Trafikimi, raporti i DASH: Shqiptarët
mashtrohen me oferta pune

Trafikimi, raporti i DASH: Shqiptarët<br />mashtrohen me oferta pune
Shqipëria është vend burimi dhe destinacioni për burra, gra e fëmijë, për qëllimi trafikimi sa i takon shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar. Këtë e shpreh raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e personave në Shqipëri. Sipas këtij raporti, trafikimi i këtyre personave bëhet jo vetëm brenda vendit, por edhe në vende të tjera si Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, etj.
 
Raporti i DASH thekson se qeveria shqiptare po bën përpjekje domethënëse për eliminimin e trafikimit, duke shtuar se ende nuk janë përmbushur plotësisht standardet minimale. Lajm i mirë në raport është ngjitja e Shqipërisë në grupin 2 duke dalë nga "Lista e vëzhgimit të grupit".

Ndërkaq, pas publikimit të raportit të DASH për trafikimin e personave në Shqipëri, ambasadori i SHBA në vendin tonë Alexander Arvizu ka publikuar një editorial për këtë çështje. “Ka ardhur koha për t’i dhënë fund turpit të skllavërisë moderne në Shqipëri. Nga Shqipëria ka lajme të mira për përpjekjet drejt sundimit të ligjit. Sipas raportit Shqipëria doli nga “Lista e Vëzhgimit e Grupit”. Qeveria shqiptare duhet përgëzuar për këtë arritje”, shkruan ambasadori Arvizu.
 
Duke përmendur përpjekjet e qeverisë shqiptare për eliminimin e trafikimit të personave, në raport thuhet se “Në tetor 2013, qeveria emëroi një koordinatore të re kombëtare anti-trafikim, e cila në dhjetor mori nismën për ngritjen e një taskforce të posaçme për të përmirësuar koordinimin midis policisë, prokurorëve dhe gjykatësve. Agjencitë ligjzbatuese shqiptare përmirësuan të kuptuarit e një përqasjeje ndaj trafikimit njerëzor me viktimën në qendër, ndonëse nevojitet më shumë trajnim për të përmirësuar efiçiencën e tyre operative në identifikimin e rasteve dhe çuarjen e tyre drejt ndjekjes penale. Qeveria rriti numrin e viktimave të identifikuara, por një numër i vogël autorësh trafikimi u ndoqën penalisht dhe dënuan”.
 
Më tej, në raportin e DASH theksohet se “Gjermani, Zvicër, Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Grupe kriminale rekrutojnë me anë të mashtrimit femra me oferta për punësim si kamariere, banakiere, kërcimtare, apo këngëtare në vendet fqinje, specifikisht në Kosovë, Greqi dhe Maqedoni dhe i nënshtrojnë ato ndaj trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual. Viktima nga Filipinet dhe Shqipëria iu nënshtruan punës së detyruar në Shqipëri. Ka një problem në rritje me fëmijët shqiptarë, shpesh të etnisë rome, që i nënshtrohen lypjes së detyruar dhe forma të tjera pune në Greqi, Kosovë dhe brenda Shqipërisë. Disa vajza shqiptare i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual apo pune të detyruar pas martesave me ujdi”. Raporti i DASH për trafikimin e personave në Shqipëri

Rekomandimet në raportin e DASH për Shqipërinë
 
Nisur nga kjo situatë, Shqipërisë në raport i rekomandohet që të hetojë dhe të ndjekë penalisht në mënyrë energjike kundravajtjet e trafikimit, dhe të dënojë dhe ndëshkojë autorët e kundravajtjeve të trafikimit.
 
Ndërkaq, kërkohet që viktimat të kenë akses tek ndihma, të ofrohet mbështetje dhe mbrojtje specifike, kujdes falas i shëndetit publik; si dhe të ofrohen financimet e nevojshme për OJQ-të që strehojnë dhe ofrojnë shërbime për këta persona.
 
Në rekomandimet e raportit të DASH për Shqipërinë theksohet edhe nevoja e trajnimit të personelit mjekësor, policisë, inspektorëve të punës, dhe zyrtarëve të tjerë që janë të lidhur me përpjekjet për eliminimin e këtij fenomeni, dhe ofrimin e shërbimeve ndaj viktimave të trafikimit.

DASH vlerëson përpjekjet e qeverisë në luftën kundër trafikut të personave
Në raportin e DASH vlerësohen përpjekjet e qeverisë shqiptare për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe për mbrojtjen e viktimave të këtij trafikimi. Ndërkaq, raporti thekson se “gjatë vitit të kaluar, Qeveria e Shqipërisë rriti përpjekjet ligjzbatuese kundër trafikimit, përmirësoi legjislacionin për kundravajtjet penale, si dhe ndëshkoi si duhet kundravajtësit e dënuar. Kodi Penal i Shqipërisë ndalon trafikimin për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punë”.
 
Edhe sa i takon përpjekjeve të qeverisë për mbrojtjen anti-trafikim, duke rritur identifikimin dhe referimin e viktimave të trafikimit pranë shërbimeve të përshtatshme, dhe duke ofruar ndihmë financiare për viktimat gjatë periudhës së raportimit; raporti paraqet vlerësime.
 
Ndërsa lidhur me përpjekjet e qeverisë për të parandaluar trafikimin e personave, në raporti thuhet se “Në tetor 2013, pak pas marrjes së detyrës, qeveria emëroi një koordinatore të re kombëtare anti-trafikim. Për herë të parë, qeveria caktoi një buxhet të veçantë për zyrën e koordinatores kombëtare anti-trafikim me vlerë afërsisht 50,000 dollarë. Po ashtu, qeveria caktoi fonde për komitetet rajonale anti-trafikim për të trajtuar çështje të trafikimit në rrethe. Koordinatorja kombëtare pati sukses në ringjalljen e 12 komiteteve”.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rëzimi i avionit, Azerbajxhani shpall 26 dhjetorin ditë zie kombëtare

Rëzimi i avionit, Azerbajxhani shpall 26 dhjetorin ditë zie kombëtare