioni dhe do intervistohen. Nëse prindërit nuk i miratojnë mësuesit, ai mësues nuk futet më në shkollë. Se në atë moment ai qytetar nuk është më zgjedhës, por prind, që interesohet për fëmijët dhe shkolla nuk do jetë më kazermë por qendër komunitare.  

Lidhur me moshën e tretë nuk premtojmë 6-fishim të pensionit si Saliu, por do përpiqemi të ulim koston e jetesës. Se e vërteta është se ai i rriti vërtet pagat e mësuesve, por puna është se sa blen me ato lekë. Se lekë mund të presësh sa të duash, por puna është sa blen. Dhe ne do të ulim taksat  për ata që fitojnë dri në 1.5 milionë lekë, që do të thotë mesatarisht një pagë më shumë në fund të vitit. Kush nuk është në punë, do përfitojë nga ulja e taksës në ushqime që do ta bëjmë zero. Kush është familjar do përfitojë nga ulja e taksës së energjisë, nga 20% në 6%  dhe ata që kanë mjete në fshat, do fitojnë nga ulja e taksës në makineritë e fidanët.  

Më thanë që në një spot të tyre, ata thonë që Rama rriti taksat kur ishte në bashki. Kjo është gënjeshtër. E përgjysmuan taksën e biznesit të vogël në 2006-ën dhe një viti më pas i futën atë “katin pa leje”, 10% dhe më pas, edhe tvsh. Sot shiheni vetëm gjendjen e atyre 400 mijë vetave që jetojnë nëpërmjet atij biznesi të vogël. Ne do t’i lehtësojmë ata, s’ka rëndësi në janë socialist apo demokratë.

Si do ta ruani votën në 23 qershor?

E shoh që e keni shumë merak këtë. Por,  unë i gjatë jam, por s’jam as Herkuli, as Ciklopi. Kush e ka merak votën dhe ajo shprehja “Si do ta ruani” merr përgjigje thjesht: Në 23 qershor merr me vete edhe një tjetër që nuk ka votuar. Vërja syrin që tani! Urdhëroni dëgjoni se kush i bie borisë dhe ai që ankohet për ne! Ne udhëtojmë me autobus dhe as i biem borisë dhe as përjashtim, ecim në radhë me gjithë të tjerat. Flet ai që ecën me një xhup të blinduar dhe me autoblindë.

Çfarë do të bëhet me tekstet alternative, që janë shtuar shumë dhe janë pa cilësi?
 
Do bëjmë një reformë të thellë të teksteve alternative, duke nisur që nga kufizimi i numrit. Prodhimi i tyre për të fituar lekë në kurriz të nxënësve do të ndërpritet dhe do të synohen tekstet që përdoren në vendet europiane.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN