Gjykata e Posaçme pranoi sot (8 shtator 2023) kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për gjykim të zakonshëm në procesin për tragjedinë e Gërdecit, duke u tërhequr nga vendimi i marrë më parë për gjykim të shkurtuar. Vendimi erdhi pasi ish-zyrtari i akuzuar për 'shpërdorim detyre', në datën 18 korrik tërhoqi kërkesën e bërë më parë për gjykim të shkurtuar.

Më 22 shtator gjykata do ta rifillojë procesin nga e para ku pritet të lexohet kërkesa për gjykim e prokurorisë e më pas, do të dëgjohen avokatët për përballjen gjyqësore me prokurorinë për çdo faqe të dosjes.

Vendimi i gjykatës për proces të zakonshëm u prit mirë nga avokati i familjarëve të viktimave të Gërdecit.

"Jemi dakord, gjykimi i zakonshëm shërben për sqarimin e pozicionit të gjithësecilit, përfshirë edhe zyrtarin më të lartë, që ka qenë ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Por procesi në këtë mënyrë do të zgjasë, janë mbi 24 mijë faqe materiale" tha avokati Daniel Matlija 

Më herët ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu paraqiti në Gjykatën e Posaçme një listë prej 90 dëshmitarësh të cilët kërkon të merren në pyetje. Lista nis me ish.zv.sekretarin e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes Gordon England, dhe vijon me ish-ministra të mbrojtjes në Gjermani e Itali, ish-zyrtarë të NATO-s në Tiranë, ish-ministra të mbrojtjes në qeverinë shqiptare, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ushtrisë.

Pyetjen e këtyre personave mbrojtesit e Mediut e argumentojne me faktin se deshmitaret mund të shpjegojnë nevojën e demontimit të municioneve dhe reformimin e forcave të armatosura. Përfaqësuesi i familjeve të viktimave të Gërdecit, tha se disa nga emrat në listë duket sikur po thirren për të shpjeguar pse nevojitej demontimi, në një kohë që gjyqi ka objekt pasojat e këtij procesi.

"Gjyqi nuk është për demontimin, por për mënyrën si është bërë ai"

Avokatët e Mediut kërkojnë ripyetjen e ekspertëve të ngarkuar nga prokuroria në fazën e hetimit me kryerjen e eksperimentit për përcaktimin e shkakut të shpërthimit në repartin e demontimit të municioneve në gërdec më 15 mars 2008. Më tej ata sugjerojnë përsëritjen e një eksperimenti të dytë mbi shkakun e ngjarjes. Një tjetër provë e kërkuar nga avokatët në faqen 19 të memos së tyre, është edhe kqyrja e regjistrimeve televizive të një dite para ngjarjes duke pretenduar se ka pasur sinjalizime për shqetësime për sigurinë e repartit të Gërdecit.

Avokatët aludojnë se regjistrimet filmike të momentit të shpërthimit ditën e ngjarjes, janë shkak për të verifikuar edhe versionin e një ngjarje të paramenduar. Pas rihapjes së hetimeve, SPAK e dërgoi dosjen ndaj Mediut në gjykatë në shkurt të vitit 2023 për akuzat shpërdorim detyre të kryer si ministër dhe në bashkëpunim me ushtarakët.

Pse akuzohet Mediu?
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin. Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, 'SAC' dhe 'Albademil'. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Pjese e listes me 90 deshmitare

Myqerem TAFAJ, ish-Sekretar i Pergjithshëm i Këshillit të Ministrave, i cili ka koordinuar proceset ndërmjet ministrive për vendimmarrje të qeverisë, përfshi edhe VKM 138/2007 për demontimin.

Bahri SHAQIRI, ish- Drejtori SHIK, i cili ka pasur detyrë për ndjekjen e veprimtarive që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. SHAQIRI thirret të dëshmojë për informacione apo akte të mundshme në Gërdec të deklaruara prej tij pranë Këshillit të Sigurisë në mbledhjen e datës 21.03.2008.

Ahmet PREMÇI, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në periudhën e ngjarjes së Gërdecit, i cili thirret të dëshojë për informacione dhe rezultate hetimi lidhur me veprimtari kriminale në Gërdec.

Sajmir KODRA, ish-Ispektor i Përgjithshëm pranë Kryeministrit për Shërbimin Informativ Kombëtar në kohën e ngjarjes, i cili ka pasur detyrën e vlerësimit të informacioneve të ardhura nga qëndra operacionale e FA dhe nga Shërbimi Informativ Kombëtar.

Gëzim MUSABELLIU, ish-deputet i Komisionit të Sigurisë në Kuvend, i cili ka realizuar kontrollin e situatës së depove të armatim- municionit dhe ka qenë pjesëmarrës në seancën dëgjimore me Ministrinë e Mbrojtjes, Shefin e Shtabit dhe përfaqësuesin e ekipit amerikan të CUBIC.

Leonard DEMI, ish-deputet, kryetar i Komisionit të Sigurisë në Kuvend, i cili ka realizuar kontrollin e situatës së depove të armatim- municionit.

Pandeli MAJKO, ish-Ministër i Mbrojtjes, i cili ka miratuar dokumentat kryesore të sigurisë, urdhërat për menaxhimin e municionit të tepërt dhe shkatërrimin e tyre, si dhe kontratën me kompanitë private të financuara nga donatorët për demontimin.

Besnik MUSTAFAJ, ish-Ministër i Jashtëm në periudhën 2005- 2007, i cili ka qënë i ngarkuar për koordinimin e Komisionit Ndërministror të Integrimit në NATO, në përgatitjen dhe implementimin e detyrimeve të MAP (plani i detyrimit për anëtarësimin), si dhe negociatori kryesor në Këshillin e Atlantikut në Bruksel..

Ridvan BODE, ish- Ministër i Financave për periudhën 2005-2013, pjesë e miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.138/2007 për demontimin e municioneve të tepërta, si dhe miratimin e vlerësimin e buxhetit të mbrojtjes në kuadër të anëtarësimit në NATO.

Aldo BUMÇI, ish- Ministër i Drejtësisë në kohën e miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për VKM nr.138/2007 për demontimin e municioneve.

Mimi KODHELI, ish-Ministre e Mbrojtjes për periudhën 2013- 2017, periudhë në të cilën ka vazhduar procesi i demontimit, proces për të cilin ka vazhduar bashkëpunimin me NATO-n në të njëjtin kuadër veprues; do të pyetet lidhur me kuadrin ligjor të zbatuar dhe mbi raportet me Z.MEDIU, edhe si përfaqësuese e Kuvendit në cilësinë e Zv.Presidentes së Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Besnik BARAJ, Ish zëvendës Ministër i Mbrojtjes, të cilit i janë deleguar kompetenca fuqiplotë në nënshkrimin e marrëveshjeve me partnerët për kryerjen e demontimit.

Gjeneral Major Vito DI VENTURA, ish-Komandant i Shtabit të NATO-s për Tiranën për periudhën 2005-2006. Z.VENTURA ftohet të dëshmojë në Gjykatë rreth bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes gjatë kohës së drejtimit të NATO-s në Tiranë, në kuadër të plotësimit të detyrimeve për anëtarësi në NATO; plotësimet e detyrimeve të MAP dhe PARP, raportet civilo-ushtarake; municionet dhe armatimet e tepërta, si dhe angazhimin e NHQ Tiranë në koordinimin me përfaqësi diplomatike të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë, për të mbështetur FA në demontimin e municioneve të tepërta.

Gjeneral Brigade Georgios MOUROUTSOS, Gjeneral Brigade, ish- Komandant i Shtabit të NATO-s për Tiranën për periudhën 2006- 2007.

Z.MOUROUTSOS ftohet të dëshmojë në Gjykatë rreth bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes gjatë kohës së drejtimit të NATO-s në Tiranë në kuadër të plotësimit të detyrimeve për anëtarësi në NATO; plotësimin e detyrimeve të MAP dhe PARP edhe në fushën logjistike, municionet e tepërta, raportotet civilo-ushtarake; municionet dhe aramatimet e tepërta, si dhe koordinimin me përfaqësi diplomatike të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë, për të mbështetur FA në demontimin e municioneve të tepërta.

Kolonel Louis L. BOROS dhe Z.Gregory CANNATA, drejtues të ekipit CUBIC, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, të zgjedhur nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes për reformat dhe modernizimin e FA nga viti 2006 deri në 2013

Z.BOROS dhe Z. CANNATA thirren të dëshmojnë për vlerësimin e situatës të depove të armatim municionit dhe propozimet që ata kanë bërë me Shtabin e Përgjithshëm dhe me Zyrën e Kryeministrit, takimin më 28.02.2008 me Shtabin e Përgjithshëm për cështjen e demontimit; marrëdhëniet me Ministrin MEDIU dhe me Shtabin e Përgjithshëm; takimin me Kryeministrin dhe Ministrin MEDIU më 14 Mars (1 ditë para shpërthimit) për situatën e armatim municionit, si dhe praktikat e demontimit mbas ngjarjes së Gërdecit.

Gjeneral Major Buzz KIEVENAAR, ish-Drejtues i ekipit SAIC, i zgjedhur nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes nga viti 2001 deri në 2006 për modernizimin e FA.

Z. KIEVENAAR ftohet të dëshmojë për vlerësimin e situatës së armatimeve dhe municioneve të bërë në vitin 2001 nga DOD(Departamenti i Mbrojtjes) me kompaninë SAIC të cilën ai drejtonte, hartimin e strategjisë ushtarake; ligjin për pushtetet dhe autoritet në FA dhe përgjegjësinë civile dhe ushtarake.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?
Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse. Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Ndërsa vijon gjyqi ndaj Fatmir Mediut, aktualisht kryetari i Partisë Republikane dhe deputet në Parlament.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:18
Tragjedia e Gërdecit, GJKKO pranon kërkesën e Mediut për gjykim të zakonshëm

 

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Fatmir Mediut, për t’u gjykuar normalisht dhe jo me gjykim të shkurtuar. Në seancën e sotme, mbrojtja e Mediut kërkoi gjithashtu që të thirren edhe 90 dëshmitarë për tragjedinë e Gërdecit. Seanca e radhës do të mbahet më 22 shtator.