/ATSH/- Inflacioni vjetor rezultoi në vlerën mesatare prej 1.9% në tremujorin e parë të vitit 2015, duke qenë më i lartë se ai i tremujorit paraardhës, me një efekt të përkohshëm në ecurinë e çmimeve të konsumit.
Ekspertët e Bankës së Shqipërisë shprehen se, inflacioni bazë, i cili mat tendencat më afatgjata të ecurisë së çmimeve, vazhdoi të shënojë rritje gjatë këtij tremujori, si pasojë e reduktimit të ofertës së produkteve të freskëta ushqimore. Por, sipas tyre, ky zhvillim pritet të ketë një efekt të përkohshëm në ecurinë e çmimeve të konsumit.
Në bazë të informacionit të disponuar, Banka e Shqipërisë vlerëson se ritmet pozitive të rritjes kanë vijuar edhe në tremujorin e parë të vitit 2015. Rritja ekonomike e kësaj periudhe vlerësohet të ketë pësuar një ngadalësim të përkohshëm, si pasojë e dëmeve nga përmbytjet në sektorin bujqësor e blegtoral, por edhe si pasojë e reduktimit të prodhimit të naftës, në përgjigje të konjukturës së dobët të tregut botëror.
Banka Qendrore parashikon që presionet afatgjata inflacioniste nga ana e kërkesës janë në rritje, por ato mbeten ende të dobëta. Ndonëse aktiviteti ekonomik vijon të përmirësohet, ekonomia ka ende kapacitete të pashfrytëzuara prodhimi.