Trupat qeveritare në Siri
rimarrin qytetin Palmira

Trupat qeveritare në Siri<br />rimarrin qytetin Palmira
TIRANË - Presidenti sirian Bashar al Assad përgëzoi ushtrinë për rimarrjen e kontrollit të qytetit Palmirës nga duart e Shtetit Islamik, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit. Pretendimet e qeverisë për marrjen e qytetit u konfirmuan edhe nga grupi monitorues Observatori siriane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit dëgjohen ende krisma armësh në lindje të qytetit, por duket e qartë se forcat e ISIS janë tërhequr nga Palmira.

Ushtria siriane bëri me dije se tashmë ka nën kontroll të gjithë qytetin, qoftë pjesën antike apo atë moderne të tij. Që prej ditësh ushtria siriane shënonte përparim në frontin e Palmirës, e mbështetur edhe nga sulmet ajrore ruse. Presidenti sirian Assad tha se fitorja në Palmira tregon suksesin e strategjisë së ushtrisë. Komentet e tij u bënë në prani të një grupi deputetësh francezë që po vizitojnë vendin dhe u transmetuan në televizionin shtetëror.

Sipas analistëve, suksesi në Palmira është jo vetëm një fitore në terren, por edhe në diplomaci për presidentin Assad, i cili kërkon që t’i tregojë botës se është një partner në luftën kundër terrorizmit. Me Palmirën në kontroll, qeveria siriane përforcon pozicionin e saj në bisedimet e paqes në Gjenevë dhe Assad përpiqet që të shfaqet si një njeri që zgjidh probleme, megjithëse janë të shumtë ata që mendojnë se ai është problemi.

Ndërkohë, mësohet se ka nisur organizimi i grupeve të ekspertëve për të verifikuar në terren shkatërrimin që Shteti Islami ka shkaktuar në qytetin e lashtë të Palmirës, ku në shumë video militantët shfaqeshin duke shkatërruar tempujt dhe monumentet mijëra vjeçare. Në pamjet e para të transmetuara pas mbërritjes së ushtrisë në Palmira, duket qartë se ISIS ka ushtruar ndaj monumenteve antike të njëjtën dhunë që ka rezervuar edhe ndaj armiqve të tij dhe shtrirja e dëmeve është katastrofike.
 
Paqja
Megjithatë, paqja afatgjatë në Siri mbetet ende e largët dhe një perspektivë gati e pamundur, nëse konsideron pengesat ushtarake dhe politike, vlerësojnë analistët. Tarek Alabed, një analist politik në Damask, thotë se pavarësisht marrjes së Palmirës nga duart e Shtetit Islamik, forcat e qeverisë siriane kanë ende një rrugë të gjatë përpara për të eliminuar të gjitha grupet terroriste nga territori sirian: "Kemi një rrugë të gjatë për eliminimin e organizatave terroriste, përfshirë ISIS-in, pasi vetëm kur t’i kemi dëbuar jashtë Sirisë mund të kemi paqe reale në vend".

Përveç sfidave ushtarake, edhe bisedimet për paqe mes qeverisë dhe palëve po zhvillohen në një terren mjaft të vështirë. Raundi i fundit i bisedimeve në Gjenevë u mbyll me një tekst prej 12 pikash të përbashkëta që iu paraqit për shqyrtim si qeverisë siriane, ashtu edhe opozitës nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Stafan de Mistura.

Çështja nëse Bashar al-Assadi duhet të largohet nga posti, një prej kërkesave kryesore të opozitës kjo, përplasi sërish palët dhe asnjëra prej tyre nuk duket se ka ndërmend të bëjë lëshime në këtë pikë.  Gjithsesi, siç pohon një analist tjetër sirian, ndërsa palët po përpiqen për një tranzicion politik, vështirësi të tjera dalin në pah.

"Ka shumë pengesa, përfshirë listën e pjesëtarëve të Komitetit të Përkohshëm dhe formën e qeverisë së ardhshme, nëse do të jetë një sistem parlamentar apo presidencial", thotë Alabed. Analistët thonë se përfshirja në krizën siriane e lojtarëve të shumëfishtë, mes të cilëve SHBA-ja, Rusia dhe Turqia, konfliktet e brendshme sektare, ashtu si edhe pasiguri të tjera, po e bëjnë edhe më të vështirë arritjen e një paqeje afatgjatë dhe stabilitetit në vend.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Jason Derulo kapet 'mat' duke darkuar me një vajzë misterioze në Tiranë

Jason Derulo kapet 'mat' duke darkuar me një vajzë misterioze në Tiranë