Nga Malet Copper në Colorado të SHBA-së, Lara Colturi ka dhënë 'kushtrimin' se e ardhmja e skive botërore do jetë në këmbët e saj. Italo-shqiptarja që përfaqëson ngjyrat kuqezi (të paktën deri në vitin 2028) ia doli të sigurojë vendin e tretë pas 'mbretëreshës' Mikaela Shiffrin dhe Lena Duerr, në disiplinën e Slalomit.

Podiumi ishte i treti për 19-vjeçaren e skive, teksa Lara në pesë garat e këtij sezoni është ngjitur tre herë në zonën e medaljeve. Pas dy vendeve të dyta në Levi (Finlandë) dhe Gurgl (Austri), Colturi regjistroi një tjetër paraqitje fantastike në Malet Copper në Colorado të SHBA-së, ku u rendit e treta.

Pas garës, Lara tregoi se nuk e priste që do kapte një rezultat kaq të mirë.

“Do thosha që ishte një garë e vështirë, sidomos zbritja e dytë, e cila ishte një betejë e vërtetë. Provova të shtrëngoj dhëmbët dhe të shkoj deri në fund. Sinqerisht nuk mendoja që do të mbërrija në podium, po jam shumë e lumtur që ia dola. Jam e kënaqur me paraqitjen dhe tani më duhet të mendoj vetëm për garat e ardhshme, për të vazhduar me këtë soliditet dhe thjeshtësi deri në fund të sezonit”, tregoi Lara pas garës të të dielës.

Lara Colturi siguroi sot 60 pikë të tjera për klasifikimin e përgjithshëm, ku skiatorja jonë vazhdon të jetë në vendin e dytë me 278 pikë, ndërkohë që në krye është Mikaela Shiffrin me 368 pikë, ndërsa në vendin e tretë është ngjitur gjermania Lena Duerr me 224 pikë.