Një kërkesë e thjeshtë për një gotë ujë rubineti në një hotel luksoz në Dolomite të Italisë u kthye në një çështje ligjore që përfundoi në Gjykatën Supreme të vendit fqinj. Kjo e fundit vendosi se restorantet dhe hotelet nuk janë të detyruara me ligj t’u shërbejnë klientëve ujë nga rubineti.
Ngjarja daton në vitin 2019, kur një turiste kaloi pushimet e fundvitit në një hotel me pesë yje në Corvara, një resort skish në zonën e Dolomiteve italiane. Ajo kishte rezervuar një paketë me mëngjes dhe darkë ku pijet nuk ishin të përfshira.
Sipas mediave italiane, gruaja kërkoi vazhdimisht ujë rubineti gjatë vakteve dhe madje u ofrua të paguante për të. Hoteli refuzoi kërkesën dhe çdo mbrëmje në tavolinën e saj vendosej një shishe 0.75 litra ujë mineral, me çmim 7 euro.
Turistja u ankua se po i mohohej vazhdimisht mundësia për të konsumuar ujë nga çezma dhe se detyrohej të blinte ujë në shishe. Më pas ajo e çoi çështjen në gjykatë, duke argumentuar se uji është “një burim natyror dhe një e drejtë universale njerëzore” dhe se sigurimi i një sasie minimale uji duhet të garantohet.
Sipas saj, uji i rubinetit duhet të konsiderohet pjesë normale e shërbimit në një hotel apo restorant, njësoj si krevati me çarçafë, dhoma e ngrohtë apo sapuni në banjë.
Turistja kërkoi 2,700 euro dëmshpërblim për “dëmin ekonomik dhe shqetësimin emocional” që pretendonte se kishte pësuar. Gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë e rrëzuan padinë, ndërsa gruaja vendosi ta çonte çështjen deri në Gjykatën Supreme të Kasacionit në Itali.
Edhe kjo gjykatë vendosi kundër saj, duke theksuar se në Itali nuk ekziston asnjë ligj që detyron restorantet apo hotelet t’u shërbejnë klientëve ujë nga çezma. Në Itali, kërkesa për ujë rubineti në restorante shpesh konsiderohet shkelje e etikës, sidomos kur klientëve u ofrohet fillimisht zgjedhja mes ujit natyral apo atij me gaz në shishe.
Megjithatë, vitet e fundit gjithnjë e më shumë klientë po kërkojnë ujë rubineti për të shmangur përdorimin e plastikës, ndërsa disa restorante kanë nisur të ofrojnë ujë të filtruar.
Komente







