ANKARA, 9 qershor /ATSH-AFP/ - Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të ngarkojë sot kryeministrin, Ahmet Davutoglu të formojë një qeveri të re, dy ditë pas dështimit të pësuar në zgjedhjet legjislative të partisë së tyre që humbi maxhorancën absolute në Parlament.
Si zakonisht, kryeministri Davutoglu duhet t'i paraqesë zyrtarisht dorëheqjen e ekipit të tij ministror presidentit, i cili duhet ta ngarkojë, si shef i partisë së renditur në krye të zgjedhjeve, për të formuar një qeveri të re.
Në pushtet që prej 13 vjetësh, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim u rendit në krye të zgjedhjeve, por mori vetëm 40,8 për qind të votave dhe 258 vende nga 550 vende deputetësh, një rënie e ndjeshme në raport me zgjedhjet legjislative të vitit 2011 ku ai kaloi nivelin prej 50 për qind.
Kjo situatë e pazakontë ka shkaktuar nisjen e përpjekjeve në kuadër të formimit të një qeverie koalicioni mes AKP-së dhe një apo disa prej tre partive të opozitës. Në rast dështimi të bisedimeve 45-ditëshe, Erdogan do të thërrasë zgjedhje të parakohshme.
Dje, presidenti foli për formimin e një koalicioni duke u kërkuar partive të reagonin me përgjegjshmëri për të ruajtur stabilitetin e vendit.
Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), që drejton e vetme Turqinë që prej 13 vjetësh, u rendit në krye të zgjedhjeve me 40,8 për qind të votave, por ka humbur maxhorancën absolute në Parlament duke marrë vetëm 258 nga 550 vende deputetësht.
Pas saj, Partia Republikane e Popullit mori 25 për qind të votave dhe 132 vende deputetësht, Partia Nacionaliste për Veprim (MHP, e djathtë) mori 16,3 për qind dhe 80 vende, Partia Demokratike e Popullit (HDP, prokurde) 13,1 për qind dhe 80 vende.
Këto zgjedhje i dhanë fund ëndrrës së Erdoganit për ndryshimin e Kushtetutës për vendosjen e një regjimi presidencial të fortë./
/ec/ a.jor.