NATO mund të çahet nën peshën e akujve të Groenlandës. Donald Trump ka thyer edhe një tabu tjetër dhe dje pranoi se mund të vihet përpara një zgjedhjeje mes aneksimit të Groenlandës dhe ruajtjes së Aleancës Atlantike. Me një konstatim shtesë: NATO pa SHBA-të nuk i tremb askënd. «Rusia nuk shqetësohet aspak për të, përveçse për sa na përket neve. As Kina».
Me pak fjalë, ambiciet ekspansioniste drejt veriut të tycoon-it mbeten të paprekura («Në një mënyrë apo në një tjetër, do ta kemi Groenlandën») dhe ai i shoqëron ato me një paralajmërim për Europën: «Duhet vërtet të rregullohen». Edhe në këtë rast Trump i kthehet taktikës së tij negociuese duke ngritur tonet. Por duket i bindur se mund të arrijë një marrëveshje “tregtare” me Groenlandën dhe Danimarkën. «Nëse nuk e marrim Groenlandën – është paralajmërimi i tij – do ta marrin Rusia ose Kina dhe unë nuk do ta lejoj këtë». Premisa e kërcënimit të tij është tallja e bashkëbiseduesit. Në këtë rast ai vë në lojë aftësitë ushtarake të Groenlandës:
«Mbrojtja e tyre përbëhet nga dy slita tërhequr nga qen».
Të gjitha këto fjalë kanë nervozuar Europën. Dhe vetë Groenlandën. Qeveria e Nuuk-ut, që gëzon autonomi nga Kopenhaga, «nuk mund të pranojë» një kontroll nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe në një deklaratë zyrtare kujton se është «pjesë e Commonwealth-it danez dhe e NATO-s. Mbrojtja e Groenlandës duhet pra të kryhet përmes NATO-s, nga të gjitha shtetet anëtare të saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara».
Një koncept që nuk duket se ndahet nga Shtëpia e Bardhë. Jo rastësisht dje sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, u përpoq për një ndërmjetësim: «Të gjithë aleatët bien dakord për rëndësinë e Arktikut dhe të sigurisë arktike, sepse e dimë se, me hapjen e rrugëve detare, ekziston rreziku që rusët dhe kinezët të bëhen më aktivë». Një optimizëm që nuk ndahet nga Komisioneri i BE-së për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, sipas të cilit një pushtim ushtarak i Groenlandës nga ana e SHBA-ve «do të ishte fundi i NATO-s». Një parashikim negativ i balancuar nga dora e shtrirë e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, drejt Uashingtonit.
«Ne ndajmë shqetësimet amerikane – ka thënë ai – për nevojën që kjo pjesë e Danimarkës të mbrohet më mirë.
Duam ta përmirësojmë së bashku situatën dhe supozoj se edhe amerikanët do të marrin pjesë». Në ditët në vijim do të zhvillohen bisedime formale me administratën amerikane, por qeveria e Berlinit ka dashur të saktësojë se për momentin nuk ekziston asnjë plan për të dislokuar trupa në Groenlandë. Edhe pse ishte Britania e Madhe ajo që, një ditë më parë, kishte hedhur hipotezën e një zgjidhjeje të tillë.
Se Arktiku është shndërruar në një nga pikat kyçe të përballjes gjeopolitike e dëshmon edhe Kina, e cila iu përgjigj prerë Trump-it. Shtetet e Bashkuara, paralajmëroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Pekinit, «nuk duhet të përdorin vende të tjera si pretekst për interesat e tyre egoiste. Aktivitetet e Kinës në Arktik janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare».
La Repubblica
Komente









