Kështu, Rama nguli këmbë te ajo që tha edhe dje në Durrës, gjatë tryezës së PS për turizmin. “Vitet e fundit ne kemi hasur në vijimësi një propagandë të shfrenuar për rritjen vjetore me qindra mijëra vetë të turistëve në Shqipëri. Por – sipas Ramës - ka një mospërputhje shumë të qartë shifrash mes shifrës së numrit të rritur të turistëve dhe shifrës së të ardhurave nga turizmi bazuar në dy burime zyrtare. I pari burimi zyrtar i qeverisë së Shqipërisë përmes gojës personalisht të kryeministrit shqiptar që thotë se në vitin 2011 për shembull numri i turistëve është rritur me 550 mijë. Ndërkohë që burimi tjetër zyrtar ai i Bankës së Shqipërisë thotë se pikërisht në vitin 2011 rënia e të ardhurave nga turizmi është 60 milion euro. E, duke shkuar pak më pas në vite, nga viti 2009 në vitin 2011, të ardhurat në ekonomi nga turizmi kanë rënë me 140 milionë euro. Mospërputhja e realitetit me shifrat zyrtare të qeverisë është një fakt i përditshëm në të gjitha fushat, por këtu gjendemi përballë një mospërputhje që i kalon përmasat e të pranueshmes edhe bazuar në mospërputhjet me të cilat jemi mësuar”, tha Rama dje në Durrës.
Në vijim disa pjesë nga fjala e tij gjatë takimit të djeshëm:
Ne besojmë që turizmi është një tjetër fushë për t’u eksploruar në funksion të një programi “Për një Rilindje Shqiptare” që ka në fokusin e vet punësimin. Deri më sot ne konsiderojmë që kështu siç është konceptuar dhe siç është administruar, turizmi në Shqipëri nuk ka pasur impaktin që duhet dhe mund të ketë në ekonomi në tërësi dhe në punësim në veçanti. Forma kryesore e turizmit në Shqipëri dihet botërisht është ajo që quhet e rërës dhe detit dhe për pasojë jo pak, por 40% e vizitorëve vijnë në Shqipëri gjatë muajit korrik dhe gusht. Pas vitit ‘90 ndryshimet gjeopolitike kanë krijuar mundësinë që bregdeti shqiptar të kthehet në bregdetin natyral të shqiptarëve kudo ku jetojnë dhe kjo është edhe arsyeja pse 60% e vizitorëve janë, pikërisht, nga trevat ku jetojnë shqiptarët rreth e rrotull nesh. Por, sot është koha për të parafytyruar një transformim rrënjësor në fushën e turizmit dhe për të konceptuar me vizion, me kurajo dhe me kreativitet politika të reja për turizmin. Politika të reja që tërheqin edhe turistë të huaj, pra jo shqiptarë, në një masë të konsiderueshme, kuptohet brenda shkallës modeste që Shqipëria ka në pellgun atraktiv të Mesdheut, por në një të atillë shkallë që mund të kenë një impakt shumë serioz në ekonomi dhe në punësim.
Sot ne flasim për turizëm të detit dhe të rërës, më saktë do të thosha për turizëm të bregdetit dhe disponojmë të vetmin segment të bregdetit në Mesdhe të bllokuar për mjetet lundruese. Një absurditet i mbështetur mbi një arsye që s’është arsye për gjoja luftën kundër trafiqeve sepse është njësoj si të thuash që në mënyrë që të mos kemi krime më mirë po i fusim të gjithë njerëzit në burg dhe po i izolojmë nga njëri tjetri, kështu që garantojmë kriminalitet zero në të gjithë territorin. Futja praktikisht në burg e të gjitha mjeteve lundruese dhe futja në burg e vetë detit si një faktor themelor në ekonominë e një vendi që njësoj si Shqipëria ka një masë të konsiderueshme dalje në det është një politikë literalisht e çmendur. Ne besojmë që moratoriumi mbi skafet është absolutisht kundër zhvillimit turistik dhe kundër buonsensit në një vend si Shqipëria dhe për një vend si Shqipëria. Kemi qenë kundër moratoriumit të skafeve, kemi kërkuar shfuqizimin e moratoriumit të skafeve, presim që në parlament propozimi ynë të votohet dhe sigurisht vota jonë do të jetë për shfuqizimin e moratoriumit të skafeve. Ne nuk besojmë për asnjë sekondë të vetme se kostoja e jashtëzakonshme në ekonomi e bllokimit të detit për mjetet lundruese dhe këtu flasim për një tërësi mjetesh lundruese, ja vlen një ndërmarrje e tillë ligjore që ka vetëm pasoja në ekonomi dhe në zhvillimin e turizmit dhe nuk ka absolutisht as një të mirë, as edhe atë të mirën që propagandohet si sukses të bllokimit të trafiqeve sepse shteti duhet të jetë në gjendje që të garantojë rendin ligjor në tokë dhe në det. Dhe nuk mund dot të fshihet pas ligjesh të tilla totalisht absurde për shkak se nuk është në gjendje të kryeje detyrën e vet.
Nga ana tjetër është shumë domethënëse që krahas me degradimin e territorit, krahas me shfrytëzimin barbar të pasurive natyrore, krahas me shkatërrimin e vetëdijshëm të trashëgimisë kulturore, vazhdon ndotja e Shqipërisë, që është e mbytur nga plehrat nga të katër anët. Dhe, të arrijë dita që kryeministri i një vendi të bekuar si Shqipëria, që Zoti i ka falur të gjitha pasuritë dhe bukuritë e nevojshme që populli i vet të jetojë i mirëqenë, të falënderojë zotin pse e lan ndërkohë që ky vet kishte dalë për të pastruar, është vërtet më shumë sesa groteske. ‘Shiu’, tha, ‘e lau Shqipërinë’.
Në fakt maksimumi që bëri shiu atë ditë, është që lau kryeministrin, sepse më shumë s’kishte ç’të bënte as shiu në një territor ky gjendja e plehrave ka dalë tërësisht jashtë kontrollit.
Është shumë e rëndësishme që politika jonë për turizmin, ashtu si edhe për disa sektorë të tjerë të jetë pazgjidhshmërisht e lidhur me Kosovën. Është shumë e rëndësishme që të mos e konceptojmë turizmin në Shqipëri si një turizëm të kufizuar nga kufiri i sotëm zyrtar mes shtetit shqiptar dhe shtetit të Kosovës, por si një turizëm të integruar, pa e marrë në konsideratë këtë kufi zyrtarë. Këtu unë kam, fal arkivës private të Artan Lames, një revistë. Është numri i gusht – shtatorit 1944. Në gusht –shtatorin e vitit 1944 ju e keni parasysh se çfarë ndodhte në Shqipëri, e megjithatë në gusht- shtator 1944 ka vazhduar të dalë kjo revistë, e cila quhet Drini dhe që është organ i turizmit kombëtar. Po të shikoni dhe hartën e turizmit kombëtar dhe po të kaloni në përmbajtjen e revistës, harta përfshinë Shqipërinë, përfshinë edhe Kosovën dhe gjithë përmbajtja e revistës u dedikohet turistëve, duke e shtrirë gjithë informacionin përgjatë territoreve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Besoj që në raste se ne kemi 1000 vendndodhje të trashëgimisë kulturore, e kemi një listë shumë të pasur pasurish natyrore, plus edhe traditën e mikpritjes, po t’i shtonim edhe çka ka në territorin e Kosovës, qoftë si trashëgimi kulturore, qoftë si pasuri natyrore, qoftë dhe si mikpritje dhe si traditë në kuptimin e varieteteve që ofron mikpritja në territore të ndryshme, do kishim një territor jashtëzakonisht të pasur për të pretenduar një ofertë turistike 12 mujore, jo thjesht korrik – gusht. Dhe për të pretenduar një ofertë turistike jo vetëm për turizmin etnik, pra për shqiptarët që jetojnë në trevat rreth e rrotull, por për turistë të huaj, që përballë një informacioni të mirëorganizuar, mbështetur në një inventar shumë rigoroz të gjithë këtyre pasurive, do të ishim shumë herë më tepër të tunduar që ta ndërmerrnin udhëtimin drejt Shqipërisë dhe nuk do kishim më pastaj ato mospërputhjet qesharake të shifrave, që nga njëra anë, sipas kryeministrit, shtohen 550 mijë turistë dhe nga ana tjetër të ardhurat ulen në 60 milionë euro, apo 140 milionë euro në dy vjet, por do kishim rritje reale të numrit dhe rritje reale në progresion të të ardhurave sepse do të hynte i gjithë turizmi si industri, në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në këtë rrugë zhvillimi të qëndrueshëm do të përfshiheshin shumë më lehtë pastaj, përmes forcës së shembujve, komunitete dhe familje shqiptare në të gjithë këtë territor të dyfishuar praktikisht.
(im/shqiptarja.com)