Domart Konjari, personi që solli përplasjen e ambasadës franceze me drejtësinë shqiptare, do të gjykohet në Shqipëri. Vendimi është marrë nga prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila vendosi të mbyllë dosjen penale në ngarkim të Konjarit dhe ta dërgojë atë në gjykatë për akuzën e "Trafikimit të narkotikeve", "Pastrimi i produkteve te vepres penale ose veprimtarisë kriminale" dhe "Organizatë kriminale".

Konjari është, për autoritetet franceze, person i lidhur ngushtë me trafikun e drogës në Francë, por gjykata shqiptare e la me masë sigurie “detyrim paraqitje” me argumentin se s’kish mbërritur nga Franca asnjë material apo provë në ngarkim të tij. Konjari u prangos në Kapshticë teksa tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Greqisë me një pasaportë false. Por efektet e kësaj mase sigurie u shuan në gjykatën e apelit për krimet e rënda më 14 mars 2015, kur çështja u transferua nga Korça në prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Kokaina quhej "Babagjysh"
“Unë mendoja që Babagjyshi kishte kaluar dhe mendoj se do të presim një javë”. Kjo është një bisedë telefonike në 24 dhjetor 2012, një ditë para Krishlindjeve, e cila është zhvilluar mes Devi Fragës dhe Marc Rivellit, të dy anëtarë të grupit kriminal që drejtohej nga Domart Konjari. Dy anëtarët kanë diskutuar në mënyrë të koduar; kokaina etiketohej me fjalën “Babagjysh”. Ndërkohë, pas mbëritjes së mallit më 26 dhjetor, që po e sillte Domart Konjari, dy pritësit Fraga dhe Rivelli, komunikojnë sërisht, duke pohuar se ‘bababagjyshi’ po vinte dhe kërkonte ta takonte me gjithë fëmijët. Të gjitha këto biseda janë përgjuar nga prokuroria franceze. Më 16 maj 2012, Domart Konjari, Gilbert Slik, Genc Dervishi janë kontrolluar nga policia spanjolle në qytetin e Alcobendas, në periferi të Madridit, shoqëruar nga Juan Ponsoda. Si përfundim, nga përgjimet telefonike janë materializuar faktet se Genc Dervishi është adresuar tek Domart Konjari nëpërmjet vëllait të tij Ridvan Dervishi, me banim në Londër. Duke menduar që profili i tij, i një burri relativisht në moshë dhe me një prezantim të mire, do të qendronte më mirë se shoferët shqiptarë të rinj, ky propozim rekrutimi është bërë nga Domart Konjari.

Domart Konjari sipas francezëve
Sipas dosjes franceze, implikimi i tij në të gjitha pjesët e dosjes, në cilësinë e urdhëruesit, rezultoi nga shumë elementë të listuara më poshtë dhe në veçanti: Lidhjet e tij të afërta të trafikut me Fatmir Hajdinin (kontakte telefonike, takime fizike në Francë dhe në Spanjë, vënia në dispozicion e mjeteve të pajisur). Lidhjet e tij të afërta të trafikut me Robert Lika, veçanërisht rasti i prezantimit të Jacques La Rosa si shofer dhe më pas mëngjesi në Marsejë më 22 maj 2013 ose zhvendosjet e shumta në Desio, Itali. Lidhjet e tij të afërta të trafikut me Marc Rivelli, takime fizike në Marsejë dhe Aubagne dhe kontakte telefonike të shumta. Lidhjet e tij të afërta të trafikut të kokainës me Genc Dervishin dhe Gilbert Slik. Takimi i Konjarit në Rotterdam me Entoni Bega, me iniciativë të Fatmir Hajdinit për të vendosur perimetrat respektive të ndërhyrjes së menjëhershme në kthim të këtij të fundit. Nga jashtë, hetuesit vendosën se Domart Konjari ishte një person i shumëimplikuar që prej shumë kohësh në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Në këtë drejtim, një proces-verbal lidhi vrasjet me paramendim, ose tentativat për vrasje, që përfshin të akuzuarit, të cilët duken të lidhur në një mënyrë apo në një tjetër. Konjari dukej një person i aftë në vendosjen e kontakteve të shumta në Francë dhe vende të ndryshme, veçanërisht në Shqipëri, Spanjë, Gjermani, Belgjikë, Itali dhe Holandë për shpërndarjen e trafikut të kokainës në mënyrë të rëndësishme dhe duke patur hyrje në burime të prodhimit direkt në Amerikën e Jugut. Sipas francezëve, Konjari disponon mjetet e nevojshme për pengimin e drejtësisë përgjatë një kohe të gjatë, pavarësisht kërkimeve aktive.

Akuzat e ngritura
“Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”

"Trafikimit të narkotikëve"

"Pastrimi i produkteve të vepres penale ose veprimtarisë kriminale"

"Organizatë kriminale"

“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com