Prej javësh, Sali Berisha ka përshpejtuar daljet dhe takimet e tij. Konferenca të përditshme për shtyp, intervista të shpeshta televizive dhe një narrativë e pandryshuar kundër prokurorisë dhe gjykatave vijon me intesitet.

Por në ditët e fundit, vëmendja e Berishës është zhvendosur edhe me strukturat e degëve të Tiranës, ku përveç akuzave të paradites, ka rikthyer edhe temën e vitit 1997.

Në këto takime, Berisha kthehet 29 vite pas, te piramidat financiare dhe te humbja e zgjedhjeve, duke përsëritur të njëjtin argument, se shqiptarët u mashtruan nga Fatos Nano, i cili u premtoi kthimin e parave të humbura, ndërsa ai vetë nuk e bëri një gjë të tillë, prandaj, sipas versionit të tij, mbajti përgjegjësi politike dhe humbi pushtetin.

Në fakt, problemi është se viti ’97 nuk është thjesht një episod siç mundohet ta rrëfejë Berisha, sepse ai është një nga kapitujt më të errët të shtetit shqiptar, një moment shembjeje institucionale, dhune, armatosjeje të shoqërisë dhe humbjeje të kontrollit shtetëror. Dhe në këtë histori, pavarësisht përpjekjeve për ta relativizuar, Berisha mban një peshë të madhe. Mjafton të shohësh sjelljen e tij sot për të kuptuar se çfarë koncepti ka ai për pushtetin

Mirëpo, përse i është rikthyer Berisha temës së ’97-tës?

Arsyeja kryesore nuk lidhet me nevojën për sqarim të së vërtetës, por me mungesën e kauzës në të tashmen. Berisha sot nuk ka një projekt politik të ri, nuk ka një ofertë për shoqërinë dhe as një narrativë bindëse për të ardhmen. Në këtë boshllëk, rikthimi te e shkuara shërben si mjet për të mbajtur gjallë veten politikisht. Duke ndërtuar një narrativë viktimizuese, ai synon të mbetet relevant, të shfaqet si “i padrejtësuar” dhe të mobilizojë emocionet e një baze që ushqehet më shumë me kujtime sesa me ide.

Nuk është rastësi që këto takime janë intensifikuar pas lëvizjeve të brendshme në Partinë Demokratike, të shfaqura së fundmi edhe nga Ervin Salianji. Më shumë sesa një betejë me kundërshtarët jashtë partisë, këto dalje të Berishës janë një përpjekje për të mbajtur nën kontroll strukturat e bazës, për të shtrënguar radhët dhe për të mos lejuar çarje apo alternativa në zgjedhjet e brendshme brendapartiake.

Në këtë kuptim, viti ’97 shndërrohet në një “mana për trahana”, siç thotë populli, një temë e gatshme, emocionale dhe polarizuese, që shërben për të mbuluar mungesën e vizionit dhe për të mbajtur partinë të lidhur pas figurës së tij. Jo për të mësuar nga historia, por për ta përdorur atë si mjet mbijetese politike në të tashmen.