TIRANË- Për 5 orë me radhë, Kupa e Botës ka qëndruar e ekspozuar në ambientet e Kryeministrisë për çdo futbolldashës, me qëllim për të frymëzuar tifozët anë e mbanë botës. Kjo kupë vjen në kryeqytet në kuadër të turit që po bëhet në 51 vende të ndryshme të botës, mes tyre edhe 32 shtetet që janë kualifikuar në Kupën e Botës FIFA. Ka qenë ylli brazilian Gilberto Silva që e ka dorëzuar në Tiranë, teksa i pranishëm ka qenë kryebashkiaku Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama si edhe ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi.

Kreu i qeverisë me nota humori dhe batuta u shpreh se dogana shqiptare për herë të parë u përball me zhdoganimin e dy kupave, teksa nuk i kurseu edhe lavdet për kapitenin historik të kombëtares Shqiptare. Ai tha se uron që një ditë Shqipëria të fitojë një Kupë të rëndësishme të kompeticioneve ndërkombëtare,

“Po merremi me kupat e të tjerëve, po mbase vjen dita që një kupë ta fitojmë dhe ne", tha Rama. 

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj me ministren e Arsimit, Evis Kushi pritën rreth orës 10:00 ekipin e Trofeut të Kupës së Botës në aeroportin e Rinasit. Nga ana tjetër, Veliaj përsëriti thirrjen që e mërkura të jetë dita pa makina për finalen e Conference League pasi do të ketë dyndje të kryeqytetit dhe duhet të gjithë të dalin faqebardhë duke respektuar rregullat.

“E mërkura është ditë pa makina, pushim zyrtar, do lejohet transporti i mallrave, do lejohet transporti publik. Të gjithë ata që mund t’i evitojnë punët, do i kërkoja që të mos udhëtojnë në Tiranë, ta mbajnë trafikun sa më të ulët, të kemi një rrugë ekspres nga këtu në Rinas dhe të pandërprerë deri në Tiranë që sportistët e tifozeritë të shijojnë qytetin. Fan Zona miks është në sheshin Skënderbej. Kolegët e Feyenordit do të jenë tek pedonalja dhe pastaj nisen për stadium nga pedonalja dhe kanë hyrjen në portat veriore. Kolegët e Romës do të kenë Fan Zone tek Amfiteatri i Liqenit. Në të dyja Fan Zone do të ketë ekrane. Shpresoj që në këtë dyndje do të dalim të gjithë faqebardhë nëse respektojmë ditën pa makina, ndarjet e tifozerive dhe me një buzëqeshje duke mbajtur Tiranën pastër”, tha Veliaj.

Finalja e Conference League, kompeticionit të UEFA-s që do të zhvillohet në Tiranë më 25 maj, pritet të sjellë mijëra tifozë nga Italia dhe Holanda. Ndërkaq, të gjitha biletat për të parë ndeshjen tashmë janë shitur nga UEFA. Prej ditësh, kryeqyteti po bëhet gati për të pritur edhe tifozët që nuk do të kenë bileta dhe do ta shohin ndeshjen jashtë stadiumit.

Amfiteatri Veror i Liqenit dhe pedonalja “Murat Toptani” do të kthehen në Fan Zone për tifozët e Romës dhe Feyenoord, ndërsa sheshi “Skënderbej” do të presë tifozë neutralë, në mënyrë që edhe ata që nuk kanë bileta, ta shijojnë ndeshjen me po të njëjtën atmosferë si në stadium.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:04
Duka në Konferencën për Kupën e Botës, e tradhton telefoni duke dëgjuar lajmet për Veliajn

Në sallën COD të Kryeministrisë u bë dhe prezantimi i trofeut të Kupës së Botës në Tiranë, për t'u parë nga afër prej futbolldashësve.

Por gjatë prezantimit të saj ku merrte pjesë dhe Kryeministri Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, kreu i FSHF-së Armand Duka është tradhëtuar nga celulari i tij.

Teksa të gjithë po dëgjonin fjalimet e kampionit të botës Gilberto Silva, Presidenti I FSHF-së u kap mat duke dëgjuar edicionet e lajmeve që flisnin për Erion Veliajn.

Kjo shkaktoi jo pak të qeshura nga të pranishmit në sallën COD, ndërsa vendosi në siklet Presidentin Duka.

Edhe pse zgjedhjet për FSHF tashmë kanë përfunduar, me sa duket Dukës I ka mbetur mendja ende tek Erion Veliaj.

Ora 15:33
Ylli i Brazilit i dhuron Kupën e Botës në miniaturë, batuta e Ramës: E ka sjellë sipas gjatësisë

 

Ish-futbollisti i Brazilit Gilberto i ka bërë një dhuratë simbolike kryeministrit Edi Rama, një Kupë Bote në miniaturë, por kreu i qeverisë nuk i ka kursyer edhe batutat.

“E kanë sjellë sipas gjatësisë. Kjo do të mbahet me krenari këtu në muzeun e dhurata në zyrën e kryeministrit, kjo është Kupa e tretë”, tha Rama.

Ora 15:31
Kupa e Botës në Tiranë, Rama lavde Lorik Canës: Kapiteni historik i kombtares, urojmë që të fitojmë një kupë dhe ne

Trofeu i turneut “FIFA World Cup” është ekspozuar në Tiranë, ku ka qenë kryeministri Edi Rama i cili së bashkë me ish futbollistin e Brazilit Gilberto Silva, ka veçuar momentin e veçantë për të parë nga afër këtë kupë bote. Në fjalën e  tij, Rama nuk i ka kursyer edhe lavdet për ish-kapitenin e Kombëtares, Lorik Cana.

"Këto janë ditë të veçanta për doganën shqiptare, sepse për herë të parë u ndeshën me zhdoganimin e dy kupave, të botës dhe ajo e konfederatës, e cila do të jepet në stadiumin tonë të mërkurë. Janë nga ato halle që do të donim ti kishim edhe më të shumta në të ardhmen. Edhe pse orët e qëndrimit janë sa gishtat e dorës, kupa do të qëndrojë vetëm pese orë sepse më pas do vazhdoje udhëtimin e saj. Uroj që sa më shumë futbolldashës të kenë mundësoi ta vizitojnë dhe uroj që garda mos ti krijojë probleme”, u shpreh Rama. Këtu është edhe Lorik Cana, unë nuk e di kush është kapiteni i kombëtares sot dhe kjo është përgjegjësi e Lorikut, se ato që vijnë pas janë si zv. Kapiten. Po merremi me kupat e të tjerëve, po mbase vjen dita që një kupë ta fitojmë dhe ne", tha Rama. 

Kupa e Botës do të ndalet në 51 vende dhe territore. Për herë të parë, turneu do të vizitojë të 32 vendet që u kualifikuan për “Kupën e Botës FIFA”, duke frymëzuar tifozët në mbarë botën.