Erald Heqimaj, 33 vjeç, me origjinë nga Fieri dhe me banim në Tiranë u arrestua për sulmin nda komisariatit numër 3. Mbrëmjen e së shtunës, kur protesta e 35-të e “flamingove” ishte thuajse në përfundim, me disa të tjerë, sulmoi dyert dhe dritaret e Komisariatit nr. 3, duke bërë copash xhamat deri brenda sallës së pritjes së qytetarëve.

I riu është ndaluar me iniciativë nga policia. Do të jetë në dorë të prokurorit, konfirmimi ose jo i arrestit, e më pas dhe i gjykatës. Ai rezulton pa precedent penal të mëparshëm, ndërsa burime pranë policisë i thanë Report Tv se gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se reagoi në akte të dhunshme i ekzaltuar prej frymës së turmës, e cila gjatë gjithë protestës, e përqendroi vëmendjen te 19 të arrestuarit për dhunën e paprecedent të enjten para Parlamentit. 

Përveç tij, blutë identifikuan edhe 11 të tjerë, 7 prej të cilëve po hetohen në gjendje të lirë dhe 4 të shpallur në kërkim. Edhe ata u filmuan duke kryer akte dhune, brenda dhe jashtë ambienteve të komisariatit.

Sulmi ndaj Komisariatit. Nr 3 ndodhi pasi turma kishte kaluar njëherë përmes rrugës “Mine Peza” ku ndodhet godina. Në kthim, një pjesë e protestuesve, disa prej të cilëve me maska, siç u shfaqën edhe gjatë protestës kaluan përmes rrugicave duke u rikthyer aty, për të shpërthyer më me një sulm dnaj dritareve dhe mjedisve të brendshme të dhomës së pritjes së Komisariatit

Për të gjithë të dyshuarit, rëndojnë 8 vepra penale, thirrje publike për veprime të dhunshme, shkatërrim prone, goditje për shkak të detyrës, kundërshtimi i policisë, mosbindje të urdhrit të ligjshëm të policisë, prishja e rendit dhe e qetësisë publike, organizim dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme, si dhe pengimi i qarkullimit të mjeteve.

Njoftimi:

Vijojnë veprimet hetimore për tubimin e zhvilluar më datë 04.07.2026. Arrestohet 1 shtetas, procedohen penalisht 7 shtetas dhe shpallen në kërkim 4 shtetas.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 04.07.2026, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, gjatë të cilit u kryen veprime të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe godinës së Komisariatit, u identifikuan 12 shtetas të dyshuar të përfshirë në këto veprime.

Në vijim të veprimeve procedurale:

- u ndalua me iniciativë shtetasi E. H., 33 vjeç;

- u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit K. M., V. K., E. L., Sh. B., V. D., E. N. dhe B. K.;

- u shpallën në kërkim 4 shtetas, inicialet e të cilëve nuk bëhen të ditura, për shkak se hetimet vijojnë.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në aktet e dhunshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale "Thirrje publike për veprime të dhunshme", "Shkatërrimi i pronës", "Goditja për shkak të detyrës", "Kundërshtimi i punonjësit të Policisë", "Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë", "Prishja e rendit dhe e qetësisë publike", "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.