Juristi Kreshnik Spahiu thotë se Uashingtoni ka vlerësuar pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe Kosovës në Bordin e Paqes.

Në emisionin "Frontline" në Report Tv, Spahiu u shpreh se Shqipëria dhe Kosova i kanë rezistuar presionit europian, pasi vende të BE-së zgjodhën të mos ishin të pranishëm në Uashington.

“Katër janë momentet që janë disi të padukshme. Së pari, Uashingtoni ka vlerësuar shumë që Shqipëria dhe Kosova kanë përballuar dhe rezistuar përballë presionit europian, i cili ka qenë i jashtëzakonshëm kundër pjesëmarrjes së Shqipërisë dhe Kosovës në Bordin e Paqes, dhe pjesëmarrjes në Uashington, të kryeministrit shqiptar dhe presidentes së Kosovës për faktin sepse e konsiderojnë Shqipërinë dhe Kosovën, që të jenë pjesë e Europës. Kryesisht, BE e ka bojkotuar, kanë kërkuar që edhe Shqipëria, edhe Europa, të ndiqnin të njëjtën rrugë", theksoi ai.

Sipas Spahiut, po lobohet që presidenti amerikan, Donald Trump të vizitojë Tiranën dhe Prishtinën. 

"E dyta, ka një lobim të fortë, pas kësaj që pas vizitës së Osmanit dhe Ramës në Uashington, po lobohet shumë fuqishëm që presidenti Trump të vizitojë Tiranën dhe Prishtinën. Ekzistojnë të gjitha gjasat që së shpejti të ketë një vizitë të presidentit Trump në Shqipëri dhe Kosovë, duke e vlerësuar si kombin më proamerikan në Europë", tha juristi.

Spahiu nënvizoi se ka edhe një lobim për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, teksa shtoi se fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes,  ishte i përgatitur me këshilltarë amerikanë

"Së treti, kemi të bëjmë me çështjet e lobimit, për lirimin e liderëve të UÇK, kjo është fjalim i përgatitur me këshilltarë amerikanë, për të shfrytëzuar qasje tërësisht anti liderëve të UÇK, të europianëve, që kanë inteferuar për dënimin e liderëve të UÇK dhe qasja amerikane është shumë kritike. E katërta, Shqipëria ka qenë në alternativën, ose duhet të paguante para, ose të çonte burime njerëzore. Duhet të zgjidhte mes burimeve financiare dhe burimeve njerëzore. Mendoj që është zgjidhja më e duhur. Është e arsyeshme që Shqipëria të marrë pjesë me trupa në Gaza", përfundoi Spahiu.


Lajmi kryesor:

Spahiu: LaCivita do kthejë 7 milionë dollarë sepse shkoi Rama në Uashington, jo Berisha