VLORË - Tregtarët e tregut të madh të qytetit, të fruta-perimeve dhe konfeksioneve, janë ngritur në protestë përpara Bashkisë së Vlorës. Ata po protestojnë kundër mbylljes së tregut në qendër të qytetit. Ky treg do të rehabilitohet si pjesë e një projekti për rehabilitimin e zonës në qendër të Vlorës, pranë Sahatit.

Në fjalën e tyre, ata thonë se nuk janë kundër rehabilitimit të tregut, por tregojnë se nuk u është dhënë zgjidhje. Janë dakord që tregu të rehabilitohet, por kërkojnë një vend të përcaktuar për të ushtruar aktivitetin e tyre.

“Për bukën e gojës së fëmijëve po protestojmë. Kemi fëmijët nëpër shkolla, me çfarë do i paguajmë. Dyqanet i kemi me qira. Na thanë do rrini nëpër dyqane dhe s’po na lënë. S’po na lënë të shikojmë mallin. Madje kemi me miliona mall. Pardje vajtja në Tiranë se nuk e dija që vinte për 24 orë. Nuk e dimë ça të bëjmë. Duam të punojmë, të na gjejnë vendin. Këta nuk po na gjejnë vendin, po na hedhin në rrugë”,- thotë një tregtar.

“Janë 350 tregtarë që i lë pa bukë. Kërkojmë një zgjidhje, të na bëjë treg tjetër. Na ka hedhur në rrugë, kemi miliona lekë mall. Jemi dakord qyteti të zhvillohet por të na bëjë treg tjetër, të shesim mallin. Sepse kemi miliona lekë mall dhe me atë mall ushqejmë fëmijët”,- thotë një tjetër.

Ata shprehen se u janë propozuar vende shumë të largëta, ku nuk ka asnjë klient. Gjithashtu, deklarojnë se do ta vazhdojnë protestën, pasi kanë marrë mall dhe u ka mbetur stok.

Ndërkohë, kërkojnë një zgjidhje dhe takim me kryebashkiaken Brunilda Mersini. Tregtarët paralajmërojnë se do të bllokojnë rrugën nëse nuk do të kenë një takim.

Përmes një videomesazhi të shpërndarë për mediat, Mersini shprehet se tregtarët janë njoftuar prej 5 muajsh për zhvendosjen e mallrave dhe lirimin e ambienteve, në bazë të afateve të përcaktuara nga vendimi i Këshillit Bashkiak.

Kryebashkiakja thotë se është në dispozicion një strukturë tjetër në zonën e Çoles, si edhe tregu industrial, që tregtarët të ushtrojnë aktivitetin gjatë periudhës së rikonstruksionit. Sipas saj, këto ambiente janë të lira dhe të gatshme për t’u përdorur nga tregtarët, të paktën për një vit, që është edhe afati i parashikuar për përfundimin e punimeve në tregun ekzistues.