Shtetet e Bashkuara mund të mbikëqyrin Venezuelën dhe të kontrollojnë të ardhurat e saj nga nafta për vite me radhë.

Kështu u shpreh presidenti amerikan, Donald Trump në një intervistë për New York Times.

"Vetëm koha do të tregojë se sa gjatë Shtetet e Bashkuara do të mbikëqyrin Venezuelën”, tha Trump.

Kur u pyet nëse kjo periudhë do të ishte tre muaj, gjashtë muaj, një vit apo më gjatë, Trump u shpreh: "Do të thoja shumë më gjatë".

Sipas tij, SHBA do e rindërtojë Venezuelën.

"Ne do të përdorim naftë dhe do të marrim naftë. Do t'i ulim çmimet e naftës dhe do t'i japim para Venezuelës, të cilat i nevojiten me dëshpërim.", theksoi presidenti.

Por Trump duket se ka hequr dorë nga një kërcënim për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër fqinjit të Venezuelës, Kolumbisë.

Trump ftoi udhëheqësin e majtë të Kolumbisë, të cilin më parë e kishte quajtur një "njeri të sëmurë", të vizitonte Uashingtonin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:34
Senati amerikan miraton rezolutë për të kufizuar Trumpin në Venezuelë

1767893864_1730861181senati.JPG

Senati i SHBA-së, me shumicë republikane, miratoi një rezolutë për ta penguar presidentin Trump të ndërmarrë veprime të mëtejshme ushtarake kundër Venezuelës pa autorizimin e Kongresit. Me 52 vota pro dhe 47 kundër, senatorët i dhanë një goditje presidentit. Pesë republikanë votuan së bashku me demokratët për të kufizuar Trumpin. Tani masa kalon në Dhomën e Përfaqësuesve, ku rruga duket më e vështirë.

Pesë republikanët që votuan me demokratët janë Rand Paul, Todd Young, Lisa Murkowski dhe Josh Hawley. 

“Kongresi duhet të ushtrojë autoritetin e tij për çështjet e luftës edhe kur një operacion ushtarak ka pasur sukses, përndryshe rrezikohet që vendi të qeveriset në gjendje emergjence”, tha senatori konservator Rand Paul.

Ai kishte votuar pro edhe rezolutave të tjera për të kufizuar fuqitë e luftës së Trumpit, të paraqitura nga demokratët muajt e fundit, në përgjigje të sulmeve kundër anijeve të trafikut të drogës. Sulmi në Venezuelë ka shkaktuar polemika në Kongres, me demokratët dhe disa republikanë thellësisht kundër. Në Dhomën e Përfaqësuesve, miratimi i masës pritet të jetë më i vështirë, pasi republikanët kanë shumicën, edhe pse të ngushtë.

Nëse rezoluta miratohet, Trump do të vendosë veton, kishte deklaruar Shtëpia e Bardhë përpara votimit, sipas agjencisë Bloomberg.