Ngritja e një autoriteti për mbikëqyrjen e tregut si Autoriteti i Inspektimit të Tregut dhe Metrologjisë, pritet të rrisë mbrojtjen e prodhuesve vendorë me përmirësime të ndjeshme ligjore.

Një p/ligj, "Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9875, datë 14.2.2008 "Për metrologjinë" të ndryshuar" parashikon mes të tjerave krijimin e regjistrit të prodhuesve dhe importuesve të produkteve të parapaketuara në vend,  një sistem të fortë kontrolli sasior me vendosjen e shenjës së konformitetit në paketimet dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale, si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik, që vendos bazat për konkurrencë të ndershme dhe rritjen e vlerës tregtare të bizneseve.
Ky Autoritet si institucion i ri do ketë ekspertë të mirëfilltë të tregut, që do të merren me kërkime dhe monitorimin e tregjeve për të ndalur cdo abuzim edhe në drejtim të pronësisë intelektuale, thanë për ATSH-në burime zyrtare të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. "Ky autoritet do të jetë një drejtori e përgjithshme në varësi të ministrisë", shtuan ato.

P/ligji i miratuar nga Qeveria, pritet të kalojë për diskutim në komisionet parlamentare dhe të miratohet në Kuvend, thanë për ATSH-në burime nga ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Me miratimin e p/ligjit, parashikohen ndikime pozitive në përmirësimin e praktikave për funksionimin e një tregu të sigurt, të lirë e konkurrues si dhe mbikëqyrjes së tregut, një nga prioritetet e qeverisë dhe detyrë e lënë vitet e fundit nga Komisioni Evropian në raport-progreset për Shqipërinë./atsh/