ATHINE - Greqia ka rimbursuar Fondin Monetar Ndërkombëtar të borxhit prej 450 milionë euro në ditën e fundit të afatit. Lajmi bëhet me dije nga Bloomberg, që citon burime të Ministrisë së Financave helene.

Një ditë më parë kreu i qeverisë Greke, Aleksis Tsipras, vizitoi Moskën ku u takua me liderin Rus Vladimir Putin. Gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp, liderët thanë se Athina nuk kishte kërkuar asnjë ndihmë financiare nga Rusia por kishte marrë gatishmërinë e Moskës për investime në projekte të përbashkëta të mëdha. 

“Qëllimi i vizitës sime është të gjejmë së bashku një rrugë të re, një rifillim të ri të marrëdhënieve për të mirën e të dy popujve. Gjatë takimit folëm mbi mënyrat konkrete për rritjen e eksportit grek drejt Rusisë, duke përmirësuar disekulibrin ndaj nesh”, u shpreh Tsipras.

Në përfundim të takimit prej dy orësh e gjysmë presidenti Putin është shprehur se Athina nuk është “kali i Trojës për BE-në”.

“Gjëja më e mirë për zgjidhjen e problemeve është ndalimi i luftës së sanksioneve dhe kundërmasave ruse. Nuk do të përdor Greqinë si një kalë troje për të kushtëzuar marrëdhëniet me Evropën. Ndërsa përsa i përket embargos ushqimore nuk mund të bëhet asnjë përjashtim”, tha Putin.

Dy liderët nuk kanë lënë pa theksuar lidhjet shpirtërore të përbashkëta mes Greqisë dhe Rusisë, ku kryesore është besimi fetar ortodoks i dy vendeve. Kjo vizitë u pa me frikë nga partnerët Evropianë, në prag të pagesës së borxhit ndaj FMN-së, në sfondin e negociatave mbi pagesën e borxhit masiv të daljes nga kriza.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)