Policia e Gjirokastrës ka arrestuar në flagrancë dy persona, pasi merreshin me transportimin e emigrantë të paligjshëm.
Në pranga kanë rënë një 30 dhe një 36 vjeç, të cilët po transportonin katër emigrantë nga Nepali, nga Qafë Thana drejt Qafë Botës. Emigrantët synonin të kalonin kufirin ilegalisht.
Ndërkohë blutë kanë shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtorin e dy të arrestuarve.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore të DVP Gjirokastër, operacionin policor të koduar "Attempt 4", si rezultat i të cilit u arrestua shtetasit:
V. T., 36 vjeç dhe F. M., 30 vjeç, të dy banues në Durrës.
Shtetasi V. T. u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin rrugor "Ura e Kardhiqit-Sarandë", duke transportuar me një automjet tip "Audi", kundrejt pagesës, nga Qafë Thana në drejtim të Qafë Botës, 4 emigrantë nga Nepali që synonin të kalonin ilegalisht kufirin.
Shtetasi F. M. u kap në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës.
Vijon intensivisht puna për kapen dhe vënien në pranga të bashkëpunëtorit të tyre, i cili është identifikuar, por për shkak të hetimeve, nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Komente











