Ditë e zezë

Ditë e zezë

Kulle

Pranvera kishte ardhur si befas atë vit pas një acari të hidhur me borë e suferinë. Kol Mark Cubi ishte ulur te pragu i kullës dhe po mprehte kosën me një limë të thyer për gjysmë. Qëndroi një çast, ndezi llullën me uror, e thithi njëherë fort dhe tymin e nxori si me përtim nga cepi  i majtë i buzëve. Dhe sikur u kujtua për diçka.

- Oj ti – i thirri Davës, të shoqes që kaloi përpara tij me një bludë në duar për t’u hedhur hirrë derrave në ferk. - Kur ka lind Marku ynë?

- Një të hënë para pashkëve...

- Ata derrat e Dedajve kanë qitë pushkë për lindjen e Gjinit bash një javë përpara.

Dava u drodh dhe një valëz hirre i lagu përparësen.

- Pra, Gjini nuk është më fëmijë. Mbi të kam me marrë gjakun e axhës. E mbaj mend, kam qenë rreth dhjetë vjeç kur e ka vra Llesh Prela bash në mes të qytetit për punë borxhi ose për një mushkë.

- T’u thaftë goja, mor njeri! – iu hakërrua Dava. – Po Gjini është ende qumështor si Marku ynë.

- Mshoi vendit moj flokëgjatë e mendjeshkurtër! Ju të Bibajve kështu keni pas qenë kaherë, zemërpula! Ti thua që hasmi me jetue e unë me u turpnue?! Jo besa! Erdhi koha me e këput perin në të hollë. Bash Gjinin kam me sharrue.

Dava la përdhe bludën dhe ashtu me duart e varura tha me një zë që nuk dukej si i saj: - Na paska mallkue Zoti!

Në mbrëmje Kola u ngjit në katin e sipërm të kullës. Tërë natën, as në gjumë as në zhgjandërr, i dilte përpara atë Shtjefni me sy të kërcyer. “Mos vrit, mos vrit, mos vrit. Mos i bëj tjetrit atë që nuk don të ta bëjnë ty! Mos... mos... mos... – i thoshte me gojën mbyllur e dorën e djathtë lart... Pastaj te logu i fshatit i shfaqeshin fytyrat e ngërdheshura të malësorëve që i kthenin kurrizin sa u afrohej dhe atij i gjëmonin veshët nga hungërimat e tyre. “Frikash... trim i pjerdhun... burrec... gjel pa koqe... kanunvrasës... trim ndër femna...”

U ngrit ndenjur e nisi të thithë llullën. Nga jashtë kori i insekteve i këndonte pranverës së porsa ardhur. Nga frëngjitë nuk hynte asnjë rreze nga hëna e plotë që zbardhte mbi majat e maleve. Errësira e odës sikur trembej nga prushimi i herë pas hershëm i llullës së Kolit. Në odën poshtë Dava nuk mund të vinte gjumë në sy. Sa dremiste pak, e sulmonin ëndrra të llahtarshme që e çonin gjaktrembur më këmbë. Pastaj ndizte llambën me vajguri e shkonte e kundronte si e ngrirë të birin në anën tjetër të vatrës. “Zot o zot!” – mërmëriste duke bërë kryq. “O Shënmëri mishirëplotë, ruajma tim bir nga satanai! Ktheje në udhën e zotit tim shoq!”

Pas tri ditësh Kolë Mark Cubi vendosi ta vriste Gjinin, nipin e hasmit të tij, ditën e premte.


(Kullë)

Dava ndiqte fshehurazi çdo lëvizje të të shoqit. Ajo nuk fliste asnjë fjalë si të ishte bërë memece pa pritur e pa kujtuar. Një ditë më pas Kola nuk duroi më dhe ia flakëroi një shpullë me trinën e dorës. Dhimbjen e zëmërimin Dava i gëlltiti dhe vetëm heshti. As që mund ta mendonte që ajo shpullë do t’i futej si thikë në zemër.

Mësimi në shkollën e katundit niste në orën nëntë të mëngjesit. Në orën tetë Kola ishte fshehur pas shkëmbit nën udhën që të çonte në shkollë dhe atje, mes shkurreve, me pushkën në dorë vërente nga do të vinte Gjini. Aty pari kaluan vetëm një malësor hipur në kalë dhe e shoqja që i shkonte pas. Padurimi po e gërryente Kolën përbrenda si thonj maceje. Kafshonte cepat e mustaqeve dhe shtrëngonte pushkën si darë.

Marku u kthye në shtëpi nga Lëndina e Madhe ku çoi dhjetë delet e shtëpisë te tufa e Lekës, bariut të fshatit, dhe hodhi krahëqafë çantën e shkollës. Te porta i doli përpara e ëma dyllë e verdhë në fytyrë.

- Baba Kola, bir, ka marrë pushkën me vete e don me vra Gjinin e Dedajve.

- Po Gjini është shoku im! Ka luajtur mendsh baba!

Djali ia dha vrapit tatëpjetë e mori udhën e shkollës. Zemra po i rrihte më shpejt se vrulli i tij dhe këmbët sikur i pengoheshin pas çdo hapi nga gurët e udhës. Nga poshtë Koli dëgjoi zhurmën, pa mes shkurreve djalin që po vraponte dhe shtiu mbi të tri herë nga frika se një fishek nuk do ta kapte dot. I godituri u përplas me fytyrë përtokë. Çanta e hirtë prej lesh dhie plot libra i ra mbi kokë. Kola pa njëherë përreth mos po e shihte ndokush, u mat të përvidhej tatëpjetë, po sytë i zunë Gjinin që po afrohej me vrap tek i vrari.

 “Heu! Kë paskam vrarë!? – i shkoi rrufeshëm në mendjen e ngrirë.

- Ooo! Ooo! – klithi befas Gjini. – O Mark, o Mark! – u mek dhe ra mbi trupin e gjakosur pa jetë të shokut të tij. Kola u nxi. Flaku pushkën e u ngjit në udhë, ndërsa Gjini ia kishte dhënë vrapit ashtu i tmerruar drejt qendrës së katundit ku ishte dhe shkolla.

Kola nuk po u besonte syve. Kishte goditur të birin! Ra mbi trupin e Markut me një “aaa” të çjerrë, të pandërprerë që i dilte nga gurmazi. I dëgjoi Dava tri  krismat dhe ashtu me duart me brumin që po gatuante mori udhën tatëpjetë si e handakosur. “Qyqja, qyqja, qyqja!” fliste me zë. Kur pa Kolën mbi trupin e të birit, shtangu. Klithma e saj sikur trandi pyjet e malet rreth katundit. - Ç’m’i paske ba çunit, i mallkuem i Zotit! – arriti të shqiptonte me sytë e çakërritur. Kola po rënkonte mbi trupin e të birit. Sytë e Davës u ngulën mbi një gur të madh anës udhës, ishte rreth pesë kile, e rrëmbeu, e ngriti deri në gjoks, iu afrua Kolit dhe e goditi me sa fuqi që kishte kokën e tij, një herë, dy herë, tri herë, sa atij i shpërtheu gjak e tru bashkë.

Nga qendra e katundit u dëgjua kambana e kishës së Shën Palit. “Dang... dang dang... dang”. Njerëzit atje ku ishin mbajtën frymën. Ç’ishte kjo të rënë kambane kështu?! Jo sipas rregullave. “ Ka lajthitun  kambana!” – tha me vete një plakë.

Gjini kishte arritur te kisha dhe, ashtu i tmerruar, me duart tërë gjak kapi litarin e kambanës e zuri ta tërhiqte fort, duke bërtitur. – Dëgjoni!... dëgjoni!... dhe lotët i rridhnin mbi fytyrën e përskuqur. Dolën mësuesit nga shkolla; u afruan disa malësorë dhe  Gjini u ndal.

- Kanë vrarë Markun! – klithi. – E pashë vetë. Vetëm gjak... gjak...

Dava sikur e përmblodhi veten. E hodhi djalin në krah dhe nisi të ngjitej të përpjetës për në kullë. I dukej sikur mbante mbi supe një mal, por ecte duke gulçuar e rënkuar. E ndiente gjakun ende të pangrirë të të birit si i rrëshqiste nga qafa mbi gjoks dhe i dukej se po e përvëlonte si zjarr. E shtriu trupin e Markut në mes të odës, mori një vedër, i lau gjakun, i pastroi teshat, mori mbi vatër kryqin prej druri dhe ia vendosi mbi gjoks.

Befas u ngrit më këmbë. – Shtëpi e mallkueme! - Ulëriti duke shkulur flokët.

Shkoi e mori pas derës bidonin me vajguri, e derdhi mbi dysheme, e vërviti mbi derë, u ngjit në katin e sipërm, derdhi vajguri mbi dyshemenë e shtruar me lëkurë delesh, mbi dyshekët e jorganët...

Rëmbeu kutin e shkrepseve mbi vatër; ndezi disa fije dhe i hidhte përreth. Flaka nisi si me përtim duke cërcëritur...

Zbriti poshtë. Në të ndarën e veglave të punës, rrëmbeu gërshërët, me të cilat qethnin bagëtinë. U ul në gjunjë. Bëri tri herë kryqin. “Zoti të më falë!” -tha me vete dhe me tërbim preu fytin...

Së pari katundarët panë tymin e zi mbi kullën e Kolës, pastaj flakët që ngriteshin lart e më lart.

Të nesërmen erdhën nga katundet, ku ishin martuar, dy çikat e Kolës e të Davës. Sytë e tyre ishin shterur nga lotët e rrjedhur gjatë gjithë udhës. Ato ranë përmbys mbi gurët e oborrit. Vajet e klithmat e tyre bënë të dridhej gjithë katundi.

... Dielli më kot hidhte rrezet e tij pranverore mbi trarët e djegur e gurët e përzhitur e të përvëluar të kullës së Kol Mark Cubit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë