Pas takimit me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Viktor Orban njoftoi mbrëmë për gazetarët hungarezë se kishte marrë një përjashtim njëvjeçar nga sanksionet ndaj naftës dhe gazit rus. Marrëveshja përbën një fitore për kryeministrin hungarez, por edhe për presidentin amerikan, pasi Budapesti është angazhuar për një sërë investimesh në fushën e energjisë në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë takimit të tyre për drekë në “Cabinet Room”, Trump e lavdëroi vazhdimisht Orbánin përpara gazetarëve, duke anashkaluar mospërputhjet që lidhen me faktin se Hungaria blen naftë nga Rusia dhe duke u përqendruar në ngjashmëritë mes programeve të tyre politike përsa i përket emigracionit.

“Mendoj se ata duhet ta respektojnë Hungarinë dhe të respektojnë shumë këtë lider, tha Trump duke iu referuar udhëheqësve të tjerë evropianë, sepse ai kishte të drejtë për emigracionin; shikoni çfarë ka ndodhur në Europë, po e përmbytin, disa vende janë bërë të panjohshme”.

Ndryshe nga shumë liderë të huaj që vijnë në Shtëpinë e Bardhë dhe flasin pak, Orbán, plotësisht në elementin e tij, disa herë i vendosi dorën në krah Trumpit për t’i treguar se donte t’u përgjigjej edhe vetë pyetjeve të gazetarëve.

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2024, Hungaria varet nga Rusia për 74% të gazit dhe 86% të naftës së saj. Por Trump u tregua menjëherë i hapur për t’i dhënë vendit një përjashtim nga sanksionet amerikane ndaj dy kompanive të mëdha ruse të naftës, që do të hyjnë në fuqi më 21 nëntor, duke thënë se Hungaria nuk ka dalje në det dhe as porte, pra ka më shumë vështirësi për të siguruar furnizime përmes rrugëve alternative. Ai kritikoi gjithashtu vende të tjera evropiane (pa i përmendur me emër) që, ndonëse kanë dalje në det, vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz rus.

Ministrat e Jashtëm të dy vendeve firmosën më pas një marrëveshje bashkëpunimi dypalësh në fushën e energjisë bërthamore, e cila do ta çojë për herë të parë Budapestin të blejë nga amerikanët karburant bërthamor (që aktualisht e merr nga Rusia), me një vlerë prej 114 milionë dollarësh. Po ashtu, po diskutohet për blerjen e 12 mini-reaktorëve modularë me vlerë 20 miliardë dollarë. Palët po negociojnë gjithashtu një kontratë pesëvjeçare për blerjen e gazit natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara. Hungaria do të blejë edhe pajisje ushtarake amerikane me vlerë 700 milionë dollarë.

Sanksionet amerikane do të kishin qenë një goditje e rëndë për Orbánin: ai do të rrezikonte sanksione dytësore, ndërkohë që prillin e ardhshëm kërkon rizgjedhjen. Disa mendojnë se Hungaria mund të mbështetet, si alternativë ndaj Moskës, në furnizimet përmes tubacionit nga Kroacia, por Orbán përgjigjet se për momentin ajo mund të shërbejë vetëm si burim plotësues.

Në një pjesë, kjo lidhet me çështjen e çmimeve: energjia ruse është më e lirë, gjë që i lejon atij të mbajë premtimin për të mbajtur të ulëta kostot për konsumatorët. Megjithatë, në Uashington, Orbánit iu desh të hapte edhe kuletën, ndonëse kishte premtuar para votuesve të tij se me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë do të kishte investime amerikane në Hungari.

Orbán kritikoi Bashkimin Evropian për sanksionet e vendosura ndaj Budapestit në lidhje me emigracionin:

«Ky është realiteti absurd në të cilin jetojmë tani në Europë. Ne jemi i vetmi qeveri që e konsideron veten të krishterë. Të gjitha të tjerat janë në thelb qeveri liberale të majta», por sqaroi gjithashtu se nuk dëshiron që Trump të ndërmjetësojë mes tij dhe BE-së, duke theksuar në vend të kësaj se kërkon një “Epokë të Artë” në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

U fol gjithashtu për Ukrainën dhe për takimin në Budapest, që nuk u mbajt, midis Trumpit dhe Putinit. Orbán fajësoi qeverinë e Bidenit për shtyrjen e Europës drejt vazhdimit të luftës. Ai pohoi se vendet evropiane mbeten të ndara, pasi disa besojnë se Ukraina mund të fitojë në fushëbetejë.

Trump e pyeti: «A do të thoje se Ukraina nuk mund ta fitojë luftën?»

Kryeministri hungarez u përgjigj se kjo do të ishte «një mrekulli»./Corriere Della Sera